Pas kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Osmani tregon vlerat e kësaj organizate
Pas kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka reaguar presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kosova është mishërim i demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, vlera këto mbi të cilit tha se bazohet Këshilli i Evropës.
Osmani përmes një postimi në Facebook, tha se shpreson që do të përkrahet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.
“DEMOKRACI, TË DREJTA TË NJERIUT, SUNDIM I LIGJIT. Këto janë tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës. Kosova është mishërim i këtyre vlerave. Prandaj secili shtet që vërtetë beson dhe punon për këto vlera, do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka shkruar Osmani.
Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.
Rruga Press