(Video) Sveçla nga Ura e Ibrit: Kemi kapacitete për të ofruar siguri për zgjedhjet
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është parë tek Ura e Ibrit në Mitrovicë gjatë mesditës të së mërkurës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Kosova ka kapacitetet e duhura për të ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat janë planifikuar më 18 dhjetor.
Shkuarja e Sveçles në Mitrovicë ndodh një ditë pasi në veri të Kosovës pati shpërthime të njëpasnjëshme me granata dore dhe shok-bomba. Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Reagime për sulmet pati edhe kryeministri Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, teksa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi gjatë ditës së sotme, theksoi se nuk ka kushte të duhura për t’u mbajtur zgjedhjet.
Por Sveçla ka thënë se e respekton opinionin e ambasadorit Hovenierit, megjithatë situatën për mbajtjen e zgjedhjeve, sipas tij, e vlerësojnë institucionet e përkatëse, të cilat bëjnë vlerësimet e duhura.
“Situata është e qetë. Kam ardhur për t’i koordinuar punët. E respektojmë opinionin e ambasadorit amerikan, por janë institucionet përkatëse ato që vlerësojnë aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve dhe i bëjnë vlerësimet e duhura”, ka thënë Sveçla, duke paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media të mërkurën pasdite.
Rruga Press