Lajme

Trepça ua ofron punëtorëve “pakon vullnetare dalëse”

Pensionim i parakohshëm me pagë 60 për qind deri në kohë pensionimi dhe marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës me përfitime të përcaktuara u janë ofruar punëtorëve të ndërmarrjes Trepça, kanë bërë të ditur nga sindikatat e punëtorëve.

Ngjashëm sikur që ndodhi me punëtorë të “Telekomit” edhe Trepça ka ofruar dy pako dalëse si pjesë të reformave e ristrukturimeve të brendshme.

Janë dy pako dalëse. E para parasheh pensionimin e parakohshëm për punëtorët që mbushin moshën e pensionimit gjatë viteve 2023, 2024, 2025 dhe 2026. Për ta parashihet që për periudhën deri në pensionim të marrin 60 për qind të pagës aktuale bruto.

Ndërkaq pakoja e dytë parasheh pagesën e 24 pagave përnjëherë për ata që duan vullnetarisht ta shkëpusin marrëdhënien e punës me Trepçën.

“Pas procesit të ristrukturimit mund një numër i punëtorëve të mos e gjejë më perspektivën e tyre në strukturën e re organizative. Kjo, ngase detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të duplifikuara edhe mund të shuhen. Nën kushte të tilla, kompania është e detyruar që t’ua thotë të vërtetën punëtorëve të saj të lartpërmendur dhe të mos ua humbasë perspektivën e tyre të mëtejme. Ushqimi i iluzioneve të rrejshme për punëtorët të cilëve kompania nuk mund t’u ofrojë më perspektivë pas ristrukturimit, është jo vetëm humbje e perspektivës për të njëjtit/at, por është edhe abuzim me të drejtat e tyre për të qenë të informuar drejtë dhe me kohë”, thuhet në letrën për punëtorët.

Lexo më shumë  Rama nuk dorëzoi Ballukun, Ambasada gjermane: Ndjekja penale e korrupsionit në rang të lartë, kusht për procesin e anëtarësimit në BE

Oferta vlen për periudhën 21 qershor deri më 21 korrik.

Kompania ruan të drejtën që jo të gjithë punëtorëve që aplikojnë t’u mundësohet aprovimi i kërkesës për pako dalëse vullnetare.

“Punëtorët që nuk do të përfitojnë nga ky program i pakove dalëse duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës, që hyn në fuqi në kohën e miratimit të strukturës së re organizative”, thuhet në letrën e Trepçës për punëtorët e saj.

Lexo më shumë  Kritika të ashpra ndaj Serbisë në draftraportin e PE-së, kërkohet të ndiqet penalisht Radoiçiq

Pakoja e ngjashme qe ofruar edhe për punëtorët e Telekomit. Kjo ndërmarrje njoftoi ditë më parë se ka 302 punëtorë kanë shfrytëzuar të drejtën e largimit vullnetar.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *