Lajme

“Ndalimi i punësimit në sektorin publik dhe përfitimit të patent-shoferit”, ashpërsohen masat ndëshkuese për dhunuesit në Kosovë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 100-të ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që ashpërson dënimet kundër personave që shpallen fajtorë për veprat penale “Dhunim”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje”. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media pas mbledhjes, tha se rishikimi i masave ndëshkuese për kryesit e këtyre veprave është marrë për shkak të rritjes së rasteve të dhunës në familje e sulmeve seksuale.

Ajo tregoi se cilat janë ndryshimet kryesore në këtë projektligj.

“Ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi nga 3-10 vjet. Ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga 3-10 vjet”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

“Ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga 3-10 vjet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit dhe dhunës në familje. Ndalimin e punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit. Ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një 1-5 vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit”.

Po ashtu, ministrja bëri të ditur se është paraparë që në rastet kur kemi të bëjmë më veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen.

“Është paraparë edhe një vepër e re sipas të cilës do të ndëshkohet penalisht kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte, ndaj grave që ushtrojnë funksione publike ose kandidate për ushtrimin e funksioneve publike dënohet me gjobë dhe me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet, ndërsa nëse vepra penale kryhet në formë të organizuar cilësohet si rrethanë rënduese”.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Mes tjerash, shtoi se është paraparë si vepër e re penale testimi i virgjërisë. Sipas saj, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut.

“Vlen të theksohet se përmes këtij ndryshimi synimi kryesor është krijimi i infrastrukturës ligjore që përcakton bazë të qartë normative për ndëshkimin e veprave penale kundër grave në jetën publike”, përfundoi Haxhiu.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *