KryesoreLajme

Dosja e bujshme nga Italia/ Pas Artan Gaçit, “peshq” të tjerë të mëdhenj pritet të bien në rrjetën e SPAK

Një dosje e mbërritur nga autoritetet italiane ka vënë në lëvizje SPAK-un e cila ka regjistruar një hetim të ri për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Në qendër të hetimeve është Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa po kryhen verifikime edhe për përfshirjen e mundshme të kësaj të fundit.

Sipas informacioneve të bëra publike, hetimi i ri ka nisur pas zbulimit të provave gjatë një tjetër procedimi penal.

Bëhet fjalë për një seri transaksionesh bankare dhe komunikimesh të gjetura në aparate telefonike, të cilat dyshohet se mund të kenë rëndësi për zbardhjen e aktivitetit të hetuar.

Lexo më shumë  SPAK i sekuestron telefonin Ardit Hysës, ish drejtori juridik i KAYO-s, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes

Gazetari i kronikës, Xhevahir Zhabina, deklaroi në një dalje televizive se hetimet kanë si pikënisje një dosje të përcjellë nga autoritetet italiane, e cila përmban dyshime për pastrim parash dhe korrupsion.

“Ne kemi mundur të marrim veç pak detaje, sepse bëhet fjalë për një dosje që ka mbërritur nga autoritetet italiane. Ajo përmban dyshime dhe akuza të rënda për pastrim parash dhe korrupsion. Dosja është e pamundur të aksesohet”, u shpreh Zhabina.

Sipas gazetarit, çështja mund të prekë disa drejtues, ndërsa priten të dalin në dritë detaje të tjera mbi personat dhe transaksionet që po verifikohen nga organet e drejtësisë.

Artan Gaçi është hetuar më parë nga SPAK për çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e bregdetit të Jugut. Ai hetim nisi pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, ndërsa në krye të tij ishte prokurori Olsi Dado.

Lexo më shumë  Terras: Qytetarët e Kosovës mbështesin fuqishëm anëtarësimin në BE

Megjithatë, procedimi i mëparshëm u pushua nga Prokuroria e Posaçme dhe vendimi u la në fuqi edhe nga gjykatat.

Hetimi aktual paraqitet si një çështje e re, e mbështetur në të dhëna dhe prova të dala gjatë një tjetër hetimi. Sipas informacioneve të publikuara, SPAK po shqyrton transaksione financiare dhe komunikime që mund të ndihmojnë në sqarimin e dyshimeve për origjinën e parave dhe veprimtarinë e personave të përfshirë.

YouTube player