KryesoreLajme

Kolonizimi serb i Kosovës

Nga Durim Abdullahu

Prishtinë – Graçanicë – Prishtinë

Fshehtësia e një politike bizantine

Graçanica është një komunë fare e vogël në periferi të Prishtinës, por saktë një shekull më parë, Prishtina ishte pjesë e rrethit të Graçanicës. Atë kohë, më 1922, në një artikull të mbushur me shqetësime botuar në revistën “Policija” të Beogradit, kryetari i rrethit të Graçanicës, Vojislav Balozoviq, e cilësonte kolonizimin si një faktor vendimtar për shkombëtarizimin e trevave shqiptare.

Në dy faqet e këtij artikulli me titull “Kolonizimi i Kosovës” (“Kolonizacija na Kosovu”), duke kritikuar punën e zyrtarëve të pakualifikuar dhe të pandergjegjshëm për agrokolonizimin e Kosovës, Balozoviq shprehej i brengosur për ritmet e ngadalshme të këtij procesi, si rezultat i rezistencës së popullsisë vendase shqiptare që nuk pranonte marrjen arbitrare të tokave të tyre. Ai propozonte një plan të përshtatur me ligje, për të arritur një kolonizim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.

Kolonizimi i Kosovës vazhdoi të ishte brengë e pushtetit serb për një kohë të gjatë, siç kuptohet edhe nga broshura “Kolonizimi i Serbisë Jugore” (“Kolonizacija u Južnoj Srbiji”) që u botua në Sarajevë më 1928. Autori i saj, zyrtari i lartë serb nga Ministria për Reforma Agrare, Gjorgje Kërstiq, shkruante i shqetësuar për rezultatet e pakta të procesit kolonizues 10 vjeçar të Kosovës, teksa rekomandonte të shtohej presioni dhe dhuna për të përshpejtuar shpronësimin e shqiptarëve.

Instancë pas instance, rekomandimet e tij u kthyen në politika zyrtare gradualisht, për çka më 4 maj 1938, derjtoria e lartë e reformës agrare me zyre në Shkup, sekuestroi të gjitha tokat në komunën e Drenicës së Sipërme dhe në rrethin e Graçanicës. Gjithsej 11924 hektarë të shtrirë në 23 katunde me 6064 banorë. Atyre 54 personave që përkundër dhunës së ushtruar mbi ta gjatë shpronësimit patën shkollimin e nevojshëm dhe kurajon që të ankohen, iu hodhën poshtë ankesat tre javë më pas, duke iu premtuar që do t’iu jepnin 0.4 hektarë për person.

Sekuestrimet vazhduan edhe për tokat në komunat e Lipjanit, Obiliqit, Janjevës, Devet Jugoviqit dhe të vetë qytetit të Prishtinës. Kjo u pasua me dy faza të tjera sekuestrimesh, në zonën e Nerodimes dhe në zonën e Llapit. Në rrethin e Graçanicës, 15 familjeve me kolonë serbë iu dhanë 70 hektarë tokë, për tu shpërndarë më pas edhe 50 hektarë të tjerë, nga tokat e fshatarëve shqiptarë që i lanë dhe u shpërngulën për shkak të dhunës së xhandarmërisë serbe.

Në diskursin publik, Graçanicës shpeshherë i referohen si një enklavë serbe. Ndonëse vetëm 6 kilometra larg Prishtinës, Graçanica duket sikur një ‘ishull’ kulturor dhe politik që kontraston nga pjesa tjetër e Republikës së Kosovës, në qendër të së cilës gjendet ky lokalitet. Me mbi 60 % të popullsisë serbe, me rrugë që mbajnë emra mbretërish serbë, me monumente heronjsh nacional serbë dhe me shumë produkte e mbishkrime serbe, shumicës së shqiptarëve mbi 30 vjeç, Graçanica iu kujton kohën e zymtë të Jugosllavisë.

Graçanica vizitohet nga shqiptarët kryesisht për një hotel me emrin e saj dhe një restaurant me ushqim tradicional, ku kamarierët serbë lokalë ju shërbejnë duke folur në serbisht, shqip ose anglisht varësisht prej klientëve. Gjithsesi, ka disa vite që Prishtina nuk i kushton ndonjë vëmendje Graçanicës. E megjithatë, ajo meriton të vizitohet nga Prishtina jo vetëm në tashmen por edhe në të kaluarën e saj.

Antropologja e mirënjohur angleze Mary Edith Durham, që e njihte botën shqiptare dhe atë serbe më mirë se kushdo në kohën e saj, e vizitoi Graçanicën në verën e vitit 1908, duke u ndalur në manastir ku ajo u prit nga një jeromonak, një gjakon i ri dhe një stareshinë plakë. Në kryeveprën e saj “Shqipëria e Epërme” (“High Albania”), Durham shkruan: “Të tre klerikët vajtonin për të shkuarën e qenë të pashpresë për të ardhmen. Më nxorën të shihja fshatin fqinj me manastirin. Ky përbëhej nga rreth 70 ‘shtëpi’ të rrethuara me ledh, 15 prej të cilave i kishin marrë kohët e fundit shqiptarë myslimanë, ndërkohë që pjesa tjetër qenë të gjitha serbe ortodoksë. […] Tani këtu kishin mbetur shumë më pak serbë nga ç’kiste pasur më parë. […] Pjesa e brendshme është plot me afreske shenjtorësh, me një pamje të zymtë e bizantine, me një sfond që tashmë është pothuajse i zi”.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Nga atëherë, raporti statistikor i popullsisë serbe me atë shqiptare ka mbetur pothuajse i njëjtë në përqindje. Klerikët vazhdojnë të vajtojnë të gjitha të kaluarat ‘e lavdishme’ serbe dhe të jenë disi shpresëthyer për të ardhmen, sepes ashtu pritet prej tyre. Afresket e shumta që mbajnë muret e Manastirit të Graçanicës që Durham e pati të vështirë t’i dallonte nga bloza dhe terri, janë restaturuar ndërkohë, veçanërisht pas vitit 2006, kur kjo godinë u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO. Numri i serbëve është diç mbi 6000, kurse 3000 banorët shqiptarë po shkojnë duke u rritur për shkak të afërsisë së Graçanicës me zonën industriale të Prishtinës.

Një vit pas Durhamit, Manastirin e Graçanicës e vizitoi edhe shkrimtari udhëtar francez Gabriel Louis Jaray, që arriti aty në gusht të vitit 1909. Nga dy fotografi të shkrepura prej tij ku shihet Manastiri i Graçanicës dhe Arkimandriti Miron Gjeorgjeviq që e mirëpriti në të, mund të krijohet një përfytyrim për atë që shkroi Jaray në librin e tij “Shqipëria e panjohur” (“L’Albanie inconnue”).

“Manastri është paksa i rrënuar. Ka nja dhjetë murgjër, por nuk ndihet fare rendi dhe rregulli. […] Po brendësia e saj është e mjerueshme dhe të krijon një përshtypje të çuditshme vetmie dhe mungese banimi. Mjaft brendi kishash kanë jetë, por kjo e Graçanicës duket si e vdekur. […] Manastiret si ky i Graçanicës, janë më tepër vende për tu strehuar dhe për të kërkuar ndihmë, se sa për të kryer litrugjinë fetare. […] Por kur vendi kalon çaste pasigurie, kur serbët mbrohen, ose kur nga ana e tyre armatosin banda kunder shqiptarëve, pikërisht në këto manastire bandat e tyre gjejnë ndihmë, mjete financiare, strehim dhe siguri. […] Serbët kanë mjaft për të bërë që të ruajnë pozitat e tyre dhe Prishtina është ‘fortifikata’ e tyre e fundit. Vetëm aty ata kanë arritur të fitojnë një vend deputeti.”

