Opinion/Aktualitet

Si vdìq një bankë zvicerane

Nga Enver Robelli

Fakte për një fundjavë historike të Zvicrës dhe gllabërimin bankës Credit Suisse nga konkurrentja UBS.

■ Banka Credit Suisse (CS), e themeluar para 166 vitesh, pushoi së ekzistuari si institut i pavarur financiar. Ky proces filloi të dielën dhe do të përmbyllet në muajt e ardhshëm. Blerëse është banka tjetër e madhe zvicerane UBS.

■ Banka Kombëtare e Zvicrës ka ofruar një ndihmë likuiditeti prej 200 miliardë franga.

■ Banka Credit Suisse u gjend para fundosjes në fundjavë pas një sërë skandalesh e aferash financiare; muajve të fundit klientët nuk i besuan më CS-it dhe nisën t’i tërheqin paratë në mënyrë masive.

■ Qeveria e Zvicrës vendosi ta lejojë bankën UBS të gllabërojë Credit Suisse me qëllim që të evitojë një krizë edhe më të madhe dhe ndërkombëtare financiare. Për ta bërë të mundur bashkimin qeveria iu referua neneve 184 dhe 185 të Kushtetutës së Zvicrës të cilat e lejojnë kabinetin të pezullojë ligje nëse këtë e kërkon “mbrojtja e interesave të vendit”.

■ UBS e bleu Credit Suisse për 3 miliardë franga.

■ Qeveria garanton me 9 miliardë për humbjet eventuale që mund t’i pësojë UBS me marrjen nën kulm të saj të bankës Credit Suisse. Domethënë: nëse i shtohen kësaj shume edhe 200 miliardë të Bankës Kombëtare shteti garanton me deri në 209 miliardë për akrobacionet e rrezikshme të Credit Suisse.

■ Që nga mesi i javës së kaluar qeveria mbajti katër mbledhje, tri prej tyre iu kushtuan krizës në Credit Suisse. Të dielën presidenti i Zvicrës dhe ministrja e financave dolën para mediave për të shpjeguar situatën. Krahas gjermanishtes e frëngjishtes (dy gjuhë zyrtare të vendit) ministrat folën edhe anglisht (shenjë kjo se situata ishte dramatike).

■ Nga mbledhjet e qeverisë të mbajtura ditëve të fundit mediat nuk morën vesh asgjë. Askush nuk foli. Asnjë informatë nuk rrodhi. Asgjë. Asnjë. U krijua një situatë absurde kur mediat zvicerane duhej t’i referoheshin mediave anglosaksone (Financial Times, Bloomberg, Reuters) mbi zhvillimet në Credit Suisse dhe UBS.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

■ Për shkak të rënies së besimit ndaj CS, raportohet se nga banka çdo ditë janë tërhequr nga 10 miliardë franga.

■ Para 15 vitesh qeveria qe e detyruar të pezullojë ligjet për të shpëtuar bankën UBS. E njëjta po ndodh edhe tani me CS.

■ Kostoja e kolapsit të CS nuk mund të parashikohet ende.

■ Çfarë i zemëron më së shumti njerëzit në Zvicër është mungesa e çdo vetëkritike nga ana e menaxherëve të CS.

■ Nëse deri në fund të vitit përmbyllet procesi i bashkimit, CS dhe UBS do të kenë 125 mijë punëtorë e punëtorë, një e treta e tyre punojnë në Zvicër.

■ Në vitin 2007 vlera e CS në bursë ishte 100 miliardë franga. Të premten e kaluar kjo vlerë ra në 7 miliardë.

■ Një gazetë e Zürichut, e afërt me bankat, u përpoq ta de-dramatizojë situatën me një citat të ekonomistit Allan Meltzer: “Kapitalizmi pa falimentim është si feja pa mëkat. Nuk funksionon”.

■ Zvicra është kritikuar me të drejtë është ka qenë një lloj bunkeri për fshehjen e parave të diktatorëve. Më 1979 ministri i drejtësisë Kurz Furgler (demokristian) deklaroi se “nuk kemi arsye të jemi të turpëruar kur në mëngjes shikojmë veten në pasqyrë derisa jemi duke u rruar”. Më 1984 një bankier zviceran tha se paratë e despotëve në bankat zvicerane janë pjellë e fantazisë. Por më 1986 ndodhi e papritura: Zvicra bllokoi paratë e diktatorit të rrëzuar filipinas Ferdinand Marcos.

■ Nga mesi i viteve 90-të Zvicra u ballafaqua me kritika të ashpra sidomos nga SHBA për shkak se bankat kishin fshehur paratë e shumë viktimave të Holokaustit dhe nuk i kishin informuar pasardhësit e tyre. Magazina amerikane “Time” shkroi se “bankierët zviceranë duhet të kuptojnë se ka disa forma të falimentimit, por falimentimi moral është më i keqi”. Zvicra zyrtare u ballafaqua me këtë kapitull të errët, një komision historianësh shkroi një raport të hollësishëm, bankat paguan 1,25 miliardë për pasardhësit e viktimave të Holokaustit.

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

■ Megjithatë, Zvicra vazhdoi të ngulë këmbë në sekretin bankar. Pra, në refuzimin për të ofruar informata palëve të treta për xhirollogari me para të dyshimta. Presioni nga SHBA ishte i madh. Më 2008 ministri i financave Hans-Rudolf Merz në adresë të shteteve që i bënin presion Zvicrës tha: “Ju keni për t’i thyer dhëmbët në sekretin bankar të Zvicrës”. Ndërkohë Zvicra është dorëzuar, sekreti bankar i takon historisë.

■ Më 2010 shefi i Credit Suisse, bankieri amerikan Brady Dougan, mori rrogë vjetore prej 90 milionë franga. Në 10 vitet e fundit Credit Suisse ka ndarë 32 miliardë franga bonuse, e njëkohësisht ka shënuar humbje për 3,2 miliardë franga.

■ Para një muaji ministrja e financave nga partia liberale (FDP) njoftoi se synon të kursejë 2 miliardë franga nga fondi i pensioneve për gra të veja. E njëjta ministre tani shpjegoi se shteti është i gatshëm të paguajnë miliarda franga për të shpëtuar një bankë që e kanë rrënuar menaxherët e kazino-kapitalizmit. Paratë nuk janë të ministres, janë të taksapaguesve, pra të popullit.

■ Zhdukja e bankës CS do të luajë rol në debatet politike të muajve të ardhshëm në Zvicër. Në vjeshtë do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

(Një pjesë e të dhënave në këtë tekst bazohen në raportimet e gazetave zvicerane në ditët e fundit)./Koha

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *