Evropa është e dobët pa mbështetjen e SHBA-së
Kryeministrja finlandeze ka deklaruar se po të mos ishte ndihma e madhe amerikane, Evropa do të ishte e pafuqishme për ta kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës. Sanna Marin gjithashtu ka bërë thirrje për përforcim të mbrojtjes evropiane.
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka thënë se Evropa nuk është mjaftueshëm e fuqishme për ta kundërshtuar vetë pushtimin rus të Ukrainës dhe se është dashur të mbështetet në përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës në Australi, liderja e shtetit që po pret të anëtarësohet në NATO, ka thënë se mbrojtja e Evropës duhet të forcohet. Ajo ka thënë se Evropa do të ishte në telashe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani, SHBA-ja ka ofruar ndihmën më të madhe ushtarake për Ukrainën.
Që prej fillimit të luftës, SHBA-ja ka ofruar 18 miliardë dollarë ndihma ushtarake. Pas saj është BE-ja, e përcjell nga Mbretëria e Bashkuar. Mirëpo kontributet e tyre janë dukshëm më të vogla krahasuar me SHBA-në. Ndërkaq, tani kur depot ushtarake të shteteve evropiane po zbrazen për ta ndihmuar Ukrainën, kryeministrja finlandeze ka thënë se duhet shumë punë për ta forcuar mbrojtjen evropiane.
Sa ishte president i SHBA-së, republikani Donald Trump vazhdimisht ka kritikuar shtetet evropiane që nuk kanë shpenzuar mjaftueshëm në kapacitetet e tyre mbrojtëse.
Në vitin 2020, ishte vlerësuar se SHBA-ja ka shpenzuar vetëm 3.7 për qind të GDP-së së saj në mbrojtje, teksa mesatarja e shteteve evropiane të NATO-s ishte 1.77 për qind.
Gjatë vizitës së saj në Australi, kryeministrja Marin ka kritikuar përpjekjet e disa shteteve evropiane që të krijojnë marrëdhënie të ngushta me Rusinë në dekadat e fundit.
“Për një kohë të gjatë, Evropa po ndërtonte një strategji për Rusinë… të blejë energji nga Rusia dhe të lidhë marrëdhënie ekonomike dhe ne menduam se kjo do ta parandalonte luftën”, ka thënë Marin.
Mirëpo ajo ka shtuar se kjo mendësi doli të jetë krejtësisht e gabuar.
Vendet evropiane duhet t’i kishin dëgjuar shtetet si Polonia dhe ato të Baltikut, ka thënë Marin. Sipas saj, këto shtete kishin paralajmëruar se Rusia “nuk kujdeset për lidhjet e tyre ekonomike, nuk kujdeset për sanksionet, nuk u intereson asgjë nga këto” kur bëhet fjalë për pushtimin e Ukrainës.
Sanksione të gjera janë miratuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, ndër të tjera, me qëllim të kufizimit të burimeve që Rusia ka për ta vazhduar luftën.
Shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s janë zotuar gjithashtu t’i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes pas fillimit të luftës.
Në shkurt, Gjermania njoftoi shtesën prej 113 miliardë dollarësh për ushtrinë e saj dhe një angazhim kushtetues ndaj objektivit të shpenzimeve ushtarake të NATO-s prej 2% të GDP-së
Në qershor, Mbretëria e Bashkuar – nën kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson – kishte thënë se shpenzimet e saj të mbrojtjes do të arrinin 2.5% të GDP-së deri në fund të dekadës.
Të gjithë anëtarët e NATO-s duhet të angazhohen për 2% për ta “siguruar gatishmërinë ushtarake të aleancës”, ka deklaruar NATO-ja. Dhe kohët e fundit ka pasur thirrje për anëtarët e NATO-s për t’i rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 3% të PBB-së.
Finlanda, e cila është në kufi me Rusinë, ka aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n në muajin maj. Protokollet e pranimit janë nënshkruar në korrik, megjithëse ato ende nuk janë ratifikuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s.
Rruga Press