Lajme

Ambasadori i BE-së në Kosovë: I lumtur që Kosova ka miratuar ligje të rëndësishme për procesin e integrimit evropian

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur që në dy javët e fundit në Kosovë janë miratuar disa ligje që siç ka thënë, janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian.

Këtu ai ka përmendur Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale.

Në një postim në Twitter, Szunyog ka thënë se miratimi i këtyre ligjeve paraqet një hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Më vjen mirë që gjatë 2 javëve të fundit Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa ligje që janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian, përfshirë këtu Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale”.

“Miratimi i këtyre ligjeve paraqet një hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ato janë gjithashtu pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane II”, ka shkruar ambasadori.

Lexo më shumë  ​Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare me BE-në

Tutje, ka thënë se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 58 vota për dhe 3 abstenime, ndërsa me këtë rast ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se rekomandimet e Komisionit të Venecias do të adresohen të gjitha pranë grupit punues të Komisionit për Legjislacion.

Lexo më shumë  Kalon në parim Projektligji për Byronë për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme

Gjithashtu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, me shumicë të votave të deputetëve u votua në lexim të dytë edhe Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave ka për qëllim përcaktimin më të qartë të procedurave të deklarimit të pasurisë, ri klasifikimi i pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit.

Përveç të tjerave sot mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe projekt-kodi i Procedurës Penale.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *