Përvjetorët e mëdhenj sportivë, nga Sefedin Biçaku 1938 te Luiza Gega 2022
Nga Besnik Dizdari
KAPITULLI I
“ZBULIMET” E DJESHME DHE ZBULIMET E SOTME
Në të vërtetë, ky nuk është krejt saktësisht një jubile apo përvjetor i plotë. Ai lidhet me vitin 1938, që i takon plot 84 vjetëve më parë. Por teksa me Luiza Gegën viti 2022 pati një kulminacion europian, po përfshij këtu edhe vitin 1938 dhe vetvetiu më bëhen 85 vjet. Aq më tepër që viti 2022 po i afrohet fundit…
Kjo është një histori e rrallë e sportit dhe e atletikës shqiptare. Por kjo është edhe një histori e përgjakur prej vrasjeve të pamëshirshme. E vetmja (unike) për krejt Europën. Përcaktoj kështu, sepse Shqipëria është i vetmi vend që ka vrarë apo pushkatuar dy atletë pjesëmarrës të një Kampionati Europian. Ata janë kampionë dhe rekordmenë ndër të parët në historinë e sportit dhe të atletikës shqiptare. Emrat e tyre janë Sefedin Biçaku dhe Abdyl Këllezi. Shokë të natyrshëm të një shoqërie sportive të rrallë, pionierë të përfaqësimit të Shqipërisë në Kampionatin e Europës, të parët në histori pra, të cilët arritën një renditje europiane. Biçaku madje deri finalist, i pari për Shqipërinë për një Kampionat të Europës.
Sigurisht këto nuk i zbuloj sot, sepse kam shkruar deri dhe libra. Por sot po kërkoj të përfshihem në zbulime e trajtesa të reja të një historie që drejt me e thënë, Shqipëria shtetërore apo qeveritare e ministrore, qoftë dhe ajo olimpike, nuk e nderoi thuajse kurrnjëherë.
Këtë histori për disa numra periodikë (se ndryshe nuk mund të bëhet për “libra” sportivë kësisoj) të “Panorama Sport”, pa u marrë me shkallën e modestisë, e konsideroj një nga më të rëndësishmit në gazetarinë time 60- vjeçare në faqet e shtypit shqiptar. Është një histori që përshkohet dhe mbërrin jo vetëm te protagonistë sportivë themelues, por edhe te drama, madje te tragjedia e këtyre protagonistëve.
Ky është një përvjetor tejet historik për sportin shqiptar. Çka do të thotë se ky është 85- vjetori (1938-2022) i pjesëmarrjes për herë të parë i Shqipërisë në një Kampionat Europian, pra, për të gjitha sportet, çka në këtë rast e themelon sporti i atletikës së lehtë. Ky është vetë nderi i “mbretëreshës” sonë.
DR. SAMIMI DHE PRANIMI I SHQIPËRISË NË IAAF
Më duhet të kthehem pak mbrapa e të shkoj te viti 1929. Është viti i Kampionatit të parë Kombëtar në Atletikën e Lehtë. Madje është Kampionati i parë Kombëtar i organizuar në Shqipëri për të gjitha sportet, asisoj edhe 1 vit para atij të futbollit (1930). Dhe radhazi Shqipëria zhvillon 6 Kampionate Kombëtare të Atletikës së Lehtë: 1929, 1930, 1931, 1932, 1933, 1934. Do të marrë pjesë madje, edhe në Kampionatet Ballkanike të viteve 1933, 1934, 1935 dhe po bëhej gati të shkonte edhe në Ballkaniadën e Beogradit, këtë të vitit 1938, që do ta përshkruajmë në kapitujt e tjerë. Por të guxojë Shqipëria atletike e vetëm kaq pak viteve, që të shkojë në Kampionatin Europian, kur ende këtë nuk guxuan ta bënin e pakta plot 10 shtete të tjera të Europës, kjo flet sa për një guxim “sportiv” të pazakontë, e po aq edhe për një pasion sportiv të rrallë të një shteti, në këtë rast Shqipëria Mbretëri e Zogut, dhe e një mase sportistësh të rinj, edhe pse të një përvoje fort të paktë.
Këtu do të ndalim te Dr.Vasfi Samimi, një futbollist veteran i Flamurtarit të Vlorës dhe Sport Klub Tiranës, mbi të gjitha, figurë poliedrike e blegtorisë, shkencës, gazetarisë dhe sportit, por dhe drejtues i rrallë i organizimeve sportive të Shqipërisë.
Më 1935-ën, disi papritmas, Dr.Samimit i vjen një letër nga presidenti i IAAF (International Association of Athletics Federation) – Federata Ndërkombëtare e Atletikës së Lehtë – Johannes Sigfrid Edström, i cili “me interes të madh kërkon me ditë se në ç’gjendje atletike asht vendi i jonë dhe se çfarë lëvizje ka për sa i përket organizimit të federacionit civil”, siç shkruan Doktori. Kaq mjafton për të kuptuar rolin e madh të protagonistit tonë në pranimin e Shqipërisë në IAAF, që mbas futbollit më 1932-shin përbën praninë më kuptimplote të afirmimit të sportit shqiptar në mjedisin e sportit botëror. Çka i bën nder të madh historisë së sportit shqiptar për sot e kësaj dite: Shqipëria anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë qysh më 1935-ën!
Ky pranim, zyrtarisht është vepër e Ministrisë së Arsimit dhe personalisht e ministrit, Dr. Mirash Ivanaj, fryt veprimtarie e ethshme diplomatike dhe atdhetare e vetë qeverisë dhe shtetit shqiptar.
Shqipëria u pranua anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë – IAAF në fund të marsit ose në fillim të prillit 1935. Pra, jo në janar apo në ditët e para të shkurtit 1935, siç njofton me entuziazëm gazeta “Vatra”. E themi këtë sepse në epistolarin e Doktorit gjejmë një letër tjetër, datuar më 26 mars 1935, që i ka dërguar atij përsëri Johannes Sigfrid Edström (1870-1964), sot e kësaj dite një nga figurat më të mëdha në historinë sportive të njerëzimit, presidenti mitik i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë për 34 vjet me radhë, nga 1912-shi deri më 1946-ën, vit kur Edström bëhet president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), detyrë që e mban deri më 1952-shin, kur ishte 82 vjeç. Presidenti Edström e njofton me gëzimin Doktorin tonë se votimi “do të jetë afirmues”, çka do të thotë, pranim i Shqipërisë në IAAF.
Shqipëria bëhet kështu shteti i 44-t anëtar i IAAF, e cila sot ka 214 shtete anëtare.
E kam trajtuar jo pak këtë anëtarësim te libri “Dr.Vasfi Samimi”, vepra 9.
BALLKANIADA E STAMBOLLIT 1935 ME SEFEDIN BIÇAKUN E SHOKË
Pesë muaj më vonë Shqipëria do të shkojë në Olimpiadën Ballkanike të Stambollit (Kampionati Ballkanik i Atletikës së Lehtë) tash si kandidate zyrtare për anëtare e IAAF-it, sepse siglimi dihej, vinte përmes një procedure të zakonshme në ecuri të IAAF-it. Mbretëria shqiptare do ta çojë skuadrën e saj atletike edhe në Stamboll duke caktuar ashtu si në Zagreb përsëri Dr. Samimin në krye të delegacionit.
Kampionati Ballkanik apo Olimpiada Ballkanike e Atletikës së Lehtë, siç quhej shpesh, e Stambollit 1935 është zhvilluar në tri ditët 21, 22 dhe 29 shtator 1935. Është konsideruar si një nga organizimet më të shkëlqyera prej 12 kampionateve ballkanike të paraluftës.
Dr. Samimi ka me vete atletët Luigj Shalën, Gaqo Gogon, Ragip Lohjën, Sabit Çokun, Sefedin Biçakun, Kol Trebickën, Ibrahim e Feti Dizdarin, Fori Stasen, Selman Stërmasin, Minella Anastasiadhin. Shqipëria guxon disi tepër, teksa ka një ekip me plot 11 atletë. Aq më tepër kur kujton se në këtë vit 1935, vendi ka probleme jo të vogla, deri diku edhe të financave e të politikës (kujto trazimet e të ashtuquajturës Kryengritja e Fierit), ndonëse prapëseprapë sporti ecën.
Në Kampionatin e Stambollit, Shqipëria renditet e pesta me vetëm 5 pikë, duke lënë mbrapa Bullgarinë me 3 pikë, edhe për shkak të një pjesëmarrjeje të reduktuar të bullgarëve. Stafetat janë ato që i japin pikë Shqipërisë. Ajo renditet e 5-ta në stafetën 800+400+200+100 metra dhe po e pesta në 4×400. Në relacionin rezervat që i dërgon Ministrisë së Arsimit, Dr.Samimi ngre lart garat e zhvilluara në stafetat, duke e përcaktuar përveç të tjerave si një prirje të shqiptarëve (e çuditshme kjo), të cilët në këto gara arrijnë të lënë mbrapa Turqinë dhe Bullgarinë.
Siç shihet, midis sportistëve shqiptarë është edhe protagonisti ynë Sefedin Biçaku. Por ja që sot e kësaj dite nuk ia kemi arritur të zbulojmë hollësi për garën dhe rezultatin e tij ashtu si dhe të atletëve të tjerë, përveç asaj të atyre të stafetës. Por në një skedim të Dr.Samimit pata gjetur shënime të rezultateve të atletëve të Kombëtares ku në trehapësh ka vetëm një emër: Sefedin Biçaku me 13.21 metra. Rekord kombëtar. Mos ishte ky rezultati i arritur prej tij në Stamboll?…
E rëndësishme është megjithatë, se 19- vjeçari Sefedin Biçaku është pjesëmarrës i Kombëtares së atletikës shqiptare. Ai është edhe futbollist, gjimnazist dhe emri i tij nuk na del as në kampionatin kombëtar të një viti më vonë (1936), mesa duket një mospjesëmarrje kjo, edhe për shkak të ligjit të sapodalë, që ndalonte shkollarët të merrnin pjesë në kampionate kombëtare, për shkak të synimit parësor të tyre që ishte shkollimi. Ndonëse, siç ka shkruar në librin e tij: “Ata që bënë historinë e futbollit në Elbasan”, Dhimitër Bardhi – drejtues i paharrueshëm i sporteve në këtë qytet – Sefedin Biçaku është i pari i dy vëllezërve të tij futbollistë të shquar, Sabaudin e Vasif Biçaku. E ka veshë qysh në moshën 16-vjeçare fanellën e futbollistit të skuadrës së Elbasanit në Kampionatin e Kategorisë së dytë, më 1933-shin.
Madje një herë, tash në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, atë të vitit 1934, ai është deri bashkëlojtar me Naim Kryeziun e madh para se ky të mbërrinte te Sport Klub Tirana. Dhe shkoj te një prej blloqeve të arkivit tim dhe saktësoj gjithçka. Është ndeshja e 22 prillit 1934, Bashkimi Elbasanas – Sport Klub Tirana 0-5. Sefedin Biçaku gjysmësulmues i majtë, Naim Kryeziu qendërsulmues.
Dhe teksa shoh formacionin e skuadrës së Elbasanit në bllokun e arkivit tim, çuditem se si ka mundësi që te libri “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” – vitet ‘30, nuk e kam vendosur skedën e kësaj ndeshjeje. E pafalshme! Po përfitoj nga rasti e po i dorëzohem thënies së famshme të Faik Konicës sonë të madh, kur ka shkruar:
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”
Siç e lexoni, për harresën time këtu për Sefedin Biçakun – futbollist, mua më takon fundi kritik i kësaj thënieje emblematike, pra “lajthitja e shtypit”. Pjesa tjetër i takon “ndokujt tjetër”…
Duke u kthyer te dy vëllezërit e tij, shtoj se Sabaudini ka një karrierë të pasur deri në Serinë B me Vogherese-n në Itali, madje në ndonjë ndeshje edhe së bashku me Vasifin. Ka ardhur në Shqipëri mbas 50 vjetëve, më 1994-ën dhe i kemi botuar një intervistë me autor gazetarin Petraq Shtrepi. E, Vasifi dihet: është ndër futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë, madje dhe trajner. Ai është kampion i Ballkanit me Shqipërinë më 1946-ën.
SHQIPËRIA NË KAMPIONATIN EUROPIAN TË PARISIT
Mbërrijmë te 85-vjetori (1938-2022) i pjesëmarrjes për herë të parë të Shqipërisë në një Kampionat Europian, për të gjitha sportet pra, çka në këtë rast është një pjesëmarrje që e themelon sporti i atletikës së lehtë.
Është 1938. Çka do të thotë se Shqipëria mbërrin Kampionatin Europian bukur nja 25 vjet para futbollit (1963). E ky përvjetor 2022 që u mbyll me suksesin e madh Europian të Luiza Gegës si kampionia e parë europiane e Shqipërisë në garat e hapura, më nxiti të shkoj te të gjitha pjesëmarrjet atletike të Shqipërisë në Kampionatin Europian. Merret me mend se janë pjesëmarrje modeste si vetë rezultatet e atletikës shqiptare. Por që përmbajnë pra dy kulme: Sefedin Biçakun 1938 dhe Luiza Gegën 2022. Brenda këtij harku kohor, ndonëse me ndërprerje, në mënyrë, si të thuash ritmike, por dhe aritmike, janë e pakta tre breza atletësh të tjerë, për fat të keq edhe të harruar, të panderuar madje, emrat e të cilëve besoj se do të zënë vend në kapitujt pasardhës të këtij “libri” këtu, në faqet e “Panorama Sport”. Çka ka të bëjë me vetë zhvillimin e atletikës shqiptare, aq sa ky zhvillim është realizuar. Në fund të fundit, ka qenë një zhvillim prej të cilit ka dalë edhe një kampione dhe rekordmene e botës, kampione e Europës dhe nënkampione olimpike si madhështorja Mirela Manjani, asisoj e Greqisë. E tash edhe një kampione e Europës si Luiza Gega.
Duke u kthyer te historia e 85 vjetëve më parë, në vetë fillimet e sportit shqiptar, them se nuk ka ngjarje më të bujshme sesa kjo e guximit të Shqipërisë për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Atletikës të vitit 1938, që ishte i dyti që zhvillohej mbas atij të parë, “Torino 1934”.
Kështu pra, u guxua, u shkua, u mor pjesë dhe u arrit një rezultat i paparë për atletikën modeste të Shqipërisë së vogël, e cila si asnjë shtet tjetër i Europës, ishte krejt në hapat e parë të një historie të vërtetë sportive.
Gjithçka bëhet e ditur prej një shkrimi paraprak në “Sporti Shqiptar” me autor rekordmenin tonë mitik për 20 vjet të kërcimit me shkop, i cili është profesori ynë i paharrueshëm, Ibrahim Dizdari. Për fat njeri i fisit tim dhe tejet i afërt me familjen time, sidomos me babain tim, Gani Dizdari- mësues ndër të parët e arsimit laik në Shkodër, drejtor i Plotores së Vlorës (1925-1928), e më tej, për shumë vite drejtor i shkollës më të famshme fillore apo unike të Shqipërisë që ka qenë shkolla e Parrucës, në mes të qytetit të Shkodrës, ngjitur me Gjimnazin. Një shkollë madje me sallë teatri e bandë muzikore, por dhe me një fushë sportive ngjitur aty, ku zotni Brahimi, siç e thërriste gjithë Shkodra, nuk ndahej pa dhënë mësimet e tij të para të fizkulturës për nxënësit e tij.
Kam një kujtim të paharrueshëm prej zotni Brahimit. Me dashamirësinë e tij dhe me dëshirën e madhe për t’i mëkuar rinisë dashurinë për sportet, ndërsa isha gjimnazist, ai më dha të përimtoj apo të lexoj një libër italisht për historinë e olimpiadave, duke u bërë padyshim njeriu i parë që do të më njihte me të gjitha rezultatet e olimpiadave të deri asokohe, e ku kampionët olimpikë të atletikës së lehtë zinin vendin kryesor. Fletorja nuk më është vjetruar fort. Kam kopjuar në të të gjithë kampionët olimpikë të atletikës së deri asokohe. Isha gjimnazisti i vetëm që krenohesha me këtë arkiv olimpik, duke marrë rolin e “të diturit” për këto punë e duke iu përgjigjur pyetjeve të shokëve. Jo vetëm prindërit tanë, intelektualë të Shkodrës, por sidomos mësuesit e edukimit fizik, të tillë si të paharrueshmit Esat Haxhi apo Luigj Bojani -basketbollist e trajner i shquar i pari dhe atlet i shtizës – kombëtaras i Shqipërisë i dyti – na përfshinin edhe për te dituritë enciklopedike edhe të sportit botëror. Sigurisht duke pasur në plan të parë mësimin e edukimit fizik, të fizkulturës, siç thuhej. Deri dhe formimin e sportistëve të shquar.
Nuk ka pendë që të përshkruajë sportistët e dalë prej gjimnazit të Shkodrës. Përfitoj këtu të përmend vetëm disa prej tyre nga brezi im: Mark Grimci, Rasim Kraja, Viktor Jubani, Petrit Osmani, Sulejman Gragjevi, Valter Kalaja, Selami Dani, Zyhdi Çoba, Sadik Efovija, Xhelal Haxhi, Ismet Zaja, Niko Peja, Ndok Pistulli, Lin Tarri, Ibrahim Shkreli, Franko Karafili. Sa për të përmendur vetëm pak emra të kujtesës së shpejtë. Meriton shkrimi i historisë së sportit të gjimnazit të Shkodrës që ka pasur pistën e vrapimit, pedanën e kërcimit së gjati e së larti, fushën e basketbollit, të volejbollit e të futbollit madje, pa harruar palestrën e gjimnastikës. Pa asnjë dyshim parësor në gjithë gjimnazet e Ballkanit.
Edhe në këtë rast gjej një lidhje me Sefedin Biçakun. Kësisoj, nuk mund të harroj se profesori ynë Luigj Bojani – kombëtaras i shtizës – ishte një bashkatlet me protagonistin tonë. Luigj Bojani e Sefedin Biçaku janë të dy në Kampionatin Ballkanik të Beogradit (1938). Nuk mjafton me kaq. Siç do ta shohim pak më poshtë, do të mësojmë se përgjegjës i ekipit të Shqipërisë që do të shkojë në Kampionatin e Parisit, do të ishte profesori ynë i matematikës, i paharrueshmi Muhamet Hoxha.
Ndërkaq, më duhet të them se ndihem shumë mirë që librin “Ballkaniada 1946” ua kam dedikuar me biografi zotni Brahimit dhe axhës sim, zotni Fet Dizdarit – dy figura të ndritura të atletikës e sportit shqiptar, të trajningut e pedagogjisë së edukimit fizik. Ishin si vëllezër dhe kështu i ka njohur e gjithë Shqipëria.
Shkrimi i sipërpërmendur i Ibrahim Dizdarit, që sot duhet konsideruar historik, mban titullin “Shqipnia në Kampionatin Athletik të Parisit”, shkruar në gegnishten letrare dhe botuar në gazetën “Sporti Shqiptar” më 1 shtator 1938. Po e botojmë këtu bashkangjitur, anastatikisht të plotë, sepse është historik, shkrim, si të thuash, nismëtar i kësaj premiere të bujshme parisiene shqiptare për kohën. Në mes të tjerave Ibrahim Dizdari shkruan:
“…Por, ky grup, má tepër, ka m’i ba dishmi botës së jashtme, se edhe tu na, sporti i ka shti rrajet e tij, dhe se jemi tue punue nëpërmjet të këtij, me lavrue pernjiheri trupin e shpirtin në nji mëndyrë që i ka hije racës shqiptare. Grupi përfaqsues i joni, duhet të gëzohet që po merr pjesë në lojnat e Parisit, që po njihet me grupet e athletve të shteteve të mëdha; por ma tepër, duhet të ndijë gëzim për paraqitjen e valvitjen e Flamurit kuq e zi, përpara mija e mija vetesh që do të ndollen n’ at stadion, në mes të cillve, sigurisht, kanë m’u gjetë edhe shqiptarë…”.
Ndjenja e atdhetarisë, kombëtarja, shpirti sportiv dhe mbi të gjitha dëshira e madhe për të përjetuar një Shqipëri, e cila mund të lartësohet edhe përmes sportit. Pa harruar gazetarinë çka duket qartë në stilin dhe lakonizmin, rrjedhshmërinë e mendimit. Është ky Ibrahim Dizdari, njeriu i cili një vit më parë (1937), po në këtë gazetë kishte botuar reportazhin e ndeshjes midis Vllaznisë dhe Dragojt të Pogradecit (5-0 për shkodranët), në një faqe të tërë të gazetës “Sporti Shqiptar”, ku portretizon dhe parashikon që 15-vjeçari Loro Boriçi do të bëhej ai që u bë. Dhe trajner i të cilit më 1945-ën, do të ishte me Vllazninë kampione pikërisht profesori ynë. Sigurisht, ndonëse vetë ishte atlet, në këtë rast, autori Ibrahim Dizdari nuk mund të parashikonte se në Kampionatin e parë Kombëtar të Atletikës së Lehtë, të Pasluftës, më 1945-ën, futbollisti Loro Boriçi do të shpallej kampion i Shqipërisë edhe në vrapimin e 400 metrave me pengesa!
