Ekskluzive/ Paratë e mafias në Shqipëri, Ndragheta e përfshirë në disa sektorë të ekonomisë
Raporti i fundit i Antimafias italiane për vitin 2021 evidenton përfshirjen e grupeve autoktone të Ndraghetas në sektorët e ekonomisë në shtetin fqinj, por edhe në Shqipëri. Sipas dokumentit, kompani fiktive në Itali dhe Shqipëri janë përdorur për pastrimin e fondeve me origjinë nga aktiviteti kriminal. Në raport thuhet se shqiptarët kanë kapacitet për të trafikuar sasi të mëdha kokaine dhe janë gjithnjë e më prezentë në veri të italisë ku trafikojnë heroinë në bashkëpunim me turqit.
Antimafia italiane ka dorëzuar në parlament raportin e vitit 2021 në të cilin theksohet se grupet kriminale shqiptare janë konsoliduar në trafikimin e drogës, ndërsa ngre dyshime se Shqipëria është përdorur nga grupet autoktone italiane për pastrim parash.
Grupet shqiptare sipas raportit janë pozicionuar qëndrueshëm në territoret e Piemontes e Lombardisë, ku është rritur konsumimi i heroinës, që trafikohet kryesisht nga turqit, përmes kanaleve shqiptare.
Raporti i Antimafias italiane thekson se karakteristika kryesore e grupeve shqiptare është përdorimi i dhunës për zgjidhjen e mos marrëveshjeve dhe përkatësia familjare, ku qyteti ose zona e përbashkët e origjinës është kod i bashkëpunimit.
“Organizimi kriminal shqiptar në Itali është ndër më komplekset e më të artikuluar në skenarin e kriminalitetit të huaj në Itali”, theksohet në raportin e Antimafias Italiane i siguruar eksluzivisht nga RTV Ora e Ora News.
Dokumenti i prezantuar nga ministrja e Brendshme, Luciana Lamorgese, i përket të dhënave të gjashtëmujorit të parë të vitit 2021.
Sipas tij, fushat kryesore të interesit kriminal të shqiptarëve janë trafiku i drogës, trafiku i armëve e trafiku i qënieve njerëzore me qëllim prostitucioni, aktivitet që e kryejnë në bashkëpunim me organizatat kriminale rumune e nigeriane.
Organizatat kriminale shqiptare konsiderohen veçanërisht të konsoliduara në trafikun ndërkombëtar të drogës e të afta për të transportuar sasi të mëdha kokaine e heroine përmes bashkëpunëtorëve të tyre Shqipëri, në Amerikën Qëndrore e në vendet e Ulëta, veçanërisht në Holandë.
Aftësia e grupeve kriminale shqiptare për të vepruar në nivel globale për të siguruar sasi të mëdha droge e me çmime konkuruese ka favorizuar konsolidimin e marrëdhënieve të tyre me organizatat mafioze italiane.
Marrëveshjet mes tyre kanë bërë që të mos kenë konflikte për zotërim territori me kushte që grupet shqiptare të jenë furnizuesit e drogës e grupet e mafias autoktone menaxhuesit e lëndës narkotike në tregun e shitjes në territor.
Raporti evidenton operacionin “Cocorito” i 25 majit 2021 që çoi në sekuestrimin e 375 kg kokainë e marijuanë, arrestimin e 13 trafikantëve shqiptarë, kolumbianë e italianë e lidhjet e tyre me mafian siçiliane të familjes kataneze Cappello-Bonaçorsi.
Sipas raportit, mafia autoktone Ndrangheta, ka raporte të konsoliduara me kriminalitetin shqiptar e amerikano jugor.
Në shtrirjen e mafias kalabreze në çdo sektor të ekonomisë e përtej kufirit kombëtar, në këtë rast në Shqipëri, përmendet si shembull operacioni i koduar “Profilo Basso”, i cili zbardhi se si përmes emrave të personave që nuk merreshin me asgjë, shqiptarë e italianë, sipërmarrësit e lidhur me Ndranghetan kishin ngritur kompani fiktive e pa asnjë aktivitet ekonomik, për ricikluar paratë e trafiqeve të pista.
Rruga Press