Funksional dhe mjaft i rregullt, ndryshe nga gjendja në të cilën e gjeti Jaray, tani Manastiri i Graçanicës është i gjallë dhe pret shumë vizitorë gjatë gjithë vitit. Ngjashëm siç qe atë kohë më shumë vendstrehim se sa kishë për liturgjinë fetare, edhe tani vizitohet më shumë nga turistë dhe njerëz që duan ta shohin Manastirin e Graçanicës si monument kulturor, se sa që shërben për liturgjinë fetare.

Gjatë luftës në Kosovë më 1999, policë serbë që kryen krime mbi shqiptarët, u strehuan dhe u bekuan në Manastirin e Graçanicës, ku ata u bombarduan dy herë nga avionët e NATO-s. Ndërkaq pas luftës, ky manastir u ruajt për më shumë se një dekadë po nga trupat e NATO-s në kuadër të KFOR-it.

Në Prishtinën e çliruar sikur edhe në gjithë Republikën e Kosovës, pas luftës gjenocidale të Serbisë së Millosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës, serbët i kanë humbur pothuajse të gjitha pozitat e tyre. Nëse dikur nga Prishtina kishte vetëm një deputet serb në parlamentin osman, tani serbët kanë 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, por vetëm falë faktit që ata kanë 10 ulëse të rezervuara. Por kjo praktikë e “diskriminimit pozitiv”, pritet të marrë fund së shpejti. Politikat e ndjekura nga politikanët serbë në Kosovë përcaktohen plotësisht nga Beogradi dhe më shumë se sa përmirësimin e jetës së serbëve në Kosovë, ata përpiqen të minojnë stabilitetin dhe përparimin e shtetit të Kosovës.

I ngritur nga mbreti serb Stefan Milutin më 1321 mbi një bazilikë të shekullit të VI, Manastiri i Graçanicës është ndërtuar sipas një arkitekture të traditës serbo-bizantine, kurse afreskat e tij janë punuar nën ndikimin e stilit artistik bizantin të Rilindjes Paleologe. Kjo është evidentuar edhe gjatë viteve ’30-të, kur studiuesja ruse Viktori Puzanova, që më pas do të vinte themelet e studimeve mbi artin postbizantin në Shqipëri, studioi afresket e këtij manastiri dhe na la një pamje në pikturë të tij.

Nëse e merrni fjalorin e Oxfordit dhe kërkoni fjalën “byzantine” (shqip: “byzantine”), pas kuptimit si mbiemër për Bizantin si pikë e parë dhe përdorimit si cilësor për arkitekturën e periudhës së Perandorisë Bizantine si pikë e dytë, do të gjeni një pikë të tretë që fjalës “byzantine”, i jep kuptimet e diçkaje “të komplikuar, të fshehtë dhe vështirë të ndryshueshme”.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Që në krye të herës, kisha bizantine ishte e lidhur pashqitshëm me pushtetin politik të perandorit. Kjo traditë u trashëgua nga të gjitha kishat ortodokse, që dhe sot kanë organizim nacional, apo organizim përgjithësisht në nivel shtetëror.

‘Universalja’ e Kishës Katolike, nuk gjendet te ‘burimorja’ e kishave ortodokse. Duke qenë nacionale, kishat ortodokse u shërbejnë edhe interesave nacionale të besimtarëve të tyre, që si të tilla, i bën ato tejreligioze dhe përjashtuese herë herë. Në këtë drejtim, Kisha Ortodokse Serbe përfaqëson mbase rastin më ekstrem në gjithë botën ortodokse.

Aq deri në absurd e pashqitshme është historia e shtetit modern serb me historinë e Kishës Serbe dhe mbretërit serbë të mesjetës, sa këto thjesht nuk mund të kuptohen ndarazi. Përtej diktaturës komuniste të Jugosllavisë së Titos, e pasuar nga qeverisja ultranacionaliste e Sllobodan Millosheviqit që shkaktoi rreth 150000 viktima gjatë luftërave në Jugosllavi, në Serbi ende sot ka mbijetuar një kulturë politike mesjetare që përbashkon në bashkëjetesë pushtetin politik dhe Kishën Ortodokse Serbe. I mbushur me argumenta të konstruktuara me referenca historike të kthyera në mite nacionale, politika e kësaj kulture me të drejtë është cilësuar si klerofashiste.

Këtë e vëreni edhe në Manastirin e Graçanicës, ku diskursi i atyre që u bëjnë guidën vizitorëve, përshkohet nga tone viktimizimi prej shqiptarëve, të cilët, në të vërtetë janë përgjithësisht krejt indiferent ndaj këtij manastiri. Shumica e shqiptarëve mesatarë në Kosovë, veçanërisht ata që janë nën 30 vjeç, as që kanë informacion për ekzistencën e tij dhe as që e dijnë që kur të dilni në jugperëndim të Prishtinës, një rrugë lokale mund t’iu nxjerrë në një manastir të shek. XIV.

Për më tepër, nëse jeni shqiptar dhe nëse e vizitoni Manastirin e Graçanicës, qasja defensive ani pse pa pasur sulme dhe gjuha propagandistike e klerikëve që janë në sinkron me politikat e Beogradit që vazhdon ta konsideroj Kosovën pjesë të Serbisë, ju bëjnë të ndjeheni i padëshiruar dhe me shumë gjasë i përçmuar.

Fundjavën e mbrame të gushtit kur pata rastin ta vizitoja Manastirin e Graçanicës bashkë me një grup miqsh nga Çekia, Kroacia dhe Serbia, kisha rehatinë t’i shikoja dhe fotografoja afresket brenda manastirit, që më interesojnë edhe në rrafshin profesional në kuadër të historisë së artit. Por kjo vazhdoi vetëm derisa djaloshi që bënte guidën – me gjasë një serb lokal – të cilit i kërkova të më bënte një fotografi, më pyeti në anglishte prej nga isha. Përgjigja ime e vetvetishme: “Unë jam nga këtu, jam nga Prishtina” – e bëri të ndryshonte qasje, duke më kërkuar të fotografohesha në oborr prej ku më tha mund të shihej i gjithë manastiri.

Me këtë fotografi dola nga oborri i manastirit, me ndjesinë e çuditshme dhe me doza ironie të të qenit i padëshirueshëm, politikisht, etnikisht dhe fetarisht brenda asaj “shtëpie të Zotit”.

Nga Prishtina në Graçanicë dhe pastaj anasjelltas rrugës për në Prishtinë, po mendoja se si një manastir ortodoks i shek. XIV, prej më shumë se një qind vitesh, ka mbetur një vend i përshtatshëm për të lexuar raportet politike mes shqiptarëve dhe serbëve.

Duket diçka shumë, vërtetë shumë primitive, sepse kështu edhe është, që një kishë që supozohet të jetë shtëpi ku njerëzit shkojnë për të lutur Perëndinë, luan rolin e një vegle të veshur me kostume fetare, e cila përdoret nga një dorë politike e një tradite që nga luftërat ballkanike e këtej, ka vrarë mijëra e mijëra njerëz. Kjo traditë, ende drejton politikisht me Serbinë.

Se cila do të jetë e ardhmja e kësaj simbioze mes kishave dhe klerikëve ortodoksë serbë dhe politikave zyrtare të Serbisë, të paktën për në Kosovë, do të varet shumë nga statusi që do të kenë kishat ortodokse serbe në kuadër të një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, që duket se kësaj radhe do të arrihet me të vërtetë, më shumë se një dekadë prej kur kanë nisur bisedimet në Bruksel.

Sidoqoftë, të paktën edhe për një kohë të gjatë, duket se Manastiri i Graçanicës dhe vetë kjo komunë, do të mbetet një orakull politik bizantin, “i komplikuar, i fshehtë dhe vështirë i ndryshueshëm”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *