Lajme

Fehlinger: Kosova të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe BE, bota duhet të qëndroj e bashkuar kundër mizorive të Putinit

Ekonomisti austriak Gunther Fehlinger ka folur rreth ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor dhe luftën në Ukrainë.

Pas kësaj lufte, Fehlinger e sheh Rusinë humbëse, ndërsa Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më të fortë dhe më të bashkuar.

Ndër të tjera ekonomisti austriak thotë se Putinin e sheh si një Millosheviq të ri, derisa bëri thirrje që bota e civilizuar të qëndrojë e bashkuar kundër mizorive të tij.

Ai në një intervistë për “The Geopost”, ka folur edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

“Po bëj thirrje që shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut të jenë shumë shpejt në BE, deri në vitin 2024, në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Këta tre aleatë të NATO-s, të cilët janë të plotë në harmoni me politikën tonë evropiane, duhet të jenë plotësisht në BE, janë të gatshëm për këtë, dhe mendërisht janë në botën tonë të lirë dhe kjo është e rëndësishme. Ne duhet t’i mbështesim më shumë. Pastaj, Bosnja dhe Kosova duhet të marrin para së gjithash ftesën për anëtarësim në NATO, për të qenë të sigurt, dhe statusin e kandidatit në BE, sepse duhet të shkojnë drejt hapit tjetër, dhe gjithashtu duhet të jemi të qartë se Serbia, sidomos tani pas zgjedhjeve të fundit, nuk është gati për anëtarësim në BE, kështu që statusi kandidat i Serbisë në BE duhet të ngrihet”, është shprehur Fehlinger.

Fehlinger ka shtuar se Bashkimi Evropian duhet të jetë më e ashpër me Serbinë sa i përket qështjes së dialogut me Kosovën, duke theksuar se BE-ja në 10 vitet e fundit është treguar shumë e butë me Serbinë.

Intervista e plotë:

Si e vlerësoni agresionin rus në Ukrainë dhe dështimin e Rusisë përballë Ukrainës? Sepse siç dihet publikisht plani i Putinit për të pushtuar Ukrainën për 48 orë ka dështuar!

Para së gjithash, është një luftë, është një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës dhe kundër gjithçkaje që është e rëndësishme për Evropën. Nuk është vetëm agresion, është një formë gjenocidiale e një lufte brutale që po bën Rusia dhe është shumë mirë që Kosova dhe të gjithë janë të bashkuar kundër këtij veprimi të tmerrshëm. Nëse po dështon, unë shpresoj se po, dhe faza e parë e fushatës së Rusisë ka dështuar. Ata nuk kanë qenë në gjendje të marrin Kievin dhe forcat e tyre janë shkatërruar rreth Kievit, por tani po fillon një fazë e dytë e luftës dhe ata planifikojnë një sulm masiv në juglindje të rajonit të Ukrainës dhe Donbasit dhe në zonën e Carson, Melitopol dhe Mariupol, dhe ky është veçanërisht krim i tmerrshëm lufte që po kryen Rusia. Ata kanë mbi 5000 njerëz të konfirmuar se janë vrarë në Mariopol. I gjithë qyteti është granatuar dhe shkatërruar, është një formë e egër dhe e tmerrshme e krimeve të luftës.

Unë personalisht kam besim se Rusia do të mposhtet, por ne të gjithë në NATO, BE dhe të gjithë ata që janë në botën e lirë duhet të mbështesim Ukrainën në këtë moment, gjithashtu se ata janë në gjendje të mbrojnë dhe kundërsulmojnë dhe ta fitojnë këtë luftë tani.

Cila duhet të jetë përgjigja e bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht e BE-së dhe NATO-s, nëse Rusia nuk tërhiqet nga lufta në Ukrainë?

Mendoj se këtu duhet të jemi shumë të rreptë, para së gjithash duhet të izolojmë Rusinë, ta izolojmë në Kombet e Bashkuara, ta izolojmë edhe në G-20, ta izolojmë edhe nga OSBE-ja, kjo është shumë e rëndësishme, por edhe në OBT, dhe të sigurohemi që në të gjitha forumet ndërkombëtare, Rusia nuk duhet të ftohet më dhe asnjë lloj vizite e zotit Putin, ai gjithashtu duhet të bojkotohet. Është shumë e rëndësishme të kemi një bojkot të plotë të energjisë dhe një embargo të plotë tregtare. BE-ja tani ka vendosur të ndalojë qymyrin rus dhe ky është hapi i parë, por gjithashtu duhet të ndalohet gazi, nafta dhe uraniumi dhe të gjitha substancat e tjera dhe aspektet tregtare me Federatën Ruse. Ne duhet t’i ndërpresim lidhjet tona dhe ta bëjmë shumë të qartë, nuk do të tregtojmë me Rusinë derisa ato të tërhiqen plotësisht nga territori i Ukrainës, dhe unë bëj thirrje për çlirimin e plotë të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe Donbasin.

A mendoni se ka ngjashmëri mes luftës në Kosovë dhe asaj në Ukrainë, përkatësisht krimeve të Serbisë dhe Millosheviqit në Kosovë dhe krimeve të Rusisë dhe Putinit në Ukrainë?

Po, është shumë e ngjashme, mendoj se Putini është Millosheviçi i ri, ai po përsërit saktësisht modelet e Millosheviçit. Ju mund të krahasoni krimet si Srebrenica, Raçaku dhe shumë nga mizoritë dhe dhunën gjenocidale që forcat serbe në vitet ’90 kanë kryer në Bosnje dhe në Kosovë, është saktësisht e njëjta përpjekje që Rusia po përdor tani në Ukrainë. Është një paralele e tmerrshme, por është pikërisht kështu dhe mendoj se bota e qytetëruar duhet të qëndrojë e bashkuar kundër mizorive të tilla, ato nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin, dhe sikur tani që Kosova dhe Bosnja janë të lira, kam besim se edhe Ukraina do të jetë e lirë dhe do ta fitojë këtë luftë.

Zoti Gunther, ju njiheni për mbështetjen tuaj të fortë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE dhe NATO. Na tregoni pak se si e shihni perspektivën e këtij procesi dhe sfidat e tij, veçanërisht tani pas agresionit rus në Ukrainë!

Lufta është e tmerrshme, dhe unë kam besim dhe shpresoj se do ta fitojë Ukraina. Por kjo ka treguar gjithashtu se ne kemi humbur një dekadë, dekadën e fundit BE-ja nuk ka qenë mjaft aktive dhe tani kemi pasojat. Politika e paqes e zonjës Merkel ndaj Putinit dhe Vuçiqit nuk ka funksionuar, ishte një gabim i tmerrshëm. Ne duhet t’i mbështesim më shumë miqtë tanë dhe duhet të sigurohemi që kur dikush është jashtë kontekstit të botës së lirë, duhet të jemi shumë të qartë përballë tyre. Pra, po bëj thirrje që shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut të jenë shumë shpejt në BE, deri në vitin 2024, në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Këta tre aleatë të NATO-s, të cilët janë të plotë në harmoni me politikën tonë evropiane, duhet të jenë plotësisht në BE, janë të gatshëm për këtë, dhe mendërisht janë në botën tonë të lirë dhe kjo është e rëndësishme. Ne duhet t’i mbështesim më shumë. Pastaj, Bosnja dhe Kosova duhet të marrin para së gjithash ftesën për anëtarësim në NATO, për të qenë të sigurt, dhe statusin e kandidatit në BE, sepse duhet të shkojnë drejt hapit tjetër, dhe gjithashtu duhet të jemi të qartë se Serbia, sidomos tani pas zgjedhjeve të fundit, nuk është gati për anëtarësim në BE, kështu që statusi kandidat i Serbisë në BE duhet të ngrihet.

Kjo është shumë e qartë, sepse ata, për fat të keq, vitet e fundit janë afruar shumë më shumë me Rusinë në fushën e informacionit, ata lejojnë ende që shumë nga lajmet e rreme nga pala ruse të përhapen. Ata nuk e kanë mbyllur hapësirën ajrore mbi Serbinë për aviacionin rus, nuk i janë bashkuar sanksioneve të BE-së, madje Vuçiq e ka thirrur tani Putinin për marrëveshje të lira energjie etj.

Kjo nuk është e pranueshme dhe ata nuk i janë bashkuar asnjë prej sanksioneve tona kundër Rusisë. Pra, ajo për të cilën unë bëj thirrje është ngrirja e statusit të Serbisë nga BE, duke shpresuar se do të ishte një tronditje që ndryshon situatën në Serbi, sepse ky strumbullar pro-rus është i papranueshëm. Dhe pas ngrirjes së Serbisë, ne duhet të jemi shumë të qartë se ne gjithashtu mbështesim statusin e mundshëm kandidat në BE të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, këtyre tre vendeve pro-perëndimore dhe shohim se sa pro-perëndimore është Ukraina tani. Ata janë vërtet një vend pro-perëndimor dhe pro-evropian, dhe kështu ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar në BE. Por nëse Serbia nuk është sërish e gatshme për ndryshimet drejt perëndimit, atëherë Serbia duhet të izolohet.

Së fundmi keni vizituar Beogradin dhe Prishtinën, cila është përshtypja juaj për këto dy vende dhe a besoni se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës?

Absolutisht, kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Unë në fakt isha para 2 javësh, më 24 mars, për vizitë në Beograd, sepse për fat të keq në Beograd ka një narrativë të gabuar, të propaganduar, nga disa forca nacionaliste dhe socialiste, të cilat thonë se 24 marsi i 1999-ës ishte goditje për Serbinë, por më 24 mars 1999 filloi çlirimi edhe i Serbisë, padyshim i Kosovës dhe Malit të Zi. Fundi i Millosheviqit ishte çlirim edhe i Serbisë, dhe kështu mendoj se duhet parë. Unë jam shumë kritik për disa segmente të shoqërisë serbe, të cilat e shohin veten si viktimë e agresionit të NATO-s, kjo është absolutisht e gabuar, ne kurrë nuk kemi dashur të agresojmë askënd. NATO kurrë nuk ka dashur të sulmojë, ishin forcat gjenocidale të Millosheviqit që i bënë të gjitha këto krime dhe ata duhej të ndaloheshin. Pra, ata u ndaluan, dhe unë mendoj se ne të gjithë mund të jemi shumë krenarë për këtë dhe duhet të jemi shumë të qartë se ne vazhdojmë të mbështesim pro-serbët dhe elementët pro-evropianë në Serbi dhe këtë duhet ta bëjmë shumë të qartë.

Kur është fjala për njohjen, nëse e keni parë kanalin tim “YouTube”, keni parë që kam qenë në Sheshin e Republikës në Beograd dhe kam bërë thirrje që Republika e Serbisë ta njohë Republikën e Kosovës dhe kjo duhet të ndodhë tani.

Unë kam publikuar në mediat austriake, se edhe BE-ja duhet t’i propozojë Serbisë diçka në rastin e njohjes, mendoj që BE-ja duhet t’ia japë EURO-n si valutë Serbisë në momentin e njohjes së Kosovës. Kjo do të ishte shumë e mundshme siç e keni parë, në Mal të Zi dhe në Kosovë EURO është valuta. Kjo ofertë do të duhej të ishte një. Pezullimi i statusit kandidat nëse vazhdojnë të punojnë me Rusinë, por nëse Serbia kthehet në botën e lirë dhe e njeh Kosovën dhe gjithashtu i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë në solidaritet me Ukrainën, atëherë duhet të marrin edhe monedhën EURO për Serbinë dhe gjithashtu premtimin se Kosova, Bosnja dhe Serbia mund të anëtarësohen në BE së bashku në 7 vite , në 2029, dhe pastaj serbët, Kosova dhe boshnjakët do të jenë në një farë mënyre të bashkuar në BE si shtete anëtare të pavarura e të lira. Ata do të jetojnë të lirë në kuadrin e Bashkimit Evropian, Bashkimit Doganor, dhe të gjithë do të votojnë për një parlament të përbashkët evropian dhe do të ketë paqe në Evropë për një kohë të gjatë. Dhe unë mendoj se është një vizion i fuqishëm, ne duhet t’i bëjmë Serbisë këtë ofertë, ose qëndroni me Rusinë e Putinit dhe refuzoni, ose vini tek ne dhe e njihni Kosovën, mbështesni Ukrainën dhe jeni pjesë e plotë si shtet anëtar në BE nga 2029-a. Dhe unë mendoj se kjo është oferta që Europa duhet ta bëjë tani.

A mendoni se Serbia e ka mashtruar Bashkimin Evropian dhe po vazhdon lojën me dy karrige? A mendoni se BE-ja duhet të jetë më e rreptë me Serbinë në përcaktimin e pozicionit të saj?

Po, absolutisht, sepse në 10 vitet e fundit BE-ja ishte shumë e butë me Serbinë, pastaj dialogu, ky ishte dialogu i memecit tek i shurdhëri. Serbia nuk ka negociuar me mirëbesim, ka qenë gjithmonë për shtyrje, vonesë dhe disi simulim të një dialogu. Pra, tani duhet të bëjmë shumë qartë pyetjen: Serbi, a dëshiron të jesh me ne, me Evropën, apo me Rusinë? Nëse jeni me ne në Evropë, atëherë duhet ta njihni Kosovën.

Kohët e fundit është paralajmëruar se Rusia përmes strukturave të saj mund të tentojë të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, cili është komenti juaj?

Po, Rusia ka një strategji shumë strikte anti-Ballkanit Perëndimor. Ata kanë qenë jashtëzakonisht aktivë në Mal të Zi, ku ishte një situatë shumë e rrezikshme. Po ashtu në Maqedoni. Por, padyshim në Serbi kanë dominuar politikën serbe në 15 vitet e fundit. Gjithashtu në Bosnje, Rusia ka një rol të fortë për fat të keq, dhe ne në 10 vitet e fundit nuk kemi bërë përparim të madh, i vetmi sukses i madh që patëm ishte anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO, dhe kjo ishte me të vërtetë shume e rëndësishme. Momenti logjik tani është që Kosova dhe Bosnja, të cilat janë të siguruara nga NATO përmes KFOR-it dhe IFOR-it, duhet gjithashtu t’i bashkohen aleancës së madhe, NATO-s, për t’u siguruar nga një konfrontim potencial i rrezikshëm me Serbinë dhe ky është hapi tjetër në këtë moment për të kundërshtuar ndikimin rus në Ballkan.

Pavarësisht shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njohjes ndërkombëtare dhe vendimit të GJND-së, UNMIK-u vazhdon misionin e tij në Kosovë. Kohët e fundit ka pasur raste kur zyrtarët rusë të UNMIK-ut janë shpallur non grata, sepse e kanë përdorur UNMIK-un për operacione spiunazhi. Cili është vlerësimi juaj, a duhet të përfundojë misioni i UNMIK-ut në Kosovë?

Së pari, për njohje, dua që së pari t’u bëj thirrje vendeve të NATO-s dhe BE-së që të njohin Republikën e Kosovës, sepse nuk kam më durim që Spanja të thirret çështjen e saj të Katalonjës. Sllovakia dhe Rumania të thirren në brishtësinë e tyre të brendshme. Ose Greqia dhe Qiproja. Sidomos për Greqinë, unë me të vërtetë bëj thirrje për njohje shumë shpejt në këtë moment, sepse ata gjoja janë aleat i madh i SHBA-së, ata gjithmonë e thonë këtë. E njëjta gjë edhe për Qipron, mendoj se ky vend duhet ta njohë Kosovën. Unë gjithashtu bëj thirrje që Bosnja të njohë Kosovën. Veçanërisht për Ukrainën, kjo është shumë e rëndësishme, tani ata e shohin saktësisht se si është situata dhe ata duhet të jenë shumë përkrahës për Kosovën, sepse Kosova është mbështetëse e Ukrainës, ka edhe Moldavinë dhe Gjeorgjinë që të vijnë në pikën për të njohur Republikën e Kosovës.

Kur është fjala për UNMIK-un, mendoj se është e mundur t’i jepet OKB-së një rol të fortë këtu në Kosovë, është gjithashtu e mundur që të kemi një qendër për operacionet paqeruajtëse këtu në Kosovë. Ndoshta kjo është më mirë në vend që të jemi kundër UNMIK-ut, të ndryshojmë mandatin dhe të kemi një formë të re të misionit në një lloj të ri të një marrëveshjeje me OKB-në këtu në Kosovë, por misioni i UNMIK-ut, siç ishte në të kaluarën mendoj se nuk është më i nevojshëm në atë formë. Padyshim që unë mendoj se për shkak se shumë njerëz që kanë shërbyer në UNMIK kanë bërë punë të jashtëzakonshme me zemër me popullin e Kosovës, duhet të ketë një lloj konsensusi për të zbutur apo transformuar këtë mision në një mision të ri mbështetës ndaj Kosovës, por misionit aktual mendoj se duhet t’i vijë fundi, sepse nuk ka bazë për këtë sepse Republika e Kosovës tani është e pavarur dhe sigurisht që ka nevojë për mbështetje, ndihmë, miqësi dhe anëtarësim në OKB, por jo më këtë formë.

Si e shihni të ardhmen e Bashkimit Evropian, NATO-s, Rusisë?

Ne do të jemi për një kohë të gjatë në një konfrontim me Rusinë dhe kjo është e pashmangshme. Shpresoj se do të ketë një rënie të Putinit, shpresoj që Rusia të kthehet në botën demokratike dhe të lirë, ishte në botën demokratike dhe të lirë deri diku në vitet ’90, deri kur KGB dhe Putin si instrument e bënë këtë grusht shteti me luftën e Çeçenisë dhe tani ata kanë 20 vjet që dominojnë Rusinë. Unë shoh se rezultati i kësaj lufte të tmerrshme është më shumë unitet i BE-së dhe NATO-s për të pasur një marrëveshje partneriteti midis BE-së dhe SHBA-së dhe më pas marrëveshja e re tregtare, një marrëveshje e re partneriteti. Dhe ju e keni parë që BE dhe NATO, në thelb takohen së bashku, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ftohet në këshillin e BE-së dhe tek ministrat. Ishte hera e parë që presidenti amerikan mori pjesë në takimin e krerëve të shteteve të BE-së tani në mars, kjo është shenjë historike e unitetit të perëndimit dhe këto janë gjithashtu shumë të nevojshme.

Pra, rezultati i kësaj lufte të tmerrshme është se edhe Ukraina do të anëtarësohet në BE dhe NATO, Ballkani, vendet properëndimore, ne do të shohim të ardhmen e Serbisë, ata do të anëtarësohen në BE dhe NATO dhe ne të gjithë do të jemi shumë më të bashkuar në Perëndim, në botën e lirë, dhe tani duhet të ndërtojmë një kordon sanitar, një izolim rreth Rusisë dhe aleatëve të saj si Bjellorusia, Siria apo shtete si Eritrea dhe t’i izolojmë gjithnjë e më shumë. Mendoj se do të jemi në një lloj të lufte të dytë ftohtë , por njesoj si në luftën e parë të ftohtë, sigurisht që do të fitojmë, sepse ekonomikisht, strategjikisht, jemi të bazuar ne vullnetin dhe kapacitetin e të gjithë popullit tonë dhe jemi shumë të fortë si Perëndim, nëse jemi të bashkuar. Kjo eshte çfarë jemi ne dhe kështu do ta frenojmë Rusinë dhe do ta fitojmë këtë luftë të dytë të ftohtë. 

Rruga Press

Lexo më shumë  Sveçla në Samitin për Digjitalizim në Estoni: Siguria Kibernetike si Prioritet për Ballkanin Perëndimor

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *