Këshilli i Ambasadorëve: Stoltenberg, i qartë për këdo që provokon skenare destabilizuese për Kosovën
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë tha në një deklaratë se mesazhet e Sekretarit Stoltenberg të NATO-s janë një sinjal i qartë dhe kuptimplotë për këdo që synon të provokojë skenare destabilizues për Kosovën dhe rajonin tonë.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) përshëndet takimet e zhvilluara mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Albin Kurti dhe Presidentin e Republikës së Serbisë z.Aleksander Vuçiç, duke i paraprirë takimit të BE – thuhej në deklaratë.
“KASH vëren se mesazhet e Sekretarit Stoltenberg janë një sinjal i qartë dhe kuptimplotë për këdo që synon të provokojë skenare destabilizues për Kosovën dhe rajonin tonë.
KASH u bën thirrje autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të ripërtërijnë angazhimin e tyre në kuadër të dialogut, dhe të punojnë me vendosmëri për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për stabilizimin e marrëdhënieve politike dhe njohjen reciproke në mes të dy shteteve, si premisa me e mirë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe Europe.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh keqardhjen që marreveshjet e arritura deri tani ndërmjet dy vendeve nuk kanë gjetur zbatimin e premtuar, duke ushqyer rritjen e mosbesimit dhe të tensioneve përkundër qëllimit të këtij dialogu.
KASH thekson rëndësinë që ka rivitalizimi i dialogut që po zhvillohet me mbeshtetjen e BE dhe ShBA-ve, dhe veçanërisht angazhimi vullnetmirë i të dy paleve për të arritur një marrëveshje përfundimtare që do t’i jepte fund agonise së pasigurisë dhe do të nxiste përparimin e të dy vendeve dhe gjithë rajonit drejt integrimit europian”, përfundon deklarata e KASH.
Rruga Press