Lajme

“M Portαl”: Vrαsësit e të rinjve në “Pαndα” kryen edhe mαsαkrën në Dubrαvë

“Hetimi në Pejë u bë që të mos ketë hetime. Aty ku organizon shteti, paraprakisht organizon edhe që hetimi të mos tregojë asgjë. Nuk mund të gjesh ndonjë letër të vulosur me një urdhër për personin e caktuar për të kryer një vrasje apo një raport për punën e bërë. Bëhet fjalë për udhëzime që jepen privatisht dhe në fshehtësi të madhe. Shërbimi nuk lë gjurmë të shkruara për atë që nuk dëshiron të dihet, dhe do të shkatërrojë materialin që tregon për këtë”, ka thënë një burim nga Shërbimi Inteligjent për portalin malazez “M-Portal”.

Thuhet se kështu ka ndodhur me rastin e masakrës në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor të vitit 1998. Njëri foli, e shumë vjet më vonë tjetri e njohu atë informacion si material për realizimin e interesit të tij politik.

Pas vrasjes së gjashtë të rinjve në “Panda”, hetimi zyrtar në vendngjarje zgjati deri më 22 dhjetor të vitit 1998, pra vetëm pak ditë.

Në një prononcim të dhënë për të përditshmen “Danas” në vitin 2018, ish-shefi i SUP-it të dikurshëm të Pejës, Boro Vlahoviq, tha se për rastin “Panda” përgjegjës për hetimin ishte Sigurimi Shtetëror, pasi ishte vepër penale e terrorizmit.

“Ne nga sigurimi publik punuam intensivisht për zbulimin e autorëve, por kur pas disa ditësh pjesëtarët e Sigurimit të Shtetit arrestuan një grup shqiptarësh që thuhej se kishin organizuar dhe kryer krimin në kafenenë ‘Panda’, sigurimi publik ndaloi së punuari për rastin. Kur Sigurimi i Shtetit merr përsipër diçka dhe shpall se rasti është zbardhur, nuk është praktikë që sigurimi publik të vazhdojë të punojë për të njëjtin rast”, pati thënë në atë kohë Vlahoviq.

Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, e cila ishte në Pejë më 19 dhe 20 dhjetor të vitit 1998, në një tekst për Radio Evropën e Lirë në vitin 2014 kishte treguar detajet për rastin.

“Shqiptarët më siguruan se vrasja në ‘Panda’ nuk është bërë nga asnjëri prej komunitetit shqiptar. Një nga provat që panë në këtë ishte fakti se policia dhe ushtria filluan kërkimet më 17 dhjetor, tri ditë pas vrasjes”, tha Kandiq.

Ajo ka treguar se së paku 150 shqiptarë nga Kapishnica u ndaluan më 17 dhjetor të vitit 1998 në SUP të Pejës.

“Rreth 200 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë morën pjesë në kontrollet e shtëpive të shqiptarëve dhe në rrahjet e shqiptarëve. Në marrjen në pyetje të shqiptarëve të ndaluar morën pjesë edhe inspektorët e Sigurimit të Shtetit nga Beogradi. Shqiptarët e rrahur kujtojnë inspektorët me emrat Lubo, Zoran dhe Strikoviq. Thonë se ata të tre i kanë rrahur pa mëshirë. Më 22 dhjetor të vitit 1998, të dyshuarit Agron Kollqaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Logja dhe Vllaznim Pergjegja ishin sjellë para gjyqtarit hetues Nebojsha Zhivkoviq. Ai mori vendim për mbarimin e hetimeve për aktin terrorist në ‘Panda’. Më 11 qershor të vitit 1999, të pestët u transferuan nga Burgu i Qarkut në Pejë për në burgjet e Serbisë. Në gjykimin para Gjykatës së Qarkut në Leskovc, më 9 nëntor të vitit 1999, ata u dënuan. Por u liruan më 15 dhjetor të vitit 1999, me ndërmjetësimin e MKCK-së”, tha Kandiq.

Më 22 dhjetor të vitit 1999, zëvendëskryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikola Shainoviq, njoftoi se rasti i vrasjeve në “Panda” është zgjidhur.

Në tekstin e saj për Radio Evropën e Lirë, Natasha Kandiq, thotë: “Disa herë kam pasur rastin t’i pyes përfaqësuesit e MUP-it të Serbisë për vrasjet në ‘Panda’. Përgjigjja ishte se nuk e zbardhën dot çështjen, jo sepse nuk kishte prova, por se nuk u lejua zbardhja e rastit. Kontrolli i shtëpive të shqiptarëve, marrja në pyetje dhe rrahja e shqiptarëve ishte një lojë e policisë për të mbuluar gjurmët e vërteta”, thotë Kandiq.

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

Ish-kryetarët e Gjykatës së Qarkut në Pejë, gjyqtarët dhe prokurorët e qarkut në të gjitha deklaratat për media pohuan se nuk kishin kontakt me rastin “Panda”.

Në kohën e vrasjes së gjashtë të rinjve në “Panda”, ministër i Informacionit në Serbi ishte Aleksandar Vuçiq, atëherë zyrtar i lartë i Partisë Radikale të Vojislav Sheshelit.

Mandati i Vuçiqit si ministër do të mbahet në mend për zbatimin e ligjit skandaloz të Slobodan Milosheviqit për media, i cili u përdor ekskluzivisht për një goditje të ashpër ndaj mediave të lira atëhershme, futjen nën censurë dhe mbylljen totale të “mediave të papërshtatshme”. Në Serbinë e Milosheviqit atëkohë ishte errësirë absolute mediatike dhe dritën e fundit e fiku me dorën e tij Aleksandar Vuçiq.

Për opinionin e atëhershëm çështja “Panda” u mbyll me njoftimin e Shainoviqit dhe do të qëndrojë i bindur edhe për një kohë të gjatë se krimi ishte kryer nga shqiptarët.

Masakra në Dubravë

Vetëm pesë muaj pas krimit në “Panda”, gjatë ndërhyrjes së NATO-s, mes 19 dhe 23 majit të vitit 1999, në Burgun e Dubravës afër Istogut në Kosovë, 26 kilometra nga Peja, do të ndodhte një masakër. U vranë 96 të burgosur të kombësisë shqiptare, e rreth 160 u plagosën (sipas burimeve kosovare, dyfish kishte më tepër të vrarë dhe të plagosur).

Këtë masakër e kryen të burgosurit, të cilët nga Burgu i Pozharevcit u transferuan në Dubravë, së bashku me armët që pretendohet se ishin dedikuar për gardianët.

Para Prokurorisë së Beogradit për Krime Lufte, një nga të dyshuarit për këtë krim ishte Sinisha Petriq – “Zenica”, i njohur si xhelati i klanit të Zemunit, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Luka Bojoviqit dhe pjesëmarrës i mundshëm më masakrën “Panda”.

Pas masakrës, Petriqin e nxori nga Dubrava kreu i “Beretave të kuqe”, Milorad Ulemek – “Legija”, dhe prej andej do të humbnin përkohësisht gjurmët.

Mirëpo, sipas informatave operative të shërbimeve rajonale të sigurisë, në masakrën në Dubravë mori pjesë edhe një tjetër pjesëmarrës i mundshëm në masakrën “Panda”, Radomir Boban Baçoviq, lider aktual i klanit “Shkaljar”, për të cilin më parë shkroi “M Portal”.

Sipas këtyre pretendimeve, në fotot nga Dubrava të publikuara nga agjencia e lajmeve Reuters menjëherë pas masakrës, Baçoviq shihet me armë në duar. Ai ishte njeri i lirë edhe pas masakrës në Dubravë, madje në dosje të tij nuk figuron asnjë arrestim deri në vitin 2013.

Bojoviqin e ruajti Shërbimi për detyra më serioze që pasuan.

Rritja e një udhëheqësi të ri

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, për Serbinë erdhën kohë të turbullta. Njësiti për Operacione Speciale (JSO) i Ulemekut u bë gardë e Slobodan Milosheviqit, madje aq e fuqishme, saqë me ndihmën e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror prej saj lindi një nga klanet kriminale më famëkeqe në Evropë – klani i Zemunit, zyrtarisht i udhëhequr nga Dushan Spasojeviq e Mile Lukoviq.

Më pas u vra Zhelko Razhnjatoviq Arkan, udhëheqës, bashkëpunëtor i ngushtë dhe shok i gjithë atyre që u përmendën.

Slobodan Milosheviqi humbi zgjedhjet ndaj Vojislav Koshtunicës, Aleksandar Vuçiq kaloi në opozitë, në pushtet erdhi Opozita Demokratike e Serbisë (DOS).

Zoran Gjingjiq u zgjodh më pas kryeministër, Milosheviq u paraqit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë.

Përpjekja e Gjingjiqit për t’i dhënë fund Ulemekut, “Beretave të kuqe” dhe klanit të Zemunit e patronëve të tyre politikë, përfundoi me të shtëna në drejtim të tij në hyrje të Qeverisë së Serbisë më 12 maj 2003.

Të shtënat fatale ndaj Gjingjiqit do të kryheshin nga anëtari i “Beretave të kuqe” Zvezdan Jovanoviq, me organizim nga shefi i tij Ulemek dhe në kurriz të klanit të Zemunit.

Krerët e atëhershëm të klanit të Zemunit, Lukoviq dhe Spasojeviq, u vranë në operacionin “Shpata”, që u krye pas vrasjes së Gjingjiqit. Zvezdan Jovanoviq u arrestua më 24 mars 2003. 14 muaj më vonë do të dorëzohej në polici edhe Milorad Ulemek – “Legija”.

Në botën e krimit pati hapësirë për liderin e ri të klanit të Zemunit dhe shërbëtorin besnik – Luka Bojoviq.

Lexo më shumë  Aksion i madh i policisë: Arrestohen 20 persona, sekuestrohen 120 mijë euro

Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të shefit të ri, si dhe të Shërbimit, ishin Sinisha Petriq – “Zenica”, përgjegjës për likuidimet, dhe Boban Baçoviq, detyra e të cilit ishte të ruante lidhjet me grupet kriminale malazeze, të cilat në atë kohë vepronin si një entitet i vetëm, deri në konfliktin e madh mes Kavçanëve dhe Shkaljarëve në vitin 2014.

Pas marrjes së klanit të Zenunit, Bojoviq dhe ekipi i tij filluan një luftë të ashpër me kundërshtarë të ndryshëm nga bota e krimit, që nuk ka ndaluar deri sot.

Në një botë larg politikës dhe krimit, jeta e familjeve të të rinjve të vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998 është në agoni. Nuk ka asnjë hetim, dhe kërkesat e tyre që të pranohen për takim nga zyrtarë të ndryshëm shtetërorë, nga Slobodan Milosheviq te Boris Tadiq e deri tek Aleksandar Vuçiq, mbetën pa përgjigje ose thjesht transferoheshin në takime formale me bashkëpunëtorët e tyre, të cilët nuk dhanë asnjë informacion apo nuk kanë marrë asnjë hap për një nisje të hetimit.

Premtimet e Vuçiqit

Më 28 dhjetor të vitit 2013, një vit pas ardhjes në pushtet të Partisë Progresiste Serbe, familjeve të viktimave në rastin “Panda” do t’u jepte shpresë deklarata e zëvendëskryeministrit të parë të atëhershëm të Qeverisë së Serbisë dhe shefit të Zyrës për Koordinim të Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq.

“Krimin në ‘Panda’ nuk e bënë shqiptarët, siç kemi besuar deri më tash. Publiku do të tmerrohet kur të zbardhet e vërteta”, pati thënë Vuçiq në atë kohë për televizionin “Pink”.

Megjithatë, Vuçiqi me “të vërtetën” kurrë nuk e tronditi as prokurorinë, e lëre më publikun.

Në atë kohë Luka Bojoviq dhe partneri i tij “Zenica” ndodheshin në një burg spanjoll, por Bojoviqin në Serbi e pret gjykimi për tri vrasje dhe krime të tjera të bazuara në një aktakuzë të ngritur më herët ndaj tij. Krahas 18 vjetëve burgim, sa u dënua në Spanjë, aktakuza në Beograd në atë kohë do të duhej ta vendoste atë prapa grilave për një periudhë shumë më të gjatë. Punët e tyre do të drejtoheshin nga Filip Koraç dhe Boban Baçoviq.

Se si dolën gjërat saktësisht gjatë viteve 2014 dhe 2015 në BIA dhe në Këshillin Shtetëror të Serbisë, publiku ndoshta nuk do t’i dijë kurrë, përveç nëse në të ardhmen nuk ndodh ndonjë proces gjyqësor historik. Burimet thonë se disa lidhje të vjetra janë rinovuar.

Viti 2015 ishte shumë i rëndësishëm për Bojoviqin, sepse në maj ai u lirua nga të gjitha akuzat në Serbi.

Disa muaj pas lirimit të Bojoviqit, Vuçiqi e ndryshoi disi deklaratën e tij të mëparshme për masakrën në “Panda” dhe u tha gazetarëve në Qeverinë e Serbisë se “pothuajse është e sigurt se e di se çfarë ndodhi në ‘Panda’, por nuk ka asnjë provë dhe se autoritetet hetuese të Serbisë nuk mund të jenë krenare se si e kanë kryer hetimin”.

Prindërit e të rinjve të vrarë në “Panda” kanë kërkuar së paku dhjetë herë takim me Vuçiqin nga viti 2013 deri më sot, por, përkundër premtimeve të shumta, Vuçiqi asnjëherë nuk është takuar me ta.

Një hetim i ri në Prokurorinë serbe për krim të organizuar ka nisur në vitin 2016, por aktakuza nuk është ngritur as gati shtatë vjet më pas.

Është e mundur që përgjigjja e pyetjes se pse pas 24 jetëve nuk dihet se kush e ka kryer masakrën në kafenenë “Panda” në Pejë qëndron pjesërisht në mesazhin që Radomir Boban Baçoviq ia dërgoi përmes aplikacionit “Sky ECC”, nën shifrën F6E907 – Tokio, bashkëbiseduesit më 13 shkurt 2021, rreth orës 22:03.: Tash del në skenë : ) Vuçko, djali ynë në lavdi të plotë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *