Çdo gjë është rritur, INSTAT: Produktet ushqimore dhe nafta nga 10-23% më shtrenjtë në mars
Vaji i lulediellit është produkti që ka regjistruar rritjen më të lartë të çmimit në muajin mars.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, çmimi i tij gjatë muajit të kaluar është rritur me 22.8% në krahasim me marsin e vitit 2021.
Aktualisht një litër vaj për gatim kushton 315 lekë referuar vendimit të fundit të Bordit të ushqimeve, ndërsa çmimi më i lartë i këtij produkti u pa pikërisht gjatë muajit të kaluar duke arritur deri në 400 lekë për litër.
Shtrenjtimi i këtij produkti ndërkohë është bërë objekt i hetimit të Autoritetit të Konkurrencës pas dyshimeve për abuzime në treg.
Me të njëjtën rritje çmimesh përballen konsumatorët edhe për produktet e tjera ushqimore.
Buka dhe drithërat janë rritur me 15.5%, perimet me 11.4% dhe qumështi, veza e djathi me 10.5%.
Pas tyre, vjen sheqeri dhe ëmbëlsirat, të cilat kanë regjistruar gjithashtu një shtrenjtim me rreth 10%.
Pothuajse gjithçka ka qenë më e shtrenjtë në muajin mars, përveç shërbimeve shëndetësore, të cilat kanë regjistruar një ulje me 0.2 përqind.
Rritja më e lartë e çmimeve në raport me një vit më parë vërehet në grupin e transportit me 12.8%, ku duket se ka ndikuar çmimi i lartë i karburanteve, i cili në mars arriti kulmin prej 290 lekë për litër.
Rruga Press