Është vërtetë e rrallë se si ka ndodhur që “Sporti Shqiptar” ia ka lënë për detyrë ta shkruajë këtë editorial në prag të Kampionatit të Parisit, siç e meriton të quhet, një autori si sportisti Ibrahim Dizdari,i cili atë vit, 1938, nuk është as drejtues, as zyrtar, por një atlet kampion e rekordmen ende në pjesëmarrjet e tij në garat e kërcimit me shkop! Përveçse futbollist – portier i shquar i skuadrës shkodrane deri disa muaj më parë.
NË PARIS 1938: SEFEDIN BIÇAKU, ABDYL KËLLEZI, RAGIP LOHJA, SABIT ÇOKU…
Pak ditë para botimit të shkrimit të Ibrahim Dizdarit, shtypi shqiptar kishte njoftuar, pra, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kampionatin Europian të Atletikës së lehtë. Është një lajm me titullin “Shqipëria merr pjesë në kampjonatin e II europjant’athletikës së lehtë, që do të do të zhvillohet në Paris me 3, 4, 5 shtatuer”.
Siç titullon në këtë ortografi pak të çuditshme gazeta “Sporti Shqiptar”.
Nëpërmjet këtij lajmi mësojmë se Shqipëria do të merrte pjesë me këta atletë:
Sabit Çoku në 100 metra e kërcim së gjati, Abdyl Këllezi në vrapimet 200 e 400 metra, Ragip Loghja në 800 metra dhe Sefedin Biçaku në kërcimin trehapësh.
Dhe se ekipi drejtohet nga “z. Ing. Muhamet Hoxha, drejtor i Institutit teknik”, siç njoftohet.
Është njeriu që u përmend më lart. E pra, edhe në këtë rast për autorin e këtushëm, kujtimet nisin e bëjnë punën e tyre. Kështu, ngaqë profesor Muhamet Hoxha do të ishte pra, mësues ynë i matematikës në periudhën 1956-1960 në gjimnazin e Shkodrës. Një mësues i paharrueshëm, sa për aftësitë e tij shkencore e pedagogjike, po aq edhe në nobilitetin e qytetarit fisnik të Gjirokastrës. Fort i shquar në sportin e skermës, kur ishte student në Francë. Ndërkohë që vëllai i tij është Fiqret Hoxha -futbollisti i mirënjohur i viteve ‘30 me Apoloninë e Fierit, por dhe me Sport Klub Tiranën në Kampionatet e Luftës. Të dy së bashku do të pësonin burgimin politik të regjimit komunist. Natyrisht profesor Muhamet Hoxha nuk mund bëzante në ato vite ‘50 dhe nuk na thoshte asnjë fjalë se kishte qenë shqiptari i parë që kishte kryesuar një Kombëtare të Shqipërisë në pjesëmarrjen e saj të parë historike në një Kampionat Europian…
Kësodore, merret me mend që historinë e kohës së Mbretërisë, madje edhe atë sportive, e mbulonte heshtja që doemos nuk ishte aspak olimpike. Sot sigurisht që jo. Ndonëse nderimi ndaj asaj historie, për fat, mungon tejet edhe sot në Shqipërinë Demokratike!…
Këtu mbyllet Kapitulli i I i historisë së kësaj pjesëmarrjeje. Teksa në vitet që vijnë do të dëgjoheshin edhe plumbat vrasës ndaj protagonistëve të saj…
Në Kapitullin II do të mbërrijmë te gara e shkëlqyer e kampionit dhe rekordmenit tonë Sejfedin Biçaku, siç i shkruhej asokohe emri shpesh me një “j” në mes…
Do të vazhdojmë me “zbulime” të reja për Biçakun e madh dhe shumë atletë që do të vinin pas tij…/Publikuar në Panorama Sport, në datën 15.11.2022
Rruga Press