Përgjohen rusët, dëgjohen bisedat e tyre për vrasjet e civilëve në Ukrainë
Transmetimet radiofonike në të cilat ushtarët rusë duket se flasin mes tyre për kryerjen e vrasjeve të paramenduara të civilëve në Ukrainë, janë përgjuar nga shërbimi i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, ka thënë një burim i afërt me gjetjet, raportoi The Guardian të premten.
Provat u paraqitën nga zyrtarë të shërbimit të huaj të inteligjencës, BND, para parlamentarëve të mërkurën.
Raportet e komunikimeve u botuan fillimisht në gazetën gjermane të lajmeve Spiegel, e cila tha se komunikimet kishin të bënin me mizoritë e kryera në Bucha, në veri të Kievit.
Disa prej tyre përputhen drejtpërdrejt me vendndodhjet dhe objektet e treguara në foto që dokumentojnë pasojat e vrasjeve, raportoi gazeta.
Një varr masiv u zbulua në Bucha bashkë me dhjetëra kufoma civilësh në tokë, pas tërheqjes së ushtrisë ruse. Duart e disa prej të vrarëve ishin të lidhura, teksa kufoma të tjera shfaqnin shenja torture. Gra dhe fëmijë besohet se janë në mesin e viktimave.
Qeveria ruse ka mohuar se ushtarët e saj kanë kryer vrasjet, të cilat liderët botërorë i kanë përshkruar si krime lufte. Rusia vazhdimisht pretendon se vrasjet janë inskenuar. Megjithatë, numri në rritje i dëshmitarëve ka ngritur edhe vërtetësinë e raportit.
Në komunikime, ushtarët rusë pretendohet se kanë diskutuar se si kishin marrë në pyetje ushtarët ukrainas dhe civilët para se t’i qëllonin.
Në një prej bisedave, një zë dëgjohet duke i thënë dikujt se si ai dhe të tjerë ushtarë rusë qëlluan një person i cili kishte qenë në biçikletë. Një nga shumë fotografitë e mizorive që kanë qarkulluar në botë ishte edhe ajo e një kufome pranë një biçiklete.
Në një tjetër bisedë, një burrë dëgjohet të thotë: “Fillimisht merr në pyetje ushtarët, më pas i qëllon”.
Rruga Press