Kurti pas takimit me kryesindikalistët: Ka përfunduar koha kur kryeministri të bëhet si vëlla
Pas përfundimit të takimit të qeverisë me përfaqësuesit e këshillit grevist, kryeministri Kurti në një deklarim për media tha se i kanë pasur 3 propozime, për të cilat sipas tij, janë dakorduar që kryesindikalistët do t’i bisedonin me anëtarësinë.
Por sipas tij, menjëherë pas takimit, kryesindikalistët njoftuar se do ta vazhdojnë grevën.
“Neve na u tha në takim se do ta pyesim anëtarësinë. Ndërsa sapo dolën jashtë thanë për media se greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë?!” – tha Kurti në konferencë për media.
Kurti para mediave ka treguar edhe 3 propozimet që janë dhënë gjatë takimit.
“Oferta shtesë ishte kjo; Do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Ligjin mbi pagat. Ne atyre ua dhamë lajmin të parëve, se këtë javë do të fillojë diskutimi publik sepse diskutimet preliminare po përfundojnë. Dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK do të bëjmë reformë në sistemin pensional, në mënyrë që të bëjmë diferencimin e kategorive të ndryshme, duke e hequr pragun famkeq prej 15 vjet përvojë punë. Dhe tjera, te barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro” – ishin propozimet që i prezentoi Kurti.
“Për këto, thanë që do ta diskutojnë me anëtarësi. Nuk e di çfarë anëtarësie është ajo që reduktohet ndoshta në një telefonatë” – tha në mes tjerash shefi i ekzekutivit.
Ai ka zbardhur edhe një bisedë më kryesindikalistët, që sipas tij i kanë kërkuar “t’i ndihmojë si vëlla”.
“Ata me muaj janë sjellë, thua se buxheti është paraja ime. Më thoshin, na ndihmo si vëlla. Si vëlla, unë të ndihmoj privatisht, por unë jam kryeministër. Ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla. 80% të punëtorëve janë të sektorit privat, ata e mbushin buxhetin” – shtoi Kurti tutje.
Kryeministri Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë mbajtur konferenë për media pas takimit me kryesindikalistët që e nisën qysh në orën 8 të mëngjesit të së martës.
Rruga Press