“Karvani i Diasporës”, rrugëtim nëpër qytete të Kosovës
“Karvani i Diasporës” është nisma më e re në Kosovë, kushtuar mërgimtarëve, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë se Arsimit, Shkencës, Teknologjisë.
Nisma e cila ka moto të vetën “Shijo Kosovën”, nisi nga komuna e Gjilanit dhe sot do të ndalet në Ferizaj.
Në qytetin e bukur të Gjilanit, ishin të pranishëm ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku si dhe drejtues lokalë.
Të tre ministrat bashkë me ekipet, kanë vizituar nga afër bizneset që kanë promovuar produktet e tyre në kuadër të panairit “E jona” dhe gjithashtu kanë vizituar Muzeun Etnologjik të qytetit, i cili ka hapur dyert për bashkatdhetarët.
Ministrja Gërvalla duke u uruar mirëseardhje në vendlindje të gjithë bashkatdhetarëve, në fjalën e saj hyrëse, i ka inkurajuar ata të bëhen pjesë e platformës “Shijo Kosovën” për të diskutuar dhe shkëmbyer ide që afrojnë mërgatën me vendin.
Pas Gjilanit e Ferizajt, “Karvani i Diasporës” do të vazhdojë nëpër 12 qytete të tjera të vendit, deri më 9 gusht, duke e përmbyllur këtë udhëtim në qytetin e Mitrovicës.
Rruga Press