Heroi Agim Ramadani në fjalët e bashkëshortes
Mu shterrshin sytë nëse pushoj,
Lirinë tënde me ëndërrue,
mallkue qoftë gjaku im,
nëse m’vrasin pa luftue.
Agim Ramadani
Sapo të arrija në Bajram Curr, në rast se e kanë varrosur pa mua, do ta zbuloja ta shikoja e përqafoja për të fundit herë… Shukrije Ramadani
Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit Agim Ramadani është një zonjë heroinë shqiptare nga Zhegra e Gjilanit. Historia e tyre është shumë frymëzuese për brezat, shpresoj që një ditë ajo të zërë vend në botën e artit në majat e tij në Hollivud. Krimet serbe duhet të mësohen dhe dënohen në gjithë shkollat e botës dhe të njihet ashtu siç njihen krimet naziste kundër hebrenjve dhe popujve. Që të arrihet kjo duhet që elita e Kombit, artistët e famshëm shqiptarë në botë, bizenesmenët dhe regjisorët duhet të jenë bashkë dhe të hartojnë platformë për të sensibilizuar mbarë opinionin e artit, ashtu siç është bërë në politikë nga Diaspora Shqiptaro Amerikane.
Përshëndetje znj.Shukrije Ramadani, po përshëndes një grua heroinë, ju jeni bashkëshortja e Heroit të Atdheut Agim Ramadani çdo të thotë të jesh përjetësisht krah tij?
Liria e Kosovës nuk u arrit lehtë. Ajo është produkt i punës së pandalshme të shumë gjeneratave. Ajo është ëndërr e realizuar, dashuri e dhimbshme sfidë e tmerrshme dhe një ndjenjë e veçantë, që na ka mbajtur gjallë idealin, ëndrrën dhe dëshirën për të vazhduar me kërkesat tona për jetë më të mirë, më të dinjitetshme, liri, demokraci dhe bashkim kombëtar. Si fëmijë kundërshtuam regjimin e egër serbo-sllav dhe u rritëm me ndjenjën se pa u hequr qafe armiku nuk kemi frymëmarrje të lirë. Shpesh në qoshe fletoresh gjejë ende sloganin, që aq shpesh e përdornim. ‘’Për dashuri sakrifikoj jetën e për ideal sakrifikoj dashurinë‘‘.
Ideali ishte ai, që na lidhi me dashurinë e përjetshme, e cila më mban të fortë dhe me plot elan edhe pas 23 vitesh mungesë fizike të dashurisë sime platonike.
E dinim që liria sakrifica kërkon, që këto sakrifica dhimbje do të na linin pas, por nuk mund ta merrja me mend çfarë force kishte dhimbja dhe se mua do të më binte e vetme ta përballoja.
Dhe tani, kur çdo mbrëmje bie me lutjen që në ëndërr ta kem dhe çdo mëngjes ngrihem, duke i
thënë mirëmëngjesi vetëm ëndrrës sime e shoh sa e vështirë është sakrifica, sa e dhimbshme është liria kur nuk mund ta gëzosh ashtu siç e ke ëndërruar, ashtu siç e ke dëshiruar.
Tregoni ju lutem për njohjen tuaj me Agimin deri në kurorëzimin si bashkëshort?
Me Agimin u rrita në të njëjtin fshat, ku u shkolluam në bankat e përbashkëta të klasës së njëjtë, që nga fëmijëria e deri në shkollë të mesme, kur rrugët padrejtësisht na u ndanë. Ishim
nxënësit më të mirë, jo vetëm në fshatin dhe shkollën tonë në Zhegër, por edhe pasi dolëm në Gjilan në drejtimin Ekonomi dhe Financa, të dy shkëlqyem si nxënës shembullorë. Ishte më i suksesshëm së unë në shkencat ekzakte dhe e plotësoja në gjuhë e letërsi. Ende ruaj fletoret me shkrimin e tij, kur më kryente detyrat e vështira të matematikës apo me vargjet e poezive në fletë të fshehura brenda tyre. Nuk e di kur jam dashuruar në të. Kur luanim pjesë të ndryshme teatrale, mbrëmjeve poetike, kur ai ishte ylli i mbrëmjes apo gjatë ekspozitave kur ishte më i miri në çdo konkurs ku ishim bashkërisht pjesëmarrës. Pas kryerjes së shkollimit të mesëm, të dy konkuruam për pranim në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ngaqë e shihnim si rrugën më të duhur për përmbushjen e idealit tonë, që populli ynë të ketë oficer të shkolluar për luftën, që e kishim të patjetërsueshme.
Universitetet i keni pasur të ndara pasi keni studiuar në profesione të ndryshme, na flisni për lidhjet tuaja dhe jetën studentore nën regjimin kriminel serb?
Pasi u regjistruam, unë u dënova për demonstratat e vitit 1981, ku isha pjesëmarrëse bashkë me Agimin, por për mua kishte fakte me foto që isha pjesëmarrëse dhe me dënuan me largim nga partia Komuniste dhe largim nga shkolla e mesme, ku isha në përfundim të vitit të katërt.
Kjo më privoi nga e drejta në pjesëmarrjen e konkurrimin për Akademinë Ushtarake që patëm planifikuar bashkërisht dhe na u ndanë rrugët për 5 vite të tëra, që i kaluam me letra e telefonata të vazhdueshme për përmbushjen e boshllëkut që na krijoi largësia. Agimi kreu Akademinë e Komunikacionit në Kroaci në shkollën prestigjioze ‚“Ivan Goshnjak“‘ dhe doli si kapiten i klasit të parë dhe unë e kreva Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë si dhe drejtimin për edukatore.
Pas martesës për katër vite me radhë jetuam në Bosnjë Hercegovinë, ku na lindën dy djemtë, Jetoni dhe Edoni dhe me fillimin e luftës në Kroaci pas një etape të vështirë luftimesh sapo siguruam pasaportën për mua dhe fëmijët migruam në Zvicër, ku jetoj ende bashkë me tre fëmijët tanë.
Në Zvicër na lindi edhe vajza Lorina, që ishte misi i babit.
Heroi Agim Ramadani ka qenë Komandant i Brigadës 138 në Betejën e Koshares, vendi ku u hoq kufiri shqiptaro-shqiptar, si e përshkruani këtë betejë heroike?
Si e përjetuat rënien në krye të betejës më 11 prill, 1999 si bashkëshort dhe si Hero, ku ishit ne atë moment kur ju njoftuan për rënien e Tij në Luftë për Kosovën? Në atë betejë janë vrarë gjithsej 113 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishit mundësi të komunikonit me familjet e dëshmorëve në atë kohë?
Që kur migruam e kam pasur të qartë se sapo të fillojë lufta në Kosovë Agimi do t’i bashkohet ndër të parët, se ai ishte rritur me atë ideal, ishte formuar dhe profesionalizuar mu për atë.
Andaj, isha e përgatitur për të gjitha pasojat që do të sillte lufta për liri, e dija që nuk do ta kem të lehtë në rast se i ndodhte diç Agimit,ashtu siç e dija se isha mjaft e fortë ta vazhdoja e vetmuar me dashurinë e përjetshme për të dhe idealin tone, për Lirinë e Atdheut.
Por ajo që s’mund ta mirrja me mend është fakti se si kaq shpejt do të mund të harronim sfidat, dhimbje,gjakun dhe luftën tonë shumë shekullore për liri!
Lufta në Koshare ishte mu ashtu siç e përshkruajnë kriminelët serb në filmat dokumentarë, që i kanë realizuar për t’i mbuluar humbjet e shumta. E egër, e vështirë dhe e përgjakshme skajshmërisht.
Unë isha vetëm një javë në atë betejë dhe pashë si dukej ferri.
Pashë aq shumë vrasje e ushtarë të gjymtuar e të vrarë sa humba ndjenjën e dhimbjes dhe të emocionit. Ushtarë, që në vend të mbështjelljes së plagës parapëlqenin një kafshatë bukë ngaqë kishte humbur aq gjak sa aq i bënte nëse do të jetonte pas plagëve të marra, ai dinte arsyen pse i kishte ato plagë, falë atdheut dhe lirisë së tij për të cilën kishte fluturuar, nga Amerika, nga Australia, nga Azia e çdo cep Evrope, ku ishin takuar në frontin për çlirimin e atdheut, të atdheut që kishin njohur përmes dashurisë së prindërve dhe përmes mallit të gjyshërve që kishin migruar nga dhuna serbe në tërë botën dhe falë asaj dashurie ata ishin aty, roje atdheu për të cilin flijoheshin me vet dëshirë!
Shokët e Agimit më njoftuan se Agimi ishte i plagosur dhe më kërkonte në front, u nisa me bindjen se diçka nuk shkon, se Agimi i plagosur duhej të sillej në shërim në Zvicër e jo të dërgohej në një shtet tjetër dhe sapo arrita më kumtuan lajmin e kobshëm, të cilin e ndjeja thellë në shpirt, por se pranoja assesi dhe vendosa se sapo të arrija në Bajram Curr, në rast se e kanë varrosur pa mua, do ta zbuloja ta shikoja e përqafoja për të fundit herë, por as kjo nuk m’u lejua, ngaqë kishte vetëm një ditë që ishte varrosur dhe zbulimi i varrit kërkonte procedura ligjore. Nuk doja të bindesha nga ligji, por u binda nga varret e reja që ishin afër Agimit, secili nga ushtarët e rënë ato ditë, ishte më i ri se Agimi. A kisha të drejtë ta veçoja nga shokët e tij nga ushtarët, që i deshi ma shumë se fëmijët e tij!
Dhe, pranova mos ta shihja më kurrë, përveçse në ëndrra që më përcillnin vazhdimisht dhe në dëshirën e pashuar, ta kisha përqafuar edhe një herë.
Dhe qëndrova në atë luftë të tmerrshme ku vetë m’u dash t’i bindja ushtarët në front dhe në spitalin ushtarak të Tiranës se Agimi nuk ishte i vdekur, gënjeshtër ishte lajmi i shpërndarë se Agimi kishte rënë. Më duhej të përbija lotët e të bindja secilin se sapo bisedova me Agimin dhe më dërgoi t’i lajmëroj që ishte shëndoshë e mirë dhe i priste në Kosovë vetëm të ishin të fortë dhe të bashkuar ashtu siç i donte ai, vetëm për të ngritur moralin e tyre, ngaqë çdo aksion dhe betejë e suksesshme lidhej me emrin e tij dhe lidhja emocionale e Agimit me ushtarët ishte aq e fortë sa frikoheshim se do të binte komplet fronti në rast se kuptohet se Agimi kishte rënë.
Kur Komandant, Rrustem Berisha, deshi të m’i dorëzonte armët e Agimit e luta që armët e Agimit të mos pushonin deri të mos mbetej këmbë armiku në atdheun tonë dhe armën e krahut të Agimit ia dorëzova atij, ndërsa armën e dorës shokut të tij, Xhafer Gashit. Ajo që ka qenë më e vështira gjatë kësaj kohe sa kam qëndruar në luftën e Koshares, ku kam bartur uniformën e Agimit dhe armët e tija ishte lajmi mbi vrasjen e shokut të pushkës, Salih Çekut!
Ju keni tre fëmijë: Jetonin, Edonin, dhe Laurinën, si ka qenë rritja e tyre pa baba dhe konkretisht si janë integruar me jetën?
Vitet ikin fëmijët u rritën me dashurinë time të paskajshme, me shpresën të mos i lazdroja duke u dhuruar dashurinë e të dyve, u shkolluan e u bënë kuadro të suksesshme në Zvicër, ku jetojmë ende. Një kohë i ktheva në Kosovë për të përmbushur amanetin e Agimit, ku qëndruam për 10 vite, por meqë Kosova ende nuk ofronte kushtet me të cilat ishin rritur dhe shkollimi nuk ishte në nivelin që kërkonim, vendosëm prapë të ktheheshim në Zvicër dhe fëmijët të kryenin shkollimin dhe profesionalizmin e tyre të duhur. Të gjithë kanë krijuar familjet e tyre dhe perëndia më ka bekuar me nuse të mira nga Kosova dhe nipat Agimin, Kolosin dhe mbesat Katanen dhe Emën.
Projektet e mia të realizuara pa Agimin, janë të mangëta, pas luftës së Kosovës u shfaq kërkesa për operacione të rënda emergjente për ushtarët e lirisë, e Kosova e lënduar, nuk mund t’i ofronte.
Cilat janë disa nga projektet tuaja të realizuara si dhe për të ardhmen?
Bashkë me dy shoqe të mia Anelies Schneller dhe Valdete Hotnjani, krijuam Shoqatën ‘’Shpresa”, përmes së cilës sollëm në Zvicër për operime të rënda mbi 120 ushtarë, që kishin humbur pjesë të trupit. Tani jam në përgatitje të ‘’Fondacionit Agim Ramadani’’, i cili do të merret me zbardhjen e materialeve letrare dhe artistike, që ka lënë prapa Agimi, me ndihmën e familjarëve të dëshmorëve dhe ushtarëve të lirisë, si dhe mbështetjen e vlerave të studentëve shembullor për studime jashtë vendit në drejtimin e artit dhe të letërsisë.
Shpresoj shumë se me këtë projekt do të arrijmë të ndihmojmë njerëzit me të cilët do të mburret Kosova.
Bota nuk pushon nga luftërat shpesh më duket sikur po cmendet dhe po del nga binarët, ja konkretisht jemi në luftën ruso ukraniase, ku kjo e fundit është pushtuar nga Putini-Hitler, shumë ukrainas I janë përgjigjur thirrjes së Atdheut duke lënë rehatinë në vendet perëndimore. Të njejtën gjë bëri dhe Agim Ramadani ku ju jetonit me fëmijët në Zvicër, cfarë do të kujtoni në atë kohe?
Pasojat e luftës vazhdojnë me gjenerata, mu për këtë më dhemb se tani në një pjesë të Evropës po luftohet prapë për mbrojtje të identitetit, të lirisë dhe njerëzores. Fatkeqësisht ata që e përjetojnë më së shumti dhe më së rëndi janë gratë dhe fëmijët.
Uroj që sa më parë bota të vetëdijesohet dhe mos të lejojë luftëra të pakuptimta ngaqë vetëm një jetë kemi dhe kjo të kalohet me luftëra e dhembje është shumë e padrejtë.
Cili është mesazhi juaj për Diasporën Shqiptaro Amerikane?
Diaspora Shqiptare në Amerikë e ka treguar qartë rolin e saj, jo vetëm gjatë luftës së Kosovës, por dhe para e pas saj. Janë pjesë krenare e historisë së sukseseve të Kosovës dhe e lirisë së saj. Janë krenari kombëtare dhe vlerë e veçantë me të cilën mburremi të gjithë. Ende Kosova ka nevojë për mbështetje të kësaj pjese andaj sic thote Kenedi presidenti Amerikan se: “Kurrë mos pyetni çka bëri Atdheu për Ju, por Ju çka bëtë për Atdheun!”
Ju faleminderit fort e nderuar znj.Ramadani për këtë bashkëbisedim motërzor midis nesh!
Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut!
Ju falenderoj znj.Zylo për interesimin dhe kohën tuaj, ju përshëndes dhe përqafoj me dashuri motre!
12 Maj, 2022
New York, USA
Rruga Press