Çfarë pritet nga fjalimi i Bidenit drejtuar kombit amerikan?
Reuters
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të mbajë fjalimin e tij të parë drejtuar kombit, pas marrjes së Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët.
Ky fjalim mund të nënkuptojë fillimin jozyrtar të sezonit të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2024.
Më poshtë mund të lexoni një vështrim të asaj se çfarë pritet të ndodhë.
Kur mbahet fjalimi drejtuar kombit?
Bideni do të mbajë fjalimin drejtuar kombit për herë të dytë që kur u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 7 shkurt.
Ky fjalim dhe e gjithë ngjarja do të shfaqen nëpër mediat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pse ka rëndësi?
Fjalimi mund t’i sigurojë Bidenit audiencën më të madhe televizive të vitit.
Është thënë se 38.2 milionë amerikanë e kanë shikuar fjalimin e presidentit vitin që shkoi, sipas të dhënave të qendrës Nielsen.
Para një audience të tillë, Biden do të ketë mundësinë të formësojë perceptimet e publikut mbi kufirin e borxhit, shpenzimet sociale, luftën ruse në Ukrainë dhe tema të tjera, në kohën kur ai planifikon ta shpallë fushatën e tij për t’u rizgjedhur president në javët e ardhshme.
Kjo, gjithashtu, është një mundësi për të që të rifitojë besimin te demokratët, disa prej të cilëve kanë shqetësime për moshën e tij. Biden i mbushi 80 vjet në nëntor, dhe në rast se rizgjidhet, ai do të jetë 82-vjeçar në fillim të mandatit të tij të dytë.
Çfarë pritet të thotë Bideni?
Ai pritet që përmes fjalimit drejtuar kombit, të fillojë jozyrtarisht fushatën presidenciale për vitin 2024, duke paraqitur një sërë prioritetesh e politikash që mund të gjejnë ose jo mbështetje në Kongres.
Ai pritet të tregojë për progresin ekonomik pas recesionit të shkaktuar nga COVID-19, të nxjerrë në pah kontraste në prioritetet e disa kundërshtarëve republikanë dhe të parashtrojë pikat e “përbashkëta” të agjendës që ai beson se duhet t’i bashkojnë të dyja palët.
Në mënyrë që ky fjalim i rëndësishëm i presidentit të vijë në pikën përfundimtare, duhen javë të tëra punë për presidentin, shkruesit e fjalimeve të tij, si dhe politikanë e zyrtarë të ndryshëm të administratës.
Vitin që shkoi, Bideni mbajti fjalim vetëm pak ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, dhe ai u fokusua në kundërpërgjigjen e Uashingtonit ndaj Rusisë.
Kush merr pjesë në fjalimin drejtuar kombit?
Fjalimi mbahet në një seancë të përbashkët të Kongresit.
Të gjithë anëtarët, demokratët që kontrollojnë Senatin dhe republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, janë të ftuar. Aty do të jenë edhe anëtarët e kabinetit të presidentit, forcat e armatosura dhe Gjykata Supreme.
Bideni u ftua formalisht nga kryetari i Dhomës, Kevin McCarthy, që t’u adresohet atyre dhe qytetarëve amerikane që në muajin janar. McCarthy do të kryesojë aktivitetin dhe do të shoqërohet nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila është edhe kryetare e Senatit.
Presidenti fton, gjithashtu, anëtarët e familjes dhe mysafirët e tij të tjerë që ulen në lozhë dhe mund të përdoren për të përforcuar pikat që ai bën gjatë fjalimit të tij.
Edhe anëtarët e Kongresit ftojnë mysafirë.
Këtë vit, në mesin e të ftuarve janë nëna dhe njerku i Tyre Nichols, një viktimë e brutalitetit të policisë i cili u rrah për vdekje. Ata janë të ftuarit e përfaqësuesit të Grupit me Ngjyrë të Kongresit, Steven Horsford.
Kush është “i përcaktuari për të mbijetuar”?
Një person i vetëm që nuk merr pjesë është një anëtar i kabinetit të Bidenit, i cili do të zgjidhet si “i përcaktuari për të mbijetuar”.
Meqenëse të gjithë drejtuesit institucionalë ndodhen në një vend, ky individ do të vendoset në një lokacion të sigurt dhe ka për detyrë të marrë përsipër qeverisjen në rast të një katastrofe që dëmton presidentin dhe pasardhësit e tij të tjerë.
Ende nuk dihet se kush do të jetë “i përcaktuari për të mbijetuar” gjatë fjalimit të sivjetmë.
Kush prej republikanëve do ta japë përgjigjen?
Republikanët nuk kanë njoftuar se kush do të zgjidhet për të dhënë përgjigjen tradicionale të opozitës ndaj komenteve të Bidenit. Kjo kundërpërgjigje përgjithësisht mbahet menjëherë pas fjalimit të presidentit.
Rruga Press