363.2 mld lekë qarkullojnë jashtë sistemit bankar në vend
Shqiptarët vijojnë që të përdorin në masë paratë në dorë për të bërë blerje të ndryshme .Kjo është e dukshme nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë. Janë 363.2 mld lekë ose rreth 3 mld euro që kanë qarkulluar jashtë sistemit bankar gjatë muajit shkurt të këtij viti. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky është niveli më i lartë i regjistruar që prej dy dekadash për dy muajt e parë të vitit. Gjatë shkurtit të vitit 2003 kur Banka Qendrore nisi publikim e të dhënave për paratë jashtë kanaleve financiare , në vend janë regjistruar vetëm 123.4 mld lekë duke pësuar thuajse dyfishim të shumës së parave që tashmë qarkullojnë CASH.
Në krahasim me shkurtin e një viti më parë në ekonominë shqiptare rezultojnë se janë 17.5 mld lekë më tepër jashtë bankave.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me informalitetin e lartë në ekonominë shqiptare e cila favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.
Një tjetër faktor në favor të rritjes së parasë cash gjatë këtyre viteve mendohet të jenë edhe normat e ulëta të interesit që mund të kenë nxitur huadhënien informale, në kërkim të interesave më të larta.
Banka e Shqipërisë e cilëson sfidë fenomenin e përdorimit të parasë fizike për të paguar shërbime apo blerë produkte të ndryshme ndërsa jep alarmin se një situatë e tillë pengon efektin e politikave ekonomike
Nisur nga kjo janë ndërmarrë një sërë masash për zgjerimin e numrit të individëve dhe kompanive që të përdorin paratë brenda sistemit bankar.
PARAJA JASHTË BANKAVE
Shkurt 2022 363,2 mld lekë
Shkurt 2021 345,7 mld lekë
Shkurt 2003 123,4 mld lekë
Rruga Press