Aplikimi në KE, Kurti: Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi Kosova aplikoi për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
Sipas tij, anëtarësimi në KiE është vlerë e shtuar dhe mundësi për Kosovës që të përparojë më tej.
Reagimi i plotë:
KOSOVA APLIKON PËR ANËTARËSIM NË KËSHILLIN E EVROPËS
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam nismën për anëtarësimin e Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërkaq pak kohë më pas dorëzuam edhe aplikimin për anëtarësim.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Rruga Press