Lajme

Mjekët në prokurori, nxjerrin mashtrimin e Ardi Veliut për Lear Kurtin

6 mjekët e turnit të natës së 19 Tetorit në Spitalin e Traumës i thanë prokurorëve se policët e sollën Lear Kurtin të pajetë në spital. Mjekët thanë se u përpoqn ta rikthejnë në jetë 32-vjeçarin, por nuk ia arritën, pasi ishte tepër vonë.

Të njëjtën gjë, bluzat e bardha e kishin shënuar edhe në kartelat mjekësore të spitalit, por kjo u shndërrua në çështje, pas deklaratave të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, një strukturë që drejtohet nga Ardi Veliu.

Fill pas ngjarjes, AMP nxorri në media një version të kundërt të ngjarjes, sipas të cilit Lear Kurti ndërroi jetë në spital dhe jo në komisariat.

“Për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë” u tha në njoftimin e parë të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Në njoftimin e dytë, policia e modifikoi qëndrimin duke thënë se “shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës”.

Vendi se ku ndërroi jetë Lear Kurti u përcoll si një ndër pikat e errëta të historisë së ndalimit dhe keqtrajtimit të 32-vjeçarit nga policia.

Sipas dëshmisë së shokut të Lear Kurtit, ai ndërroi jetë në ambjentet e komisariatit. Kjo është arsyeja se përse hyrja e tij nuk u shënua në regjistra apo se përse policët nuk pritën ambulancën, pasi e kishin telefonuar atë.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Në vend të ndihmonte në gjetjen e të vërtetës dhe të nxirrte përgjegjësinë e policisë, duket se Agjensia e Mbikqyrjes Policore u përdor për manipulimin e historisë.

Karriera e Ardi Veliut mes manipulimit të ngjarjeve

Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu ka ndërtuar një karrierë mes manipulimesh të ngjarjeve si drejtues i policisë.

Në rastin e Klodian Rashës, kur Veliu ishte në krye të Policisë së Shtetit u raportua gjetja e një pistolete pranë trupit të viktimës. Qëllimi qe ngritja e një skenari sikur Rasha ishte i armatosur, një fakt i pavërtetë.

Në rastin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ishte Ardi Veliu që mohoi të kishte pasur mjete të fushatës zgjedhore në vendin e ngjarjes, ndërkohë që më vonë prokuroria tha se kishte gjetur postera, regjistra të patronazhistëve, karta identiteti të zgjedhësve etj.

Një tjetër rast që dëshmoi se si Veliu shfaqet në krah të policëve që dhunojnë në mënyrë të padrejtë qytetarët ishte ai i një të riu që u rrah se kishte dalë nga shtëpia gjatë ditëve të pandemisë. Në vend të dënonte aktin e policëve, Veliu nxorri një video të nënës së djalit të dhunuar, që luante me një pistoletë lodër, duke thënë se ai vinte nga një familje me probleme.

Hetimet për Lear Kurtin

Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit në zonën e “Don Boskos”. Sipas policisë ai u ndalua “sepse po qëndronte përpara një biznesi” dhe u shoqërua në komisariat me furgon. Pak orë më vonë ai ndërroi jetë. Sipas vetë policëve Lear Kurti ka shfaqur gjendje të fikëti dhe vështirësi në frymëmarrje.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Por në vend se t’i ofronin ndihmën e parë policët e kanë “shkundur” fizikisht Lear Kurtin me shpresën që ai të përmendej plotësisht. Pasi ai është përmendur, policët janë nisur ta çojnë në qelitë e komisariatit Nr.3.

Teksa ka shkuar në ambientet e policisë, Leart Kurti nuk ka dashur të zbriste nga makina duke kapur me forcë sediljet e mjetit. Gjëndja e Kurtit, thonë policët është përkeqësuar duke humbur ndjenjat dhe i ka ikur gjuha brenda. Policët kanë bërë përpjekje për nxjerrjen e gjuhës dhe gjatë këtij procesi kanë çarë me duar bluzën e Leart Kurtit. Kurti është lënë disa minuta në dhomën e shoqërimit por më pas gjendja e tij shëndetësore u përshkallëzua ndjeshëm.

Polica ka njoftuar ambulancën, por për shkak se urgjenca po vonohej Lear Kurti është transportuar me makinë policie drejt spitalit ushtarak.

Prokuroria i akuzon policët për “Mosdhënia e ndihmës mjekësore” dhe “Kryerje të veprimeve arbitrare”.

Ekspertiza u krye në mënyrë urgjente dhe pa prezencën e asnjë prej familjarëve. Në përfundim u tha se në stomakun e të riut u gjet një qese e vogël me lëndë narkotike.

Nga rezultatet paraprake të autopsisë rezultoi se substanca e gjetur në stomakun e të riut ishte lëndë narkotike e llojit kokainë. Megjithatë familjarët e tij nuk e kanë pranuar se Kurti ishte konsumator i kokainës. /Lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *