Trupi iu gjend nën rrënoja: Një gazetare dhe producente e njohur u vra në Kiev prej bombardimeve ruse
Gazetarja dhe producentja e Radios Evropa e Lirë, Vira Hyrych, vdiq si pasojë e një rakete ruse që goditi shtëpinë ku ajo jetonte në Kiev. Bombardimi ka ndodhur më 28 prill, kurse trupi i së ndjerës u gjet nën rrënoja mëngjesin e 29 prillit.
Vira Hyrych filloi punën në zyrën e Kievit të Radios Evropa e Lirë më 1 shkurt 2018. Para kësaj, ajo punonte në stacionet kryesore televizive të Ukrainës.
Redaksia e REL shprehu sot ngushëllimet e saj për familjen e Vira Hyrych dhe do ta kujtojë atë si një person të ndritshëm dhe të sjellshëm, një profesioniste të vërtetë.
Si pasojë e granatimeve të djeshme të Kievit nga raketat ruse, kati i parë dhe i dytë i një pallati banimi 25-katësh u shkatërruan pjesërisht dhe aty shpërtheu një zjarr. Sipas autoriteteve të qytetit, katër persona të tjerë janë të shtruar në spital.
Bombardimet në Kiev më 28 prill ndodhën në mes të një vizite të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres .
Presidenti Vladimir Zelensky tha se Rusia qëlloi kundër Kievit “menjëherë” pas përfundimit të bisedimeve të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i komentoi sulmet me raketa të djeshme në Kiev, duke thënë se armët me precizion të lartë me rreze të gjatë shkatërruan objektet e prodhimit të ndërmarrjes së raketave Artem dhe industrisë hapësinore në Kiev.
Por, autoritetet ukrainase nuk raportuan për “shkatërrim të ndërtesave të prodhimit” të uzinës së mbrojtjes Artem.
Bombardimi i Kievit: trupi i së ndjerës u gjet nën rrënoja
Ekipet e shpëtimit e gjetën trupin e viktimës nën rrënojat e një ndërtese banimi në Kiev, mbi të cilën u qëllua nga ushtria ruse mbrëmë, tha kryebashkiaku Vitaliy Klitschko.
“Ekipet e shpëtimit që po vazhdojnë të inspektojnë dhe çmontojnë rrënojat e një ndërtese banimi në lagjen Shevchenkivskyi, ku një raketë goditi dje, sapo kanë gjetur trupin e të ndjerës,” shkroi ai në Telegram .
Më parë, zyrtarët e qytetit raportuan dhjetë viktima, katër prej të cilëve u shtruan në spital .
Mbrëmjen e 28 prillit, trupat ruse bombarduan Kievin, si rezultat i së cilës, katet e parë dhe të dytë të një ndërtese banimi 25-katëshe në lagjen Shevchenkivskyi të kryeqytetit ukrainas u shkatërruan pjesërisht.
Rruga Press