EditorialKryesore

Ndërkombëtarët që nuk meritojmë

Nga Erald Korra

Kur regjimi zyrtar komunist ishte i kondicionuar ideologjikisht nga fryma e Internacionalizmit, dëshira e popullsisë përkundrazi lidhte imagjinaten me antoniminë e prejardhjes made in “jashtështeti”. Kjo ishte e vetmja formulë ëndërruese me të cilën lidhej dëshirorja ‘përhapur’ që shkonte nga xhinsat e shokut që i kishte sjellë nga Italia tezja, deri tek fodullëku i telenovelave Beatiful ose Dallas që shihte me admirim.

Ky sinkretizëm i dukshëm, menjëherë mbrapa regjimit u thelbësua në një kontekst të ri politik për ne të “ndërkombëtarizuar”.

“Internacionalizmi” i kompromentuar ideologjikisht nga e shkuara proletare, për klasën politike të ricikluar konsiderohej si fjalë tabù. I nevojitej një emërtim i ri, trashëgues i efektit kumbues të vjetër, dhe mundësisht sinonim përcjellës bollëku. Regjimi i ri, risk i ri.

Atëherë burokratët tanë menduan mirë të “ndërkombëtarizonin” “internacionalizmin” demodè.

Paralelisht me narcizizmin politik, ende në hapat e para, politikanët tanë u zhdërvjelluan kush më shpejt e kush më vonë pak si autodidakt, e pak me intuitë me çfarë vinte nga jashtë. Patën mundësinë të parët të preknin me dorë atë çka kishim ëndërruar pak më parë të gjithë. Kuptuan shpejt që edhe ne jemi “ndërkombëtar” për dikë tjetër. Kështu, vetvetiu, të privuar nga çdo ndjenjë dhe vlerë kombëtare, më të “shkathtët” paçka të stonuar me veshjet gri dhe pa shije ndaj homologve të huaj, nuk iu desh shumë të tregtonin interesin Kombëtar për atë personal.

Beftasi e hyjnëzuan kaq shumë “ndërkombëtarizimin” sa e deformuan , zgjeruan dhe lartësuan atë jashtë kontesktit. Konteksti u keqinterpretua dhe u shit si koncept alternativ për të shmangur detyrimet e pushtetit qeverisës ndaj publikes dhe interesit të përbashkët. Qenësia kombëtare në lëngatë, u shmang, u tret, nga politikanët tanë deri sa mori më në fund trajtat e paradoksit.

U “ndërkombëtarizuam” pa KOMB.

Qeveritarët tanë kuptuan që “Ndërkombëtarizmi” porsi “Iternacionalizmi” nuk egziston. Egziztojnë vetëm “Ndërkombëtarët”. Kuptuan shpejt madje, që ata nuk të bëjnë të pasur, por të asistojnë në pushtet, për t’u ripërtëritur përsëri në pushtet. Një herë aty, pastaj i pasur bëhesh vetë.

Kështu, politika vendase më shumë vidhte, më shumë gërryente besimin e votuesve, më shumë kishte nevojë të shfrytëzonte si kolateral “ndërkombëtarët” për të kërkuar akoma besim borxh nëpër fushata elektorale.

Të çorientuar si popullsi dhe gjithmonë e më pak e vetëdijshme si shoqëri, shqiptarët vazhduan të përdornin siç nën regjim gabimisht “ndërkombëtarët” si kalibër matës dhe sinonim efikasiteti. Sa më shumë kualiteti i demokracisë tek ne degradonte, aq më shumë varësi burokratët tanë i detyroheshin atyre “ndërkombëtarë” (të huaj).

Të ndërgjegjshëm për pafuqinë tonë, burokratët e huaj e patën të thjeshë t’a istitucionalizonin konceptin në kompleks.

“Ndërkombëtarët” filluan t’na këshillonin, ndonjë herë tjetër t’na shpërfillnin, më vonë bënin sikur nuk na njihnin, madje edhe na përkëdhelnin, na kërcënonin me zë të ulët, më vonë me zë të lartë, akoma më të lartë, por fill më pas duke na shkelur prap syrin. Përtej diplomacisë dhe fjalëve rrethanore shumica e popullit nuk kuptonte mirë a duhej të shqetësoheshim apo të shpresonim, t’i besonim apo t’i mallkonim.

Padyshim proverbi i parë shqiptar, që stafetat e burokratëvë të huaj, i mësonin atyre që do t’i zëvëndësonin, me ironi mbas shpatullave tona me siguri ka qenë dhe mbetet, “Si VENDI bëhet KUVENDI”.

VENDI ynë i gjorë që ka përjetuar vetëm një lloj horri burokrat hajdut dhe harbut, injoron varietetet dhe speciet e sofistikuara shumëngjyrëshe perëndimore me manierizëm dhe edukatë të rufianerisë zyrtare. Populli me naivitet mendonte se të huajt, por jo dhe aq tashmë në Shqipëri, ambientohen shpejt nga tradita jonë “mikpritëse”, por në realitet shkaku ishte komplet tjetër.

KUVENDI ynë elitar i politikës ishte gjithmonë e më i ngjashëm me ta. Aq sa burokratët e huaj të porsaardhur e vështirë t’i dallosh nga të tanët. Veshja si njëherë, nuk mjafton më.

Nuk mund të pretendojmë më shumë. Në një shoqëri të dergjur në mërgim, pa antikorpat e pjesës më të mirë, shumica “ndërkombëtarizon” siç mundet. Standartizon përfytyrimin tek të tjerët si do na pëlqente të ishin, ose të paktën si i kemi parë nëpër filma.

Jo të gjithë ama…

Politikanët tanë prap treguan që ishin disa hapa përpara shumicës.

Gjithë këto vite bashkëjetesë njohën më mirë burokratët e “ardhur”. Inferioritetin e dikurshëm, në veshje, sjellje, udhëtime, prona, pasuri e mundën me “zotësi” përtej reciprocitetit. Duket me të vërtetë sikur ia pinë lëngun njëri-tjetrit. Të tjerët iknin e vinin. Të tanët ngeleshin po të njëjtët.

Të njëjtët por më të kuruar, të rrumbullakosur, më moskokçarës, më mospërfillës dhe harbutër se përpara. Dhe mbi të gjitha më me vetëbesim.

Aq sa realitetin e përkulin gjithmonë dhe e përshtasin derisa kaplojnë në dialogun e absurdes…

-Evropa na vë kushte plotësuese për anëtarsim?

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

-E ne integrohemi me mikun e armikut rus që lufton Evropa me “Open Ballkan”.

-Rradhitemi akoma më poshtë në pozicionimin e kapjes së Mediave?

-E vërtetë, por nuk është se jemi larg mesatares rajonale.

-Po për emigracionin dhe shpopullimin e vendit është për t’u shqetësuar?

-Emigracion ka edhe në Kroaci, madje edhe në Itali!

-Po për opozitën që nuk njeh zgjedhjet?

-A i njohu ambasadorja amerikane?

-Atëherë qenke Autokrat…

-Pse Orban çfarë është?

Meqë çfarë nuk të shkatërron, të përforcon, sëfundi ishte radha e udhëheqësve tanë që në rrjedhën e gjëravë të ndërgjegjësoheshin. Kompleksitetin e dikurshëm t’a përjetonin anasjelltas.

Dhe ja, sa më shumë kalonte koha, ndërkombëtarët e sapoardhur i ngjajnë më shumë politikanëve tanë të dorës së dytë, se sa paraardhësve të tyre.

Plejada e burokratëve të njëhershëm ishin diplomat race, zyrtarë me eksperiencë, ndërsa këta tani ngatarrojnë Maqedoninë e Veriut me Malin e Zi. Dikur rrezatonin fisnikëri, ose të paktën kështu na dukeshin, sespse përtej agjendave dhe protokolleve, privatisht, vuanin sedrën e papërshtatshmërisë. Kurse këta të tanishmit kanë prirjen e mondanitetit, mezi presin t’i thërrasësh nëpër evenimente koti, rezorte bregdetare ose jahte; duket me të vërtetë sikur dalin me rroba banje me vete. Përveç se të papërshtashëm janë edhe panevojshmërisht servilë si ministreshat, drejtoreshkat ose pastrueset e preferuara të Kryeministrit tonë. Vdesin për një selfie-trofe nëpër duar me çelësin e Tiranës. Nëse pararendsit e tyre ishin me kredenciale, dinin çfarë flisnin dhe kishe ç’mësoje, tani janë politikanë të rakomanduar, të dorës së dytë. Janë ricikluar në Europarlament për mos t’i lënë duarbosh, si përfaqësues special, gjoja diplomat, falë radhitjes në listat e partisë e zgjedhjeve nacionale prejardhëse që nuk kanë fituar.

Ndërsa akoma tek ne ka akoma ndonjë që beson tek Plaku i Vitit të Ri dhe tek diplomatët e huaj si vëzhgues të paanshëm, sundimtarët tanë përditë i rezervojnë bashkëatdhetarëve nga një padrejtësi më shumë.

