Energjia kap nivele rekord ne bursa, Shqipëria anulon blerjen
Korporata elektro-energjitke ka anuluar tenderin për blerjen e energjisë për shkak të çmimeve rekord në bursa, ku një MWH ka arritur në 500 euro. Në procedurën për blerjen e energjisë kërkohej një sasi prej 61 mijë e 600 MWH për të plotësuar nevojat vetëm për një javë.
Aktualisht është vendosur që konsumi vendas do të mbulohet nga prodhimi në kaskadën e Drinit duke pritur që javën e ardhshme të ketë një tendencë në ulje të çmimeve në bursë.
Niveli në Fierzë rezulton 278 metra duke pësuar një ulje me gati 2 metra brenda pak ditëve. Ekspertët argumentojnë se shtyrja e afatit për blerje energjie nuk është zgjidhje e problemit pasi çmimi parashikohet të rritet edhe më shumë në javët e ardhshme.
Ata paralajmërojnë se Shqipëria rrezikon krizë energjitike dhe sugjerojnë të merren masa për të parandaluar një gjë të tillë.
Zgjidhje sipas Lorenc Gordanit për krizën energjitike në Shqipëri mund të jetë një tjetër mbështetje financiare nga buxheti ose rritje e çmimeve për konsumatorët. Ndikim kryesor në rritjen e çmimeve të energjisë në bursa ka dhënë thatësira e tejzgjatur dhe dalja në remont e disa impianteve të prodhimit të energjisë në Europe.
Rruga Press