Chollet me vizitë zyrtare në Kosovë, takon krerët e shtetit dhe liderët opozitarë
Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sot do të vijë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Chollet i cili do të shoqërohet përgjatë vizitës nga i Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, pritet të takohet sot me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin, Albin Kurti.
Ai do ta takojë presidenten Osmani në orën 13:00, ndërsa një orë e gjysmë më vonë, do t’i shkojë në zyrë kryeministrit Kurti.
Po ashtu Chollet do të takojë edhe liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj.
Kujtojmë se kjo vizitë ishte menduar të bëhej vitin e kaluar, por Chollet e kishte shtyer për shkaqe shëndetësore.
Në njoftimin e DASH, thuhet se vizita e Chollet në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi, 11-13 janar, synon të nënvizojë përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.
Rruga Press