Prigozhin: Mbi 20.000 luftëtarë të Wagner-it janë vrαrë në Bahmut
Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha se grupi i tij ka humbur mbi 20.000 luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Yevgeny Prigozhin, përbën 20% të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.
Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.
Analistët besojnë që në nëntë muaj betejë në Bahmut janë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë, në mesin e të cilëve edhe të dënuar që ishin rekrutuar, e që besohet se janë trajnuar pak ose aspak para se të dërgoheshin në fushëbetejë.
Prigozhin, gjatë një interviste të publikuar të martën mbrëma të realizuar nga Konstandin Dolgov, një politolog pro-Kremlinit, tha se qëllimi i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës, që u proklamua si qëllimi i nisjes së pushtimit, ka dështuar sepse ushtria ukrainase është bërë më e fortë pas furnizimeve me armë dhe trajnimeve nga aleatët e saj perëndimorë.
Shefi i Wagner-it po ashtu tha se forcat e Kremlinit kanë vrarë civilë gjatë luftës, gjë që Moska vazhdimisht e ka mohuar.
Prigozhin, një biznesmen i pasur që ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin, njihet për deklaratat e tij kritikuese ndaj komandantëve ushtarakë rusë.
Rruga Press