KryesoreOpinion/Aktualitet

Pse Perëndimi nuk i ve shpatën e Damokleut, Vuçiçit?

Nga Shaban Murati

Në 16 janar 2023 media qeveritare ruse “eadaily.ru” i  bënte jehonë deklaratës së presidentit serb Vuçiç atë ditë që Serbia do të përkrahë sanksionet antiruse vetëm nëse do të shohë shpatën e Damokleut në qafën e tij, por deri tani nuk e ka parë atë rrezik.

Është një deklaratë sa interesante aq dhe sfiduese në planin diplomatik dhe gjeopolitik, e cila jep çelsin për të kuptuar situatën absurde të stërzgjatjes dhe të guximit të një mikroshteti si Serbia për të refuzuar dy kërkesat e Perëndimit: njohjen e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Madje në 13 janar presidenti Vuçiç u mburr se i ka deklaruar këshilltarit të departamentit amerikan të shtetit Derek Chollet në bisedimet me të në Beograd se çdo lloj njohje zyrtare ose jo zyrtare e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB janë vijat e kuqe, që Beogradi nuk do t’i kapërxejë, dhe i ka konfirmuar refuzimin e Serbisë për të pranuar planin franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve ballkanike.

Pra presidenti serb tallet me dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Nuk ka faj as Vuçiç dhe as Moska që Serbia nuk njeh Kosovën dhe refuzon vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë agresore. Faji kryesor është i Perëndimit, që nuk ka ushtruar presionin e duhur mbi presidentin serb dhe mbi Serbinë, që meriton si shtet agresor dhe luftënxitës, për ta detyruar që t’i pranojë dy kërkesat e drejta të Perëndimit dhe të mos destabilizojë më Ballkanin Perëndimor.

Mungesa e shpatës perëndimore të Damokleut mbi qafën e presidentit serb Vuçiç e ka inkurajuar atë që të jetë me agresiv se kurrë si gjenerator tensionesh në shërbim të strategjisë ruse në rajon. Pas invazionit ushtarak rus kundër Ukrainës në fillim të vitit të kaluar  Vuçiç katër herë ka provokuar kriza në kufirin me Kosovën, duke kërcënuar me luftë. Në koordinim me Rusinë presidenti serb, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kërkoi zyrtarisht të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë dhe të dërgonte një mijë forca ushtarake dhe policore serbe.

Qëndrimi “tërhiq e mos e këput” i Perëndimit nxiti Kremlinin të shpejtonte planet strategjike për hapjen e një konflikti në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet Serbisë.

Rusia ka qëllimin që t’i shkaktojë NATO-s një luftë lokale në Ballkan për të lehtësuar veten nga barra e rëndë e agresionit rus në Ukrainë. Moska doli menjëherë në përkrahje të kërkesës serbe për futjen e forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Kremlini e din fare mirë se një akt i tillë i Serbisë do të provokonte luftë me forcat e NATO-s në Kosovë. Por ky është qëllimi strategjik i Rusisë.

Në datën 12 janar 2023 zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, deklaroi në konferencën e saj javore të shtypit përkrahjen ruse për futjen e forcave ushtarake dhe policore serbe që “Serbia të vendosë rendin në Kosovë”. Moska po inkurajon pushtimin ushtarak serb të Kosovës duke e dehur udhëheqjen serbe me sindromën ruse të Donbasit.

Jo rastësisht Rusia hapi në Beograd në muajin dhjetor zyrën e rekrutimit të mercenarëve nga kompania e shërbimit sekret ushatarak rus “Wagner”, e cila po rekruton mercenarë jo për në Ukrainë, siç reklamojnë mediat ruse në Serbi, por për në Veriun e Kosovës dhe për të provokuar luftë atje. Mercenarët rusë të “Wagnerit” ishin mjaft aktivë në barrikadat e paligjëshme serbe në Veriun e Kosovës dhjetorin e kaluar.

Nga nxitja e re ruse presidenti Vuçiç është bërë halucinant, dhe duke shpikur në fjalimin e tij te 16 janarit 2023 një të ashtuquajtur “gjenocid ndaj serbëve” në Kosovë, tejkaloi etikën minimale për të nxitur urrejtje fetare antishqiptare me fjali si “bërja e shurrës në xhami”.

Indulgjencat shumëvjecare të pakuptueshme të Perëndimit ndaj agresivitetit në rritje të Serbisë janë konsideruar dobësi strategjike e Perëndimit dhe nga kjo ka përfituar Rusia, e cila pas agresionit të saj të parë në Ukrainë në vitin 2014 dhe pas agresionit të dytë rus në vitin 2022, e ka lidhur edhe me shumë Serbinë rreth politikës dhe interesave ruse ne Ballkan.

As për sanksionet e vitit 2022 Perëndimi nuk ka qenë i vendosur në shkallën e duhur për ta detyruar Serbinë. Vetë BE e ka përjashtuar disa herë Serbinë nga sanksionet e importit të naftës ruse, përjashtim që ka qenë në favor të Rusisë sepse industria serbe e naftës dhe e gazit zotërohet nga kompanitë shtetërore ruse.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Konflikti i fundit në dhjetor, që provokoi presidenti serb në kufirin me Kosovën, dhe sidomos kërkesa zyrtare serbe që të lejohet nga NATO të fusë forcat ushtarake dhe policore në Kosovë, evidentuan tolerancën dhe konfuzionin e Perëndimit ndaj Serbisë.

Në planin diplomatik dobësia e Perëndimit u manifestua në qendrimin e çuditshëm të shprehur sidomos nga emisarët diplomatikë të BE se të dy palët, edhe Serbia që kërcënonte me luftë, edhe Kosova që konfirmonte sovranitetin në territorin e vet, ishin të dy fajtorë. Nuk don shumë mend për të kuptuar se kjo ishte  një lloj alibie për agresivitetin serb.

Është vërtet absurde, që diplomacia e Perëndimit nuk po zbaton për dialogun Serbi-Kosovë formulën e presidentit amerikan Xho Bajden, i cili ka përcaktuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE duhet të qendërzohet në njohjen reciproke, kurse diplomacia perëndimore për t’i bërë qejfin Serbisë në janar 2023 nxjerr si prioritet krijimin e një mikro “serpska republika” të re në Veriun e Kosovës.

Në planin ushtarak kriza e dhjetorit, e provokuar nga presidenti serb në kufirin me Kosovën dhe me kërkesën për të futur një mijë forca ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, nxorri në skenë një situatë të habitëshme. Kërkesa absurde e Serbisë iu dorëzua komandës ushtarake të KFOR-it nga komanda ushtarake e Serbisë  në kufirin midis dy shteteve. Përfaqësuesit e KFOR-it e pranuan shkresën zyrtare serbe, kur duhej ta kishin refuzuar.

Është e papranueshme një formë e tillë e dorëzimit të një kërkesë nga një komandë ushtarake: Së pari, sepse kishte të bënte me një shtet të pavarur si Kosova dhe sovraniteti i takon qeverisë së saj të ligjëshme të njohur nga mbi 100 shtete të OKB. Së dyti, pranimi i kërkesës nga një komandë ushtarake te tjetra sanksionon një gjendje lufte midis dy shteteve. Së treti, KFOR nuk përfaqëson as juridikisht dhe as zëvendëson në marrëdhëniet midis shteteve as Kosovën, as NATO-n dhe as OKB.

Nëse Serbia si shtet anëtar i OKB, i pranuar në fund të vitit 2000, donte të dorëzonte një kërkesë zyrtare, qoftë dhe absurde, duhej t’i drejtohej OKB dhe jo forcës ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Në një rast alternativ Serbia mund ta dorëzonte kërkesën në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku Serbia ka edhe një mision diplomatik të akredituar pranë NATO-s.

KFOR e pranoi kërkesën serbe dhe i ktheu në 6 janar 2023 përgjigjen e drejtë të refuzimit të saj po nëpërmjet të njejtës rrugë të komunikimit ushtarak. Çeshtja nuk është tagër e komunikimit shkresor midis dy komandave ushtarake. Na vjen mirë ose jo, kjo mënyrë legalizon pretendimin e Serbisë, që e konsideron Kosovën si territor i saj i pushtuar nga NATO.

Në planin diplomatik dhe juridik Perëndimi humbi rastin në krizën e fundit Serbi-Kosovë që të hidhtë poshtë mashtrimin e presidentit serb se futja e forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë është gjoja në përputhje me rezolutën 1244 të OKB.

Këtë interpretim mashtrues Serbia dhe Rusia e përdorin gjithandej duke pretenduar se rezoluta 1244 qenka baza juridike e pretendimit kolonialist të Serbisë mbi Kosovën. Rezoluta 1244 është një rezolutë e vdekur, sepse i përket ligjërisht një shteti si RFJ, që nuk ekziston më dhe se rezoluta nuk e përmend Serbinë si shtet në asnjë rresht të saj. Që presidenti Vuçiç dhe diplomacia serbe mashtrojnë, kjo pohohet dhe e pranojnë edhe vetë politikanë shumë të njohur serbë.

Kaq flagrant është rivendikimi i presidentit Vuçiç dhe i qeverisë së Serbisë për rezolutën 1244 si justifikim i provokacionit të futjes së forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, sa që edhe ish-presidenti i Serbisë Boris Tadiç u detyrua të pranojë publikisht se argumentimi i qeverisë së tanishme serbe me rezolutën 1244 është një mashtrim.

Në një intervistë me median serbe “Vreme” në datën 9 dhjetor 2022, kur presidenti serb dhe kryeministrja Bernabiç dolën për herë të parë me provokimin se do të dërgojnë forca ushtarake në Kosovë, Tadiç, qe ka qenë tetë vjet president i Serbisë, deklaroi se “kryeministrja Ana Bemabiç dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë e Kosovës” në qeverinë serbe po mashtrojnë opinionin publik mbi mundësinë e kthimit të forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë”.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Ish-presidenti serb Tadiç thekson se rezoluta 1244 nuk parashikon praninë e ushtrisë dhe të policisë serbe në veri apo në ndonjë vend tjetër të Kosovës. Tadiç iu referua direkt rezolutës, duke saktësuar se “Rezoluta 1244 e OKB, në aneksin 2, pika 6, nuk përmend ushtrinë serbe, por personelin jugosllav dhe serb”.

Pra, një nga figurat kryesore të politikës serbe, ish-presidenti i Serbisë dhe tani kryetar i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiç, pranon dhe e deklaron publikisht të vërtetën se rezoluta 1244 e OKB nuk ka lidhje me pretendimin e presidentit Vuçiç dhe të qeverisë serbe për të dërguar trupa në Kosove.

Ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviç, në daten 12 tetor 2022 deklaron: “Për shkak të propagandës falso njerzit mendojnë se rezoluta 1244 mbron integritetin territorial dhe sovranitetin mbi Kosovën. Por jo! Rezoluta 1244 ia hoqi Serbisë integritetin dhe sovranitetin. Me këtë reuzolutë shteti i Serbisë u shpall shtet bandit”.

Nuk mund të mos lindë pyetja e madhe: Kur udhëheqës serbë si ish-presidenti dhe ish ministri i jashtëm janë kaq realistë sa të tregojnë të vërtetën e rezolutës 1244, si shpjegohet që diplomacia perëndimore nuk ia përplas këtë të vërtetë në forumet dhe organizatat ndërkombëtare diplomacisë së Serbisë edhe të Rusisë?

Përgjigja është e thjeshtë. Perëndimi ka iluzionin fatkeq që duke e toleruar dhe duke i lëshuar vazhdimisht pé diplomacisë dhe politikës agresive të Vuçiçit, do të arrijnë të shkëpusin Serbinë nga Rusia. Perëndimin e ka hutuar modeli titist. Nuk është e qartë përse 75 vjet pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Rusinë e Stalinit në marsin e vitit 1948, Perëndimi mendon se ky model  do të përsëritet me presidentin Vuçiç për t’i thënë “JO” Rusisë.

Së pari, Vuçiç nuk është Tito, i cili ishte kroat dhe jugosllav. Tito u prish me Stalinin kur diktatori rus hartoi planin e rrëzimit të Titos dhe zëvendësimit të tij me një udhëheqës serb, sepse me Serbinë Moska kishte sigurinë e ndikimit të saj.

Së dyti, presidenti Vuçiç në vitin 2019 ka shpallur devizëne tij “Kurrë më nuk do të ketë 1948”. Pra kurrë Serbia nuk do të prishet me Rusinë. Atëhere përse dhelpra e diplomacisë perëndimore vrapon ende pas atyre të dashit se mos vallë Serbia shkëputet nga Rusia dhe shkon në shtratin e Perëndimit?

Këtu çfaqen hijet e mëdha, që lidhen si me divergjencat e interesave gjeopolitike midis SHBA dhe BE në Ballkan,  ashtu dhe me divergjencat e interesave gjeopolitike midis shteteve të mëdha të BE në Ballkan. Disa qarqe të diplomacisë perëndimore janë të obsesionuar nga idea gjeopolitike se duke i ofuar Serbisë të drejtën e hegjemonisë në Ballkanin Perëndimor dhe duke i dhënë asaj dritën jeshile për krijimin e te ashtuquajturës “botë serbe” me aneksimin e Kosovës, të Malit të Zi dhe të “Serpska republikës” Beogradi do të vendosë stabilitetin dhe do të mbrojë interesat perëndimore në Ballkanin Perendimor.

Është një ide e gabuar gjeopolitike, e cila hiperbolizon rolin dhe peshën e Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Më saktë, është një paragykim,  që nuk reflekton se Serbia e sotme nuk është Jugosllavia e dikurshme dhe nuk mund të jetë hegjemone në rajon.

Të gjitha këto duket se janë pengesat fatkeqe, që e pengojnë Perëndimin të vendosë shpatën e Damokleut mbi qafën e presidentit Vuçiç dhe të Serbisë. Nuk e di përse harrohet se ka qenë Serbia shteti, që ndërmori agresione ushtarake kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Asnjë shtet, që doli nga ish- Jugosllavia, nuk e ka sulmuar Serbinë. Serbia refuzoi të njihte pavarësinë e Sllovenisë, të Kroacisë dhe të Bosnje- Hercegovinës, kur u shpallën shtete të pavarura dhe as kur ato u pranuan anëtare të OKB. Serbia u detyurua t’i njohë si shtete të pavarura kur i vunë në qafë shpatën e Damokleut dhe ia imponuan në Dejton.

Perëndimi, SHBA, NATO dhe BE, duhet t’i rikthehen metodës së detyrimit ndaj Serbisë, sepse ata i kanë të gjitha instrumentet, forcat dhe mënyrat për t’ia vënë presidentit serb shpatën e Damokleut, që jo vetëm ta shohë, por edhe ta ndjejë në qafën e tij. Kështu qetësohet Ballkani Perëndimor, vjen drejtësia dhe ripajtimi i pritur dhe largohet Rusia nga rajoni./DITA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *