Kongresi amerikan miraton rezolutën ku i kërkon Serbisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi
Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan ka miratuar më 14 korrik rezolutën për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi teksa po kalonin gabimisht kufirin me Serbinë më 1999. Rezoluta ishte dërguar në Kongres një vit më parë.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin shtetas amerikanë gjatë asaj periudhe dhe që nga vrasja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Sipas pikës dy të rezolutës së miratuar të enjten në Kongres, është e dënueshme që asnjë individ nuk është shpallur ndonjëherë fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, apo për ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre, dhe se asnjë individ nuk po përballet as me akuza për këto krime të tmerrshme.
Pika tre thotë se Qeveria e Serbisë, ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur për zyrtarët aktualë ose ish-zyrtarë që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte.
“Shtetet e Bashkuara duhet të ndajnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar plotësisht dhe monitoruar siç duhet përpjekjet e Qeverisë së Serbisë, ministrive dhe zyrave të saj përkatëse për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejt të jetë e mundur ata individë që besohet se janë përgjegjës për vdekjet e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi”, thuhet në pikën katër të rezolutës.
Në pikën pesë dhe të fundit, SHBA-ja thekson se progresi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
Tre vëllezërit Bytyqi u arrestuan në korrik 1999, pas mbarimit të luftës së në Kosovë, kur ishin duke kaluar gabimisht kufirin në Serbi. Ajo që dihet është se megjithë vendimin e një gjykatësi për lirimin e tyre, ata u morën nga një njësi serbe e operacioneve speciale, u ekzekutuan dhe u lanë sipër një varri masiv.
Autoritetet serbe nuk kanë ngritur asnjë akuzë ndaj personave që kanë qenë pjesë e zinxhirit të komandës në Ministrinë e Brendshme dhe që kanë patur lidhje me këtë krim.
Rruga Press