Komentet e ambasadorit amerikan Hill shkaktojnë “frikë” në Serbi
Pas intervistës që ka dhënë për mediat serbe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në të cilën ka thënë se është e nevojshme që SHBA të luajë rolin e saj në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, analistët serbë vlerësojnë se nga kjo intervistë mund të nxirren tri mesazhe të qarta të Biden-it për Serbinë, sipas medias serbe B92.
Duket se situata e përgjithshme në botë e shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka ndikuar që Hill, në këtë intervistë, të shprehë pritshmëritë shumë kërkuese të SHBA nga Serbia edhe sa i përket Kosovës, integrimeve evropiane, por edhe në lidhje me sanksionet kundër Rusisë dhe furnizimin me gaz rus.
Prandaj nuk është gabim të thuhet se Serbia në periudhën e ardhshme do të përballet me presione nga fuqitë e mëdha nga të gjitha anët, thuhet në artikull.
Pra, kur bëhet fjalë për SHBA-në, përshtypja është se qëndrimi i Washingtonit përmes fjalëve të Hillit tashmë është mjaft i qartë, sidomos kur bëhet fjalë për tri temat kyçe për Serbinë në këtë moment.
Qëndrimi që Perëndimi po e potencon gjithnjë e më shumë kohëve të fundit është se Serbia nuk do të hyjë në BE deri kur të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën, pra derisa të njohë pavarësinë e Kosovës.
Edhe pse iu shmang këtyre fjalëve në mënyrë diplomatike, Hill dërgoi një mesazh praktikisht me të njëjtin kuptim për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se është i shqetësuar për mungesën e progresit në dialog dhe se nuk e di se cila do të ishte masa e duhur e përfshirjes së SHBA-së.
Hill gjithashtu ka thënë qartë se SHBA-ja nuk e shohin si miqësor faktin që Serbia aktualisht po furnizohet me gaz nga Rusia dhe për këtë arsye pret që Serbia të gjejë më shumë furnizues të kësaj energjie.
Rruga Press