EditorialKryesore

“Filmit” me skenarin Shqiprim Arifi – Aleksandar Vuçiq “nuk i shitet asnjë biletë”

Ditë më parë, Drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili dhe aktori Gani Veseli, i cili është njëkohësisht edhe drejtor i organizatës joqeveritare “Colosseum”, u arrestuan nga policia serbe.

Ky akt prej shtetit policor serb lidhej me shfaqjen e filmave me metrazh të shkurtër në Bujanoc, të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Para se të ndodhte arrestimi, për pasojë edhe pezullimi i shfaqjes së këtyre filmave, kryetari aktual i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi kishte urdhëruar përmes drejtorit Kujtim Sadriu që ky aktivitet i financuar nga Republika e Kosovës të mos realizohej në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë.

Me shumë të drejtë, Ragmi Mustafi në reagimin e tij ngrinte pyetjen se “A ju duket e dyshimtë që për të njëjtët filma, Shqiprimi dhe Policia e Serbisë kanë kundërshtime?”.

Nuk është hera e parë që hidhen aludime për një lidhje të Shqiprim Arifit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe më parë, figura publike kanë ngritur dyshime rreth raportit të tyre që shihet si i ndërtuar në bazë të interesave të ndërsjellë: interesit (korruptiv) ekonomik dhe atij politik (ruajtja e influencës së Vuçiqit në Luginë të Preshevës dhe bllokimi i influencës së Republikës së Kosovës aty përmes një politikani të kontrolluar nga Beogradi, nga njëra anë, dhe ruajtja e pushtetit komunal nga Arifi, nga ana tjetër).

Lexo më shumë  QUINT-i dhe BE-ja reaguan për moslejimin e vizitës së tij, Musliu publikon deklaratën e partiarkut serb ku dezinformon rreth Kosovës

Këto aludime nuk janë vërtetuar ndonjëherë në kuptimin e rreptësisë juridike, por nga ana tjetër, u pa shumë mirë ditët e fundit se Shqiptrim Arifi ishte ndër më vokalët në ofensivën penguese ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe synimit të Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veri të territorit të saj.

Por ajo që ndodhi sot ishte vërtet mjerane dhe qesharake. Pasi u radhit në front të sulmit ndaj Albin Kurtit, pasi ndaloi shfaqjen e filmave të financuar nga Republika e Kosovës në Preshevë, e pasi për pasojë u akuzua në opinion si mbrojtës i interesave të Vuçiqit, u raportua po ashtu se Arifi paska vendosur flamurin kombëtar në objektin e Komunës së Preshevës dhe për shkak të kësaj u thirr nga Gjykata e Serbisë “me arsyetimin se janë shkelur ligjet e këtij shteti për faktin e vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në hapësirë publike” (Ekspozimi i flamurit kombëtar shqiptar në territorin e Serbisë përbën shkelje të ligjeve në këtë shtet me mendësi fashizoide).

Lexo më shumë  Avancon Ukraina, sulmon me dronë luftarak Krimenë

Nuk mund të thuhet me siguri nëse ka ngelur akoma ndonjë person që e beson këtë “film” të trilluar Vuçiq-Arifi? Është shumë e qartë që ky është një skenar i tyre, ku tentohet të shpëlahet figura e Shqiprim Arifit, ku ky paraqitet si patriot e me vlera kombëtariste përballë policisë serbe që e lufton.

Nuk e dimë se çfarë cilësie artistike kishin filmat e ndaluar nga Shqiprim Arifi dhe policia e Vuçiqit, por “filmi” me skenarin Vuçiq-Arifi është shumë i dobët dhe nuk po i shitet asnjë “biletë” te publiku shqiptar.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *