Lajme

Autoriteti i Konkurrencës: Çmimet e karburanteve ngrihen si raketë, por bien si pupël

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve në vend, pa konstatuar sjellje të bashkërenduar mes ndërmarrjeve në treg apo shkelje të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Hetimi paraprak ishte hapur në shkurt të vitit të kaluar, menjëherë pasi çmimet e naftës (gazoilit) dhe benzinës nisën një rritje shumë të shpejtë, që i çoi në nivelet më të larta historike (deri atëherë).

Të dhënat e hetimit tregojnë se tregu i tregtimit me shumicë të naftës dhe benzinës ka një shkallë të konsiderueshme përqendrimi. Për vitin 2021, ndërmarrjet kryesore në tregun me shumicë të naftës ishin Kastrati SHA, me pjesë tregu 38.76%, Gega Oil Group SHA 22%, Europetrol Durrës Albania SHA me 9.87%, Bolv – Oil SHA me 4.53% dhe Eroil SHA me 4.32%.

Ndërkohë, për periudhën janar – shkurt 2022 (objekt i hetimit paraprak), ndërmarrja Kastrati SHA kishte një pjesë tregu 41.23%, Gega Oil Group SHA 23.11%, Europetrol Durrës Albania SHA 10.35%, Bolv – Oil SHA 6.18% dhe Eroil SHA 4.31%.

Për vitin 2021, ndërmarrjet kryesore që shesin me shumicë produktin e benzinës ishin Kastrati SHA me pjesë tregu 34.5%, Gega Oil Group SHA me 24.89%, Europetrol Durrës Albania SHA me 10.30%, Eroil SHA me 7.47% dhe Bolv – Oil SHA me 5.31%.

Ndërsa për periudhën janar – shkurt 2022, ndërmarrja Kastrati SHA kishte 33.45% pjesë tregu, Gega Oil Group SHA 25.56%, Europetrol Durrës Albania SHA 12.07%, Eroil SHA 6.51% dhe Bolv – Oil 5.96%.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Shifrat tregojnë dy kompanitë më të mëdha kanë një pjesë tregu prej rreth 60%, ndërsa tre ndërmarrjet më të mëdha rreth 70%, si për naftën, ashtu edhe për benzinën.

Nga analiza e të dhënave, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në konkluzionin se rritja e çmimit të shitjes me shumicë për të gjitha ndërmarrjet ka ndodhur në periudhën tetor 2021 – shkurt 2022, periudhë e cila përkon edhe me rritjen e çmimit mesatar të importit, nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Gjithashtu, tendenca e rritjes së çmimit të shitjes me shumicë për ndërmarrjet është pothuajse e njëjtë me tendencës e rritjes së çmimit të importit të doganës për këtë periudhë.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë të naftës janë të përafërta për të gjitha ndërmarrjet, për shkak të mënyrës së funksionimit të tregut, ku burimet e furnizimit janë të pakta, taksat e aplikuara janë të njëjta si edhe çmimi në momentin e zhdoganimit është i njëjtë (referuar bursës së ditës).

Në analizën e hetimit. Autoriteti Konkurrencës ka cituar edhe raportin e politikave “Competion in RoadFuel” Organizës për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe studimin “Raketat dhe Puplat: i rishikuar” e përgatitur nga Universiteti i Oldenburg në 2019.

Këto dokumente konstatojnë se në tregun e karburanteve asimetria e çmimit sjell një reflektim të shpejtë (si raketë) kur ndodh rritja e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare dhe reflektim më të ngadaltë të rënies (si pupël) së çmimit të lëndës së parë tek çmimi i produktit final që marrin konsumatorët. Kjo sjellje asimetrike e çmimeve, është quajtur “efekti raketë-pupël”, dhe është evidentuar për herë të parë pikërisht në tregun e karburanteve nga R.W. Bacon në 1991.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Në përfundim të vlerësimit së sjelljes së ndërmarrjeve në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve naftë dhe benzinë nuk konstatohet ekzistenca e një sjelljeje të bashkërenduar midis ndërmarrjeve për tregtimin e karburantit.

Komisioni i Konkurrencës u ka vendosur ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë detyrimet e përgjithshme të parashikuara në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Më konkretisht, ato kanë detyrimin ligjor të mos bëjnë marrëveshje ose praktika të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht: të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; të mos kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave./MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *