Lajme

Dënimi i Salih Mustafës/ Detajet nga akuzat, procesi dhe vendimi

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.

“Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë. Deri në finalizimin e përgatitjeve prej Administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në Rregulloren e procedurës dhe provave të këtij institucioni.

Çfarë ka thënë gjykata?

Kryegjykatësja Veldt-Foglia ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuara për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Për çka është dënuar Mustafa?

Mustafa është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën “gjashtë personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.

Kryegjykatësja Veldt-Foglia ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.

Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.

“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme, në mes të bajgave të bagëtive”.

“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.

“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.

Sipas kryegjykatëses, të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli dhe janë djegur.

“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.

Ajo, po ashtu, ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.

Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psikikisht.

“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qen, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.

Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Kryegjykatësja Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”.

Në një rast, Mustafa e ka konsideruar gjykatën si “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Si ka ecur procesi gjyqësor?

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.

Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Whiting, është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Prokuroria pati thënë se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës.

Proceset tjera gjyqësore të Gjykatës Speciale

Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.

Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka thënë muaj më parë se pret që gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, të nisë në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Deri më tani, Gjykata Speciale ka shpallur dy aktvendime.

Në to janë shpallur fajtorë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj për pengim të administrimit të drejtësisë, dhe janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL të UÇK-së në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

Si Gucati, ashtu edhe Haradinaj kanë apeluar vendimet e gjykatës.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.

Në atë raport janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë.

Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

Në dy vjetët e fundit, buxheti i Kosovës ka ndarë mbi 13 milionë euro për qytetarët e akuzuar në këtë gjykatë.

Shuma më e madhe e parave është shpenzuar për avokatët e tetë të akuzuarve./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *