Shqipëria paguan mbi 155 mln euro për arbitrazhet, “Becchetti” rezulton çështja më e shtrenjtë
Buxhetit të shtetit do t’i duhet të paguajë një faturë me vlerë 155.7 milionë euro për çështjet që Shqipëria është penalizuar nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit dhe kostot e përfaqësimit ligjor në këto gjykata.
Deri në fund të vitit të shkuar detyrimet për këto vendime janë rritur me 40% më shumë se në vitin 2020, kundrejt një vlere prej 46.2 milionë euro.
Peshën më të madhe në këtë faturë e mban çështja e biznesmenit italian Francesco Becchetti “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
Fatura për këtë gjyq të humbur në vitin 2020 kapte një vlerë 99.5 milionë euro, ndërsa 1 vit më vonë ajo është rritur në 108 milionë euro. Qeveria ka shpenzuar edhe 500 mijë euro të tjera për anulimin e vendimit.
Në total vetëm shpenzimet gjyqësore për këtë çështje i kanë kushtuar buxhetit 2 milionë euro.
Vlerën e dytë më të madhe në faturat e arbitrazhit e zë konflikti për pagesat e detyrimeve për punimet e rrugës Tiranë-Elbasan mes firmës “Copri Construction” dhe “Aktor” për një vlerë prej 38 milionë euro.
Shpenzime të tjera të buxhetit janë edhe për arbitrazhin me kompaninë Strabridge në Portin e Karpenit, firmën Valeria Italia e cila operonte në fushën e kultivimit të pemëve dhe fidanëve.
Ndërkohë janë në proces gjykimi çështjet për Portin e Durrësit, parkun fotovoltaik të Akërnisë dhe ajo për sistemin e kanalizmeve të kryeqytetit me kompaninë Dondi &Kubota.
Rruga Press