Ndërsa ne mendojmë se “ndërkombëtarët” skandalizohen kur njohin realitetin tonë, ata me vete kushedi ç’mendojnë…

Ah sikur të kisha një Kryetar partie si ky në Shqipëri… jo si ai burokrati i partisë time atje, fanatik i meritokracisë dhe llogjikës së demokracisë përfaqësuese edhe brënda Partisë, që eshtë katandisur në 2.35% , 0.003% më pak se java që shkoi tek sondazhi i fundit. E sigurt që nuk do përfundoja në Bruksel. Kurse këtu në Shqipëri fusin edhe ish-tutorët, e jo mua që edhe gjyshin e kam pasur deputet… Ah dreqi e mori! duhet me fillu me mësu edhe anglisht tani! Megjithatë, nuk rash keq. Imagjino të përfundoja në Moldavi, afër luftës. Hëm, atje s’ka as det.

Kurse këtu në Shqipëri? Ah sa mirë me qenë NDËRKOMBËTAR!

Ore popull, do ta shohësh që mbase këta farë “ndërkombëtarësh” i shohin homologët tanë sot si të “jashtëm”?

A thua nënkupton këtë ky i joni kur thotë “italianët janë shqiptarë të veshur me Versaçe?”

Duhet të kemi parasysh që këta janë pjesa e zgjedhur dhe përfaqësuese e ndërkombëtarve, që shohim të patinuar me raste. Eveniencë që na e bën akoma më të vështirë të ftjellohemi si shumicë.

Fatmirësisht jo çdo e keqe vjen për keq.

Era e urinës e stërnipëve huligan të piratëve hollandez tek Pedonalja, na tregoi turmat votuese të “ndërkombëtarëve” që nuk meritojmë, por që politikanët tanë kaq shumë duan.

Biles, këta vetëm urinuan…

Të tjerët me xhaketë dhe kollare kanë bërë edhe më shumë, kanë defekuar. Dhe çfarë defekimi! Me majë biles. Dhe për karshirllëk mu në mes të Tiranës, në shesh, para simbolit tonë kombëtar. Nga të paktët që kanë ngelur aty përreth. Të vetmit. Skënderbeut.

Prishën një nga sheshet më të bukura evropiane me një raport proporcional gjerësi-lartësi që do kishte zili Alberti dhe Vitruvi, për të jashtëqitur një parking abuziv disa katësh ku mbulesa do zëvëndësonte sheshin e dikurshëm. Majën e parkingut, dyshemesë-shesh, 4 ekspertë-prostituta me prirje arkitekturore të pikasur nga një konkurs ndërkombëtar enigmatik, patën idenë gjeniale t’a quanin: dëgjoni, dëgjoni, Pika Xero. Kulmi! Është sikur një ekspert onkolog me famë botërore t’na bindte që kanceri luftohet me gargarizëm shurupi. Dhe ne e gëlltitëm. Me shëndet! Ja, kaq ishte… Pastaj na e bënë edhe më të madh, petashuq dhe të rrumbullaktë me pyllin Orbital të Boerit.

Hajde mos mobilizoheshim për mbrojtjen e simbolit tjetër, ne që na digjte akoma patronimi Kombëtar tek Teatri.

Për çdo vjellje, abuzim, zaptim, grabitje të pronës publike, huliganët-politikanë tanë na e përçapin gjithmonë një xholi ndërkombëtar njëpërdorimsh.

Natyrisht do t’i kishim idetë akoma më të qarta çfarë përfytyrimi kanë ndërkombëtarët për ne si komb, sikur të merrnim si krahasim antitetik atë që kanë ndaj udhëhqësve tanë.

Do shihnim tek llamarinat që rrethojnë plagën e krimit kombëtar ku u prish Teatri, në rresht, në vend të huliganëve, t’na shurronin Soreca, dhe gjithë ambasadorët me në krye zonjën ambasadoreshë Juri Kim. Por e shoh të pamundur. Jo nga turpi, sepse për atë… Por për çështje oportuniteti. Nuk do na jepnin kurrë sadisfaksionin të thonim “e shihni: e bënë të trashën një herë dhe tani duan ta shpëlajnë me të hollën”! Çfarë turpi!

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ja këta janë Ndërkombëtarët që me bestytni i shenjtërojmë akoma, por në realitet kundërmojnë bashkëfajësi me të tanët.

Kur i mbështyn i parfumos!

Kanë një prirje spiropalizimi dhe velianizimi që nuk i shpëton instinktit predhator të elitës tonë “politikante”. Të joshin për t’u bërë Diktator. Më shumë i keqtrajton, më shumë të duan. Prandaj edhe ata nuk i shpëtojnë dot përbuzjes të Artistit-Autokrat. Me pak angazhim dhe batutë mbi batute me efekt, faktorizon më tepër sovranitet tek shqiptarët, sa herë i përul në çdo konferencë për shtyp. E ka të pamundur të mos lozi me qarin.

Kompleksiteti i bashkë-konferecierëve të huaj është aq zbavitës për të, sa është gati t’i kërkojnë falje për disa shtete “armiqësore, që për konsum elektoral të brëndshëm nuk i japin aprovimin Shqipërisë për në BE”. Kjo farë “Ndërkombëtarësh” e kanë standartizuar turpin shkencërisht me radhitje programesh, reformash, ligjesh, nuk mund të presësh më shumë. Largëqoftë në gjithë këto vite si nuk doli një që t’ia plasi në fytyrë Artistit, duke e parë në sy, jashtë dhëmbëvë, si do t’i drejtoheshin një kllouni, dhe t’i thoshte “jepi ujë, drita, trotuare, rrugë, shqiptarve sepse ne po kolonizojmë Marsin për pak, pastaj hajde t’na japësh mësime internacionalizmi me Open Ballkan“.

Edi, e di shumë mirë që slloganet sado bosh të tingëllojnë si “Reforma në Drejtësi”, Veting, “Kooperim ndërkombëtar”, janë “letra me vlerë” të përkryera nënshtrimi ndaj popullit vet. Ose të paktën duhen për t’ia hedhur edhe një mandat tjetër.

E ka kuptuar mjaft mirë që këta farë Ndërkombëtarësh (duke parafrazuar Nanon që i thoshte Berishës në 1996), janë kapitali i tij më i çmueshëm. I konsideron hambar politik të panegociueshëm. Pak si administratën që ka punësuar, veteranët-Enverist, tepelenasit, ose akoma më keq sufllaqexhinjtë patronazhistë “rilindas”.

Ndihet kaq mirë me “ndërkombëtarët” sa i sheh edhe aty ku s’janë. KOSOVA, pjesë përbërëse e Kombit, e protokollon në simbiozë me natyrën e tij të pabesë, nuk e ka mision, por plaçkë të madhe që t’a shkëmbejë në Tregun e përbashkët “ndërkombëtar”. Porsi gjithë vlerat dhe pasuritë KOMBËTARE. Nuk e bën vetëm instiktivisht, por me paramendim dhe kalkulim. Është drejtpërpjestimor me secilin përfaqësues të huaj. Nëse me ato sllav dhe turk është vëllazëror, me atë grek është i përzemërt, me ato evropian ose më keq italianë është relativisht i sertë, me ato të Kosovës i trajton si problematik.

Diçka më komplekse janë relatat me amerikanët. Edhe këtu praktikohet llogjika drejtëpjesimore. Por variabla aplikohet me rëndësinë dhe afërsinë që sponsori yt matanë Atlantikut ka me Diellin e atjeshëm.

Teoremën e Kryeministrit e konstatoi më në fund edhe diplomatja amerikane në detyrë me emër komunist. Në një konferencë të përbashkët në fakultetin e bujqësisë Rama përpara publikut e krahasoi atë me funksionarët e të shkuarës e regjimit “atëhere kur hanim bar”. I dha edhe asaj, për aq kohë sa i ka mbetur si diplomate këtu, mundësinë të kuptonte që ai kur tallet me batuta është tmerrësisht serioz. Dukuri që adresuesja duhet t’a interpretonte pa mëdyshje. Ajo duhet ta kontemplojë pa hyrë shumë në detaje punën dhe përkushtimin e investuar ndaj tij në vendin që përfaqëson. Sepse ai ka ndër mend të jetë ku është, gjatë akoma… Edhe kur ajo mos t’na nderojë më me prezencën e saj. Dhe nëse ambasadoresha ka paqartësi për çka nënkuptonte kur e krahasonte me sekretarët e partisë nëpër fshatra, le të pyesi sipër tek eprorët e saj po deshi. Po nuk e kuptoi edhe pastaj, do të thotë që në kohë të Enverit ajo do ishte thjesht një “prashitëse” bari.

Publiku prezent qesh, Rama kënaqet, ambasadorja përtypet siku mbllaçit bar dhe buzqesh e sforcuar.

A thua edhe ajo e kuptoi standartin e Ramës?

Ai me sovranin do vazhdojë të talli të pasmen, derisa me “ndërkombëtarët” do t’i përdori për t’a fshirë atë.

P.S.

Një ndjenjë e largët më përshkon trupin, një eko e mbytur që ndër shekuj dhe vite akoma thërret drejtësi, shfaqet dhe ulëret…

A ishin ndërkombëtarët që na ndanë në pesë shtete? Qenë ndërkombëtarë ata që na shkëmbyen me lindjen mbas Luftës së Dytë Botërore? A janë ndërkombëtarët që harruan gjenocidin shqiptar në Kosovë? Gabohem apo në fillim ishte organizatë terroriste UÇK-ja?

UÇK, sa ma ngroh zemrën kjo fjalë… çfarë krenarie kur e kujtoj…

Oh sa mirë me qenë PATRIOT!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *