Pse u rrit çmimin e naftës për të dytën javë radhazi?
Në tregjet globale, çmimet e naftës u rritën javën e kaluar për të dytën javë radhazi, pasi tregtarët presin që kërkesa kineze të rritet, ndërsa shqetësimet për një recesion në ekonomitë perëndimore zuri në plan të dytë.
Çmimi i fuçisë në tregun e Londrës javën e kaluar u rrit me 2.8 për qind, në 87.63 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i fuçisë u rrit me 1.8 për qind, në 81.30 dollarë.
Rritja e çmimeve për të dytën javë radhazi vjen më së shumti nga pritshmëritë se pas heqjes së masave të rrepta për Covid-in, rritja e ekonomisë kineze do të përshpejtohet, gjë që do të stimulojë edhe kërkesën për naftë, duke qenë se Kina është në botë importuesi më i madh i “arit të zi”.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) parashikon se, falë Kinës, kërkesa globale për naftë do të arrijë një rekord prej 101.7 milionë fuçi në ditë këtë vit, dhe Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) gjithashtu pret një rimëkëmbje kineze.
“Shumë tregtarë besojnë se do të dëshmojmë një kërkesë më të fortë nga Kina pasi ajo heq masat për Covid dita ditës,” tha Naeem Aslam nga Avatrade.
Dobësimi i dollarit
Çmimet e naftës mbështeten nga shpresa se banka qendrore amerikane nuk do të rrisë normat e interesit në nivele kaq të larta sa presin drejtuesit e FED-it.
Domethënë, shumica e drejtuesve të FED-it këto ditë po thonë se do të duhet të rrisin normat bazë të interesit mbi nivelin pesë për qind për të shtypur inflacionin.
Por tregtarët e tregut të parasë vlerësojnë se norma përfundimtare e interesit, në të cilën FED do të ndalonte ciklin e rritjes, mund të jetë 4.89 për qind.
Përveç kësaj, tregtarët shpresojnë se ekonomia amerikane do të shmangë recesionin.
“Shanset po rriten që ekonomia amerikane të ngadalësohet vetëm pak,” tha zëvendëspresidenti i FED, Lael Brainard javën e kaluar.
Mbështetja e çmimeve jepet edhe nga rënia e vlerës së dollarit ndaj një shporte valutash. Indeksi i dollarit, i cili tregon lëvizjen e vlerës së SHBA-së kundrejt gjashtë monedhave të tjera më të rëndësishme botërore, ra me 1.4 për qind që nga fillimi i vitit, në nivelet më të ulëta që nga qershori i vitit të kaluar.
Dhe kjo mbështet kërkesën pasi dollari në rënie forcon fuqinë blerëse të atyre që blejnë naftë në monedha të tjera.
Rruga Press