Mαsαkrαt: pse serbët janë “të dashuruar” pas αrmëve?
Dy vrasje masive në tre ditë. 17 të vdekur e 21 persona të plagosur. Teksa qytetarët e Serbisë janë ende duke u zgjuar nga një gjendje shoku, presidenti Vuçiç shpall një çarmatim të madh. Konkretisht, sipas vlerësimeve të projektit hulumtues zviceran “Small Arms Survey” nga viti 2018, Serbia është e treta në botë sa i përket forcave të armatosura civile – menjëherë pas Jemenit dhe SHBA-së. Ata vlerësojnë se janë 39.1 copë armë të lehta për çdo 100 banorë.
Zyrtarët mohojnë të dhëna të tilla dhe i quajnë arbitrare, ndërsa ekspertët vërejnë se vlerësime të ndryshme qarkullojnë për 15 vjet dhe se të dhënat e sakta është e vështirë të përcaktohen.
“Disa vlerësime sugjerojnë se ka 900,000 armë në posedim të qytetarëve dhe të paktën po aq në posedim të paligjshëm, ndërsa të tjera madje tregojnë se ka tre herë më shumë armë të paligjshme,” tha për Deutsche Welle drejtori i kërkimit në Qendrën e Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), Predrag Petroviç.
“Sipas të dhënave zyrtare të MPB-së të dy viteve më parë, në Serbi ka pasur 920.000 armë, ndërsa në ndërkohë janë kthyer 50-60.000 armë”, shtoi ai.
“Kultura e armëve” jeton
Cilido nga vlerësimet ekzistuese të jetë i saktë, të gjitha ato tregojnë të njëjtën gjë: në Serbi, tradita që çdo shtëpi duhet të ketë një armë ende vazhdon në një masë të madhe. Petroviç e sheh arsyen e ekzistencës së të ashtuquajturës “kulturë e armëve” në radhë të parë në numrin e madh të konflikteve të armatosura që ndodhin në zona të ndryshme.
“Në ato zona armët janë edhe simbol i pushtetit edhe simbol statusor dhe do të thotë se je i aftë të jetosh dhe je i aftë të mbrosh veten dhe familjen tuaj”, shpjegon ai.
Hulumtimet e vazhdueshme shumëvjeçare për ndjenjën e sigurisë personale të kryera nga organizata e tij tregojnë gjithashtu se qytetarët ndihen më të sigurt në shtëpinë e tyre dhe më së paku në vendin ku jetojnë.
“Por ata nuk ia atribuojnë atë ndjenjë sigurie faktit që institucionet shtetërore, për shembull policia, e bëjnë mirë punën e tyre, por sepse e konsiderojnë veten qytetarë të mirë, kanë fqinjë të mirë dhe sepse janë në gjendje të mbrojnë veten”, shton Petroviç.
Ndalimet (nuk) e zgjidhin problemin
Shteti tani njofton se numri i armëve do të reduktohet në mënyrë drastike.
“Të gjithë ata që kanë armë, nuk po flas për armë gjuetie, janë rreth 400.000 njerëz – do t’i nënshtrohen një auditimi. Ne do të bëjmë çarmatimin pothuajse të plotë të Serbisë”, shpalli presidenti serb Vuçiq.
Përveç kësaj, qeveria e Serbisë tashmë ka marrë një vendim për të kryer kontrollin e të gjithë pronarëve të armëve në gjashtë muajt pasues, gjatë të cilve do të kontrollohet nëse ata i ruajnë armët e tyre në mënyrë të sigurt dhe nëse aksesi në armë dhe municione për të miturit dhe persona të tjerë të paautorizuar parandalohet në mënyrë adekuate. Do të shtrëngohen edhe më tej procedurat për dhënien e lejeve të reja, si dhe Ministria e Brendshme do të vendosë edhe moratorium për dhënien e çdo arme për dy vitet e ardhshme.
“Ne e dimë se do të ketë probleme të mëdha për të gjitha këto, por sa më pak armë, aq më pak do të ketë rrezik për fëmijët dhe qytetarët tanë”, tha Vuçiqi.
Kontrolli është një gjë normale në situata të tilla, por ndalimet sistematike nuk kanë kuptim, mendon Dejan Milutinoviç nga Shoqata Profesionale e Sektorit të Sigurisë (SUSB).
“Ne tashmë kemi rregulla shumë të rrepta. Në debatin më të vogël në lagje, armët merren përgjithmonë. Nuk ka asnjë mundësi për të parë nëse ai person mund të jetë në gjendje t’i përdorë ato armë,” tha Millutinoviç për Deutsche Welle.
Petroviq kujton se rregullat u ashpërsuan me ndryshimet e ligjit në vitin 2015, kur u vendos detyrimi për të riregjistruar armët ekzistuese, ku çdo qytetar duhej të kalonte kontrollet dhe të tregonte arsyen pse ndihet i pasigurt dhe duhet të mbajë armë.
Megjithatë, rreptësia në letër nuk u reflektua në praktikë. Afati i ri-regjistrimit është shtyrë disa herë, herën e fundit vitin e kaluar për dy vite të tjera.
“Pra, nuk është vetëm në dorën e qytetarëve, por edhe të vetë institucioneve. Dhe kjo praktikë është mjaft e pabarabartë, sepse disave iu konfiskuan armët, sepse policia mendonte se nuk kishte arsye për t’i mbajtur, ndërsa të tjerëve u morën leje të reja edhe pse nuk kanë deklaruar ndonjë arsye të veçantë”, shpjegon Predrag Petroviç.
Armët ilegale ende të paarritshme
Armët e regjistruara janë vetëm një pjesë e problemit, pasi në mesin e qytetarëve serbë ka ende një sasi të madhe armësh pa leje të mbetura nga luftërat e viteve 90′.
“Ato janë shpërndarë në popull pa asnjë shënim dhe askush nuk mund t’i gjurmojë ato armë”, kujton Petroviq për Deutsche Welle-n.
Ai shtoi se çarmatimi më i madh i Serbisë ishte gjatë operacionit “Saber” pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiç, kur u kthyen rreth 50.000 armë.
“Tani duhet të ketë një fushatë serioze për të bindur qytetarët se mund t’u besojnë institucioneve shtetërore dhe se janë në një mjedis të sigurt dhe se kurrë nuk do t’u duhen ato armë.”
Milutinoviç, nga ana tjetër, beson se shumica e armëve ilegale janë në qarqet kriminale. Duke folur për pushkën automatike me të cilën është kryer krimi në rrethinën e Mlladenovcit (ku një 21-vjeçar, bir ushtaraku, vrau 8 persona), ai vëren se një armë e tillë nuk mund të sigurohej legalisht.
“Arma automatike është në kazermë, kështu që mund të jenë vetëm veprime të pakujdesshme të ndonjë profesionisti që e ka sjellë nga kazerma apo baza, ose është rezultat i tregtisë ilegale të armëve”, shpjegon Millutinoviç.
Rruga Press