Lajme

Raporti i DASH: Serbëve të Kosovës u është bërë presion të mos mbështesin parti të tjera përveç Listës Serbe

Ligji u jep qytetarëve mundësinë për të zgjedhur qeverinë e tyre në zgjedhje periodike të lira dhe të ndershme të mbajtura me votim të fshehtë bazuar në të drejtën e votës universale dhe të barabartë.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për lirinë për të marrë pjesë në procesin politik, thuhet se Qeveria serbe vazhdoi të operojë me struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës.

Sipas DASH-it, Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetin serb dhe goran të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik.

“Në të njëjtën kohë, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike raportuan shqetësime për mungesën e konkurrencës në zonat serbe të Kosovës dhe vunë në dukje presion dhe frikësim brenda komuniteteve pakicë etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe”- thuhet në raport.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

DASH-i thotë se politikanët e Listës Serbe shtynë për krijimin e partive të reja politike rome dhe boshnjake dhe inkurajuan serbët e Kosovës që të votojnë për këto parti të reja në një përpjekje për të rritur ndikimin e tyre në Kuvend.

“Disa serbë të Kosovës raportuan gjithashtu se u është bërë presion që të mos mbështesin parti të tjera përveç Listës Serbe. Sipas vëzhguesve të Institutit Kombëtar Demokratik, politikanët e Listës Serbe shtynë për krijimin e partive të reja politike rome dhe boshnjake dhe inkurajuan serbët e Kosovës që të votojnë për këto parti të reja në një përpjekje për të rritur ndikimin e tyre në Kuvend duke fituar vende të rezervuara për grupet minoritare”- theksohet në raport.

Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes së grave në votime, DASH bën të ditur se ishte shumë më e ulët se e burrave, teksa shton se Institucioni i Ombudspersonit raportoi se partitë politike nuk kishin përfaqësim të barabartë gjinor në listat e votimit.

“Në Kuvend, 38 nga 120 anëtarë ishin gra. Ligji për Zgjedhjet kërkon që 30 për qind e vendeve në Kuvend të rezervohen për gratë, ndërsa Ligji për Barazinë Gjinore mandaton që gratë të zënë 50 për qind të të gjitha pozitave në institucionet qeveritare. Institucioni i Ombudspersonit raportoi se partitë politike nuk kishin përfaqësim të barabartë gjinor në listat e votimit, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit për Barazi Gjinore”- thotë DASH.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Ndërkaq për përfaqësimin e pakicave etnike në Kuvend, DASH bën të ditur se ishte mëse proporcional me pjesën e tyre në popullatë.

DASH për çdo vit publikon raportin për të drejtat e njeriut.

Ky raport mbulon të drejtat e njohura ndërkombëtarisht, të drejtat individuale, civile, politike dhe të punëtorëve, siç parashikohen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Shtetit paraqet raporte për të gjitha vendet që marrin ndihmë dhe të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara në Kongresin e SHBA në përputhje me Aktin e Ndihmës së Jashtme të vitit 1961 dhe Aktin e Tregtisë të vitit 1974./Kallxo.com

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *