France 24: Propaganda dhe dezinformatat ruse gjejnë terren në Serbi me mbështetjen e qeverisë
Pas 12 vitesh së bashku, ishte propaganda ruse ajo që përfundimisht i dha fund martesës së Ljubov Mariqit me bashkëshortin e saj serb.
Siç shkruan France 24, ukrainasja pranon se kishin pasur vështirësi, por pas pushtimit ushtarak të Ukrainës në muajin shkurt, gjërat filluan të përkeqësoheshin, pasi burri i saj u përballë me një sasi të madhe propagande ruse.
Burri me të cilin ajo kishte rënë dikur në dashuri, ka ndaluar djalin e tyre që të dëgjonte muzikë popullore ukrainase, duke e quajtur atë vepër të “nazistëve”.
“Unë kisha shpresuar për mbështetje dhe mirëkuptim, por ai filloi të fajësonte të gjithë përveç rusëve”, thotë 44-vjecarja ukrainase.
Menjëherë pas kësaj, ajo kishte paketuar valixhet dhe pavarësisht luftës u kthye në Ukrainë.
Propaganda e Kremlinit ka gjetur një audiencë të gatshme në Serbi, ku urrejtja e zjarrtë ndaj NATO-s dhe SHBA-së ka bërë që shumë qytetarë të janë në anën e Moskës.
Derisa pjesa më e madhe e Evropës ka kërkuar të “shtrëngohen” mediet ruse të lajmeve, ato lulëzojnë në Serbi ku edhe mediet e mbështetura nga pushteti dezinformojnë dhe propagandojnë sipas linjës së Kremlinit.
“Unë mendoj se e vërteta është diku në mes, por askush nuk e raporton atë. Kështu që unë ndjek mediet ruse dhe perëndimore dhe përpiqem të lexoj midis rreshtave. Ata (Perëndimi) i kanë kufizuar mediat ruse që të mos arrijnë të dëgjojnë palën tjetër. Gjithçka që ju e merrni si përfundim, është histeri”, thotë dizajneri 27-vjeçar Dario Açimoviq.
“Statusi hyjnor” i Putinit
Nën qeverisjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, mediet në Serbi gjithnjë e më shumë janë detyruar të ndjekin vijën qeveritare, ndërsa medie të pavarura, që janë të pakta, janë përballur me presion të vazhdueshëm nga autoritetet.
Gjatë periudhës së luftës, tabloidi kryesor i Serbisë, Informer, botoi artikuj të shumtë që lavdëronin Vladimir Putinin duke përfshirë ballinën e botuar dy ditë para pushtimit me titullin “Ukraina ka sulmuar Rusinë”.
“Mjetet e propagandës pro-qeveritare të Serbisë krijuan kultin e personalitetit të Putinit, i cili madje tejkalon atë që ata ndërtuan për Vuçiçin. Ai gëzon një status praktikisht hyjnor”, thotë profesori i gazetarisë në Universitetin e Novi Sadit, Dinko Gruhonjiq.
Sipas sondazhit të fundit të bërë nga CRTA, dy të tretat e popullsisë serbe ndjehet “më e afërt” me Rusinë.
Tre të katërtat e serbëve besojnë gjithashtu se Kremlini u detyrua të hyjë në luftë “për shkak të pretendimeve të NATO-s për t’u zgjeruar”.
I njëjti sondazh tregoi se 40 për qind e popullsisë ishin në favor të heqjes dorë nga pritja e gjatë e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe në vend të kësaj ta zgjedh për aleate Moskën.
“Mediat pro-qeveritare kanë një qëndrim të qartë pozitiv ndaj Rusisë, janë neutrale ndaj BE-së dhe negative ndaj Ukrainës. Rusia është alternativa e treguar për votuesit për të provuar se Serbia mund t’ia dalë pa Bashkimin Evropian”, shprehet njëri nga autorët e sondazhit, Vujo Iliq.
Në Beograd, bluzat me fytyrën e Putinit shiten nga kioskat e suvenireve, ndërsa shkronja “Z”, e cila është bërë simboli rus për pushtimin, është pikturuar në muret e qytetit.
Nuk është e vërtetë ajo që thonë
Mbulimi i luftës dhe konsumimi i lajmeve nga burimet ruse nuk ka kaluar pa u vënë re, ku ambasadori ukrainas në Beograd ngriti zërin në shenjë proteste duke thënë se “qytetarët e Serbisë nuk janë të informuar siç duhet”.
Por të qëndrosh i përditësuar me lajmet e sakta për luftën nuk është gjithmonë e lehtë në Serbi.
Edhe për një ukrainase si Mariq, e cila ka qasje në në lajme të dorës së parë, përmbysja e dezinformatave dhe propagandës ruse në Serbi është e vështirë.
Rruga Press