Në Parlamentin e Britanisë po debatohet për situatën në veri të Kosovës
Në Parlamentin e Britanisë së Madhe është duke u debatuar për situatën në veri të Kosovës.
Deputetja britanike dhe kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë, Alicia Kearns, ka ngritur pyetje për çështjen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Dua të vendosi në kontekst se Kosova nuk është Serbi, por më herët këtë vit, Beogradi ka orkestruar bojkot të zgjedhjeve demokratike të mbajtura në komunat veriore të Kosovës. Rezultatin e atyre zgjedhjeve e kemi njohur në Perëndim e tash po kërkojmë sërish zgjedhje, dolën vetëm 3 për qind. Por ishte faji i ndërhyrjes nga jashtë, dhe duket se shpesh nuk përmendet kjo. Javën e kaluar, kryetarët e komunave, jo me dhunë, tentuan të futen në zyra, por dhuna u orkestrua. Po të ndaloheshin kryetarët tanë të punonin nga zyrat e të detyroheshin të punonin në shtëpi, do të thoshim është goditje e rëndë ndaj demokracisë. Pati dhunë të orkestruar në veri nga milicia e financiar nga Beogradi, dhunë kundër KFOR-it, Policisë, hodhën koktej molotovi, gjuajtën me armë, dogjën vetura”, tha Kearns.
Ajo ka pyetur pse kishte një reagim aq disproporcional nga aleatët.
“Është e gabuar që SHBA-ja e BE-ja vendosën të kritikonin Kosovën, e nuk pati kritika ndaj milicias së armatosur”, ka thënë Kearns. Ajo ka thënë se po dështohet vendosja e masave ndaj Beogradit, ndërsa ka treguar se si qytetarët në veri kërcënohen nga grupet kriminale.
E ministri i Jashtëm i Britanisë, Andrew Mitchell, ka thënë se po punohet me partnerë ndërkombëtarë për t’u ulur tensionet.
Në këtë debat kanë folur edhe deputetë tjerë britanikë. Një nga pyetjet e bëra ka qenë se si do të sigurohen ndërkombëtarët që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje nëse organizohen sërish ato.
“Jemi duke punuar ngushtë me partnerët për shtensionim të shpejtë të situatës. Siç ka thënë Sir. Peach, Britania qëndroi me Kosovën në kohët e mira e të këqija, e do të vazhdojë të bëjë këtë. E me zgjedhjet që u mbajtën në veri, mund të themi se janë të ligjshme, por mungon disi legjitimiteti”, tha Mitchell.
Mitchell ka thënë se Britania e mbështet aplikimin e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës.
Rruga Press