Opinion/Aktualitet

Pse zyrtarët tanë publikë me aq lehtësi nuk e kryejnë detyrë dhe pa frikë abuzojnë me përgjegjësinë e dhënë nga populli?

Nga Donik Sallova

– Shteti modern është rezultat i Revolucionit Kombëtar, i cili i dha fund sundimit të palegjitimuar e të padrejtë të perandorëve, mbretërve e despotëve, duke ia bartur popullit atributin e sovranit – pushtetit më të lartë. Gjaku i derdhur për parimet e Revolucionit paraqet vijën e kuqe që asnjë pushtet i shtetit modern nuk mund ta kalojë! Parimet si liria, barazia, vëllazëria, drejtësia janë themeli i sistemeve moderne politike. Revolucioni është emancipimi i politikës që e shndërroi shtetin në shërbëtor të interesave të popullit.

– Në këtë kuptim, veprimtaria e politikës, si veprimtari e ushtrimit të pushtetit shtetëror, e qeverisjes dhe administrimit me punët e shërbimet publike duhet të udhëhiqet duke pasur parasysh gjithnjë faktin se “i shërben interesave të popullit”. Politikani, zyrtari publik, ministri, deputeti, gjyqtari, prokurori, mjeku, mësuesi, ushtari, polici, punëtori social a cilido qoftë ai që e ka pranuar detyrën e ushtrimit të një segmenti të pushtetit shtetëror, si qeverisje e si shërbim, duhet ta ketë në vetëdije të plotë, si emancipim dhe sanksionim, se qëllimi dhe detyra është shërbimi ndaj INTERESIT I POPULLIT. Në këto profesione PUBLIKJA prevalon mbi PRIVATEN.

Lexo më shumë  A është çmendur Ilir Meta?

– Në një vend ku qeveritari s’e ka problem të korruptohet, ku gjykatësi e prokurori s’e ka problem padrejtësinë, ku mësusi s’e ka problem paditurinë, ku mjeku s’e ka problem shpërfilljen e humanitetit, ku polici s’e ka problem të fortin që shkel ligjin etj., atëherë në atë shoqëri qytetari nuk e ka problem shtypjen, padrejtësinë e pabarazinë. Kjo do të thotë që në atë shoqëri shteti nuk është themeluar nga Revolucioni, si emancipim politik dhe si refleksion – Catharsis-i

– Lufta e viteve 1998-99 dhe çlirimi nga Serbia nuk e prodhoi edhe emancipimin politik në procesin e shtet-ndërtimit. Shteti dhe institucionet e tij nuk u ndërtuan si materializim i sakrificës dhe gjakut të derdhur për liri, barazi e drejtësi. Gjaku i derdhur për çlirim, liri, pavarësi e shtet nuk u respektua prej pushteteve të pasluftës si vija e kuqe e interesit publik.

Lexo më shumë  A është çmendur Ilir Meta?

– Për 20 vite, që nga 1999-a, pandëshkueshmëria ndaj abuzimit me pushtetin politik, nepotizmi e politizimi i administratës publike dhe rrënimi i meritokracisë në shoqëri, e ka distancuar shtetin nga ideali për të cilin ishte derdhur gjaku. Prandaj, në këto rrethana, përveç reformave radikale dhe spastrimeve të pakompromis, ashpërsisë së ligjeve dhe rreptësisë së dënimeve, në mbrojtje të lirisë, barazisë e drejtësisë, si shoqëri kemi nevojë për refleksion etik e politik, mbi atë se pse jemi në këtë gjendje, kush na solli dhe a i kemi ndëshkuar politikisht e ligjërisht përgjegjësit!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *