Lajme

Marrëveshja për targat, negociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel me Lajçak

Në Bruksel ka nisur takimi midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave.

Fillimisht Bislimi do të mbajë takim vetëm me Lajçakun dhe më pas në takim do të bashkohen edhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës.

Më herët gjatë 21 prillit, Lajçaku zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.

Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë, kjo do të ishte një tregues se palët po i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e mundur.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e makinave nga Kosova dhe atyre nga Serbia që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Nga burimet në BE-së më herët thanë se për çështjen e targave janë identifikuar disa ide, por palët e kanë përgjegjësinë që të pajtohen për njërën prej këtyre zgjidhjeve.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Lajçaku, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.

“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçaku në Twitter.

Të enjten (21 prill) pritet të mbahet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Takimi i praparë për të enjten në Bruksel, pritet të mbahet rreth orës 13:00.


Ndërkaq, një ditë para skadimit të afatit, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçaku nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Deri më tash, palët nuk kanë dhënë sinjale – të paktën jo publikisht – se janë afër një marrëveshjeje të përhershme për targat.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë, thotë se arritja e kompromisit eventual për çështjen e targave është e vështirë, marrë parasysh se, deri më tash, nuk duket se ka përafrim ndërmjet palëve.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Demhasaj thotë se tani ekzistojnë dy opsione: që marrëveshja e përkohshme të vazhdohet edhe për një kohë, ose që palët të kthehen në pozicionet fillestare, që kanë qenë para marrëveshjes së përkohshme.

Edhe Dushan Radakoviq, nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike”, me seli në Mitrovicën e Veriut, nuk pret që palët të arrijnë marrëveshje të përhershme për targat deri më 21 prill, edhe pse, sipas tij, palët kanë dhënë disa propozime.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit në Serbi i kanë parë si kërcënim./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *