Si mund t’i besoni Edi Ramës dhe Dritan Abazoviçit, më shumë se Albin Kurtit?
Nga Lirim Gashi
Dashakeq dhe të pandershëm janë të gjithë ata pseudointelektualë, të cilët, duke keqinterpretuar deklaratën e Daniel Escobar, largojnë qëllimisht vëmendjen e publikut nga fakti se Balkan Open është një nismë e Serbisë dhe Rusisë që synon të mbajë peng vendet ku jetojnë shumica e shqiptarëve.
Më saktësisht, Rusia dhe Serbia, duke ua shpëlarë trurin dy kryeministrave shqiptarë Edi Rames dhe Dritan Abazoviçit se Balkan Open është i dobishëm për shqiptarët, po arrijnë largimin vullnetar të vendeve të tyre nga integrimi i vërtetë euroatlantik.
Balkan Open do të kishte kuptimin e kundërt nëse Serbia do ta njihte pa kushte Kosovën si shtet, nëse do të kthente kufomat nga varrezat masive, nëse do të kërkonte falje dhe do të paguante dëmshpërblime, nëse do të hiqte dorë nga fushata agresive për tërheqjen njohjeve dhe nëse do të hiqte dorë nga hegjemonia dhe politika klero-fashiste.
Kushdo që dëgjoi betimin e Vuçiqit me rastin e ri-inaugurimit të tij si President i Serbisë, mund të shihte me sytë dhe dëgjonte me veshët e tij, se ai nuk e ka ndërmend të heqë kurrë dorë nga politikat klerikale-fashiste dhe hegjemoniste serbe.
Pse atëherë do të duhej ta nënshkruanim sërish një akt vetëvrasës me duart tona, sikur të mos kishim mjaft pasoja negative nga nënshkrimi tradhtar i Asociacionit Racist të Komunave Serbe?
Çfarë na duhet iniciativa serbe, kur e kemi iniciativën e Berlinit nën ombrellën e Qeverisë mike gjermane?
Më lejoni t’ju shpjegoj pak se kush është në të vërtetë Daniel Escobar?
Ai është një diplomat amerikan, të cilin boshnjakët dhe kroatët, të cilët e konsiderojnë Bosnjën dhe Hercegovinën si atdheun e tyre të vërtetë, e fajësojnë për forcimin e rolit separatist të Mlorad Dodikut.
Mirëpo, në ndërkohë ai e pa gabimin e tij fatal, andaj në këtë deklaratë ai flet për anëtarësimin vullnetar dhe trajtimin e barabartë të të gjitha vendeve të rajonit, gjë që është e pamundur, sepse trajtimi i barabartë i Kosovës nuk pranohet nga presidenti serb Vuçiq, i cili njësoj si mentori dhe paraardhësi i tij politik Millosheviqi, Kosovën e sheh si djepin e të gjithë serbëve, kudo që ata jetojnë.
Këtë e dëshmon edhe më qartë Kushtetuta e Serbisë, e cila e sheh Kosovën si pjesë përbërëse apo të pandashme të Serbisë.
Megjithatë, mediat tona të shitura, qëllimisht po abuzojnë me deklaratën e tij, për t’i dhënë kah të kundërt mesazhit të tij.
Ose, më saktë, ato po i japin deklaratës së tij një drejtim që u shkon për shtati të gjithë atyre horrave të Kosovës, që janë përfshirë për përfitime personale, në rrjetin propagandistik të Edi Ramës, të cilin Vuçiqi e mban në xhep.
Në fund të fundit, kjo propagandë ka vetëm një qëllim:
Të bindë sa më shumë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike për përfitimet e mëdha financiare që do t’i kenë nga bashkëpunimit ekonomik me Serbinë.
Pyes veten dhe juve ?
Kur kemi përfituar ne shqiptarët gjatë historisë sonë, nga bashkëpunimi me Serbinë sipas kushteve të saj?
Pyetja tjetër logjike është kjo?
Pse Ivica Daçiq po tallet me delegacionet tona negociatore në Bruksel, duke i quajtur gabimet e tyre amatore si meritore për shtetësinë e pa përmbyllur të Kosovës?
Pyetja e të gjitha pyetjeve është kjo?
Si mund t’i besoni Edi Ramës dhe Dritan Abazovicit më shumë se Albin Kurtit?
Si mund t’i besoni Edi Ramës që ia dhuron çelësat e Tiranës udbashit të mykur Bregoviçit dhe që i shkruan letra dashurie futbollistit më shovinist serb Sinisha Mihajloviçit, i cili është njëherësh edhe nipi i çetnikut më të madh të të gjitha kohërave Drazha Mihajloviçit dhe kushëriri i afërm i Mira Markoviqit, gruas së Millosheviqit?
Dhe si mund t’i besoni më shumë se Albin Kurtit, Dritan Abazoviçit, i cili e ktheu në pushtet kishën klerikale-fashiste serbe në Mal të Zi?
Sa do të zgjasë kjo verbëri e jona kolektive si e lakuriqëve të natës?
Imagjinoni sikur hebrenjtë të ishin kaq të papërgjegjshëm ndaj interesave të tyre kombëtare dhe shtetërore pas Holokaustit të përjetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku dhe çfarë do të ishin sot?
Rruga Press