KryesoreLibri i javes

LIBRI I JAVËS/REVOLTA E TURMAVE-JOSÉ ORTEGA Y GASSET

Kapitulli I – Ardhja e Turmave

Ekziston një fakt, i cili për të mirë apo për të keq sot ka një rëndësi kryekëpute në jetën politike të Europës. E ky fakt është ardhja e turmave në një fuqi të plotë shoqërore. Nga vetë përkufizimi i tyre, turmat nuk duhet e nuk munden të drejtojnë as ekzistencën e tyre, e jo më të qeverisin shoqërinë në përgjithësi, ndaj ky fakt nënkupton që aktualisht Europa po vuan krizën më të madhe që mund të godasë popujt, kombet dhe qytetërimin. Një krizë e tillë ka ndodhur edhe herë të tjera në histori. Karakteristikat dhe pasojat e saj njihen mirë. Po kështu dhe emërtimi. Ajo quhet rebelimi i turmave, ndaj nëse synojmë ta kuptojmë drejt këtë fakt të jashtëzakonshëm, është e rëndësishme të shmangim që në fillim mveshjen e fjalëve “rebelim”, “turma”, dhe “fuqi shoqërore”, me një domethënie përjashtimisht dhe parësisht politike, pasi jeta publike nuk është vetëm politike, por barazisht e madje, parësisht intelektuale, morale, ekonomike dhe fetare. Ajo përmban të gjitha zakonet tona kolektive, duke përfshirë këtu edhe mënyrat e veshjes apo të zbavitjes, e ndoshta rruga më e mirë e qasjes së këtij fenomeni historik do të qe kthimi dhe përqëndrimi i vëmendjes kah një eksperience të dukshme, për t’i mëshuar kështu një aspekti të caktuar të epokës sonë, që shfaqet krejtësisht i qartë para syve tanë. Sidoqoftë, edhe pse shumë i thjeshtë për t’u shpallur, ky fakt nuk është i tillë për t’u analizuar. Unë atë do ta quaj fakti i grumbullimit, i bollëksisë. Qytetet janë plot me njerëz, shtëpitë plot me banues, hotelet plot me bujtës, trenat plot me udhëtarë, kafenetë plot me klientë, parqet plot me shëtitorë, dhomat e vizitave të doktorëve të famshëm plot me pacientë, teatrot plot me spektatorë dhe plazhet plot e pushues. Ajo ç’ka më parë, në përgjithësi, nuk ishte problem, tani ka filluar të quhet një problem i përditshëm, ose e thënë ndryshe, problemi i të gjeturit vend. Ja, kjo është e gjitha. A mund të ketë vallë fakt më të thjeshtë, më të qartë e më konstant në jetën tonë aktuale? Ndaj, le ta zhbirojmë pak sipërfaqen e dukshme të këtij vëzhgimi e do ta ndjejmë veten të habitur teksa shohim të shpërthejë një burim i paparashikuar, në të cilën drita e bardhë e ditës, e ditës sonë aktuale, thyhet në gjithë brezin e saj të pasur ngjyror. Po ç’është vallë ajo që shohim e vështrimi i së cilës arrin të na shkaktojë kaq shumë habi? Ne shohim një shumësi njerëzish që kanë vënë në zotërim vendet dhe instrumentet e krijuara nga qytetërimi. Megjithatë, reflektimi më i lehtë do të na bëjë shpejt të habitemi me habinë tonë. Ç’mund të themi për të? Nuk është ajo gjendja ideale e gjërave? Teatri ka vende që duhen zënë – me fjalë të tjera, ka vende që godina të arrijë të mbushet plot – ndaj njerëzit janë gati të vërshojnë, të ethshëm për t’i zënë këto vende, ata kanë kohë që presin jashtë. Sidoqoftë, edhe pse ky fakt nuk është krejt logjik dhe i natyrshëm, ne nuk mundemi veçse të pohojmë se një gjë e tillë s’kish ndodhur më parë, kurse tani po. Rrjedhimisht, duhet të ketë patur patjetër një ndryshim, një risi, që të arrijë ta përligjë, të paktën në momentin e parë, habinë tonë. Të habitesh, të çuditesh, të pyesësh veten, do të thotë të fillosh të kuptosh. Ky është sporti, lluksi, gjëja speciale e një njeriu intelektual. Gjesti karakteristik i tribusë së tij konsiston në kundrimin e botës me sy të habitur dhe kërshëri plotë, pasi çdo gjë në botë është e çuditshme dhe e mrekullueshme për sytë e tij vigjilent. Aq më tepër që kjo aftësi e të habiturit është ai ngazëllim i mohuar ndaj çdo “tifozi” të zjarrtë futbolli, dhe nga ana tjetër, e vetmja gjë që përgjatë jetës – e udhëheq intelektualin në ekstazën e përjetshme të vegimtarit. Cilësori i tij i veçantë është habitja dhe kërshëria. Ja përse të moçmit i dhanë Minervës si kafshë të vet përfaqësuese një buf zogun me sytë përgjithmonë të verbuar. Grumbullimi, plotshmëria, nuk qenë të shpeshta kohë më parë. Pse vallë tani po ndodh diçka e tillë? Përbërësit e kësaj shumësie përrreth nesh nuk shpërthyen nga asgjëja. Përafërsisht, po i njëjti numër njerëzish ekzistonte edhe 15 vjet më parë. E në fakt, pas luftës mund të dukej mëse e natyrshme që ky numër të qe akoma dhe më i vogël. Megjithatë, në këtë pikë të shtjellimit tonë, ne përballemi me detajin e parë të rëndësishëm. Individët që formojnë sot këto shumësi ekzistonin vërtet, dhe më parë, por jo si një shumësi e tillë në vetvete. Të shpërndarë kudo në botë, nëpër grupe të vegjël ose vetmitarë, ata sipas të gjitha dukjeve të jashtme – jetonin një jetë të ndryshme, të palidhshme, veçan njeri-tjetrit. Çdo individ ose grup i vogël individësh zotëronte një vend të vetin, në një zonë, në një fshat, qytet apo lagje të një qyteti të madh. Ndërsa sot, papritur, ata shfaqen në një masë të atillë grumbullimi, saqë sytë tanë mund të arrijnë të ndeshen me shumësi të tilla në cilindo drejtim që të shohim. E jo vetëm në cilindo drejtim, por saktësisht në vendet më të mira, në krijimet relativisht më shije – holla të kulturës njerëzore, të rezervuara më parë ndaj grupeve më të vegjël, me fjalë të tjera, ndaj minoriteteve. Kësisoj, shumësia ka filluar papritmas të bëhet e dukshme, duke e instaluar veten në pozicionet më të parapëlqyera të shoqërisë. Dikur, edhe nëse ekzistonte, ajo kalonte e pavënë re, duke zënë sfondin e skenës shoqërore. Tani, ajo ka përparuar drejt podiumit të skenës, për bërë personazhi i saj parësor. Nuk ka më protagonistë, ka vetëm kore protagonistësh. Aq më tepër që koncepti i shumësisë është njëkohësisht sasior dhe pamor. Ndaj, pa ia ndryshuar aspak natyrën, po ta përkthejmë atë nga pikëpamja e termave të sociologjisë, do të të ndeshemi menjëherë me nocionin e “turmës shoqërore”. Shoqëria është gjithmonë një unitet dinamik i dy faktorëve përbërës: minoriteteve dhe turmave. Minoritetet janë individë ose grupe individësh të kualifikuar në mënyrë të veçantë, kurse turma një grumbull personash të pa kualifikuar në mënyrë të veçantë. Kësisoj me turmë nuk duhet kuptuar, vetëm e vetëm ose krejtësisht, “turma punonjëse”. Turma është njeriu mesatar. Në këtë kuptim ajo çka ishte thjesht sasi – shumësia – sot është shndërruar në një përcaktueshmëri cilësore: është shndërruar cilësia e zakonshme shoqërore, njeriu si i padiferencuar nga tjetri, por edhe si përsëritës në vetvete i të njëjtit tip gjinisor. Po ç’përfitim ka sjellë vallë ky kalim nga sasia në cilësi? Thjesht vetëm këtë gjë: nëpërmjet cilësisë ne kuptojmë gjenezën e sasisë. Është krejt e qartë – madje deri në cakun e rëndomësisë – se formimi normal i një shumësie nënkupton në vetvete përkitjen rastësore të dëshirave, ideve apo mënyrave të jetesës së vetë individëve që e përbëjnë atë. Nga ana tjetër, dikush mund të vërejë se kjo është saktësisht ajo çka ndodh në çdo grup shoqëror, sado i zgjedhur ai orvatet të jetë. Kjo është e vërtetë megjithatë në këtë rast kemi një diferencë thelbësore. Në ato grupe të cilat karakterizohen nga të mos – qenit shumësi apo turma, përkitja rastësisht e efektshme e anëtarëve të tij, bazohet në disa dëshira, ide apo ideale që në vetvete përjashtojnë pjesëmarrjen e një grupi të madh njerëzish. Të formosh një minoritet të çfarëdolloji qoftë – është e nevojshme që secili anëtar për arsye të veçanta, relativisht personale, ta ndajë veten që më parë nga shumësia. Kësisoj, përkitshmëria e tyre me të të tjerët që formojnë një minoritet të caktuar, vjen posteriori, në bazë të qëndrimit të përveçmërisë që secili ka adoptuar për vete të tij, rrjedhimisht, duket që në një masë të madhe, kemi të bëjmë me një përkitshmëri që nuk përkon. Madje ka raste kur ky karakter i përveçmërisë brenda një grupi shfaqet i plotë dhe i dukshëm për të gjithë: si p.sh. rasti stilizuan vetveten si “jokonformistë” e ku i atyre grupeve angleze qe e mund të vëreje veçse një grupim së bashku të një mase njerëzish që binin dakort me njëri-tjetrin vetëm në mos – miratimin e tyre ndaj shumësive të pakufizuara. Sidoqoftë, kjo bërje bashkë e disa njerëzve në një minoritet, përpikmërisht me qëllimin e ndarjes nga shumica, është një përbërës i domosdoshmëm në formimin. Ndaj, duke folur përpara një publiku të kufizuar që po dëgjonte ekzekutimin e një muzike shijehollë, Mallarmeja mprehtësisht pat thënë se ky publik, pikërisht në saj të pranisë në një numër të vogël, i mëshon faktit të mungesës së shumësisë. Megjithatë, për të folur rigorozisht, turma si një fakt psikologjik, mund të përkufizohet edhe pa pritur që individët të shfaqen si të tillë në procesin e turmë – formimit. Edhe pa praninë e një individi, ne mund të vendosim nëse ai është apo jo “turmë”. E kjo pasi turmë janë të gjithë ata që nuk i parashtrojnë vetes asnjë vlerë – qoftë të mirë ose të keqe – të bazuar mbi diçka specifike, por që pavarësisht nga kjo e ndjejnë veten “njësoj si gjithë të tjerët”, e për më tepër, ndihen vërtet shumë të lumtur së qëni si çdokush tjetër. Imagjinoni një njeri të thjeshtë i cili duke dashur që mbi disa baza specifike të japë një vlerësim për veten – përpiqet të gjejë nëse ka apo jo ndonjë talent për këtë apo atë gjë ose pra nëse mund të çajë apo jo në këtë apo në atë drejtim – e kupton se ai nuk zotëron kurrfarë cilësie të veçantë. Kësisoj, një njeri i tillë do të ndihet vërtet mediokër, i rëndomtë e dhunti – mangët, por s’do ta ndjejë kurrësesi veten si një turmë. Ndaj sa herë që flitet për minoritetet e zgjedhura, është e zakonshme që dashakeqët dredharakë t’ia shtrembërojnë sensin kësaj shprehjeje, duke parapëlqyer të tregohen të pandërgjegjshëm për faktin se njeriu i zgjedhur nuk është një person idhnak, i cili i vendos vetes shumë më tepër kërkesa se të tjerët, pavarësisht se mund të mos i përmbushë dot këto pritshmëri kaq të larta. Aq më tepër që s’ka pikë dyshimi se ndarja më radikale e mundshme që mund t’i bëhet njerëzimit është copëtimi i tij në dy klasa krijesash: në ata që i vendosin vetes kërkesa të larta, duke “stivuar” kështu vështirësi e detyra, dhe në ata që nuk i parashtrojnë të veçantë e për të cilët të jetuarit do të thotë të jenë në çdo moment ata që tashmë janë, pa diktuar mbi të ndonjë orvajtje përsosmërie; pra të jenë thjesht bova pluskuese nëpër dallgë. E gjitha kjo më sjell ndërmend Budizmin orthodoks, të kompozuar nga dy fe të shqueshme nga njëra tjetra; njera më e vështirë dhe rigoroze, tjetra më e lehtë dhe më e parëndësishme. Pra, Mahayana – “rrota e madhe” ose “shtegu i gjerë” – dhe Hinayana – “rrota më e vogël”, “shtegu më i ngushtë”. Çështja vendimtare, është se në cilën rrotë ne do ta “mbërthejmë” jetën tonë, në maksimumin apo minimumin e kërkesave ndaj vetes. Ndaj, kjo ndarje e shoqërisë në turma dhe minoritete të zgjedhura është, kësisoj, jo ndarje në klasa shoqërore, por në klasa njerëzish që nuk mund të përkojë me ndarjen hierarkike në klasa “të ulëta” dhe “të larta”. Është sigurisht e qartë se në klasat e “larta”, për aq kohë sa ato do të jenë vërtet të tilla, do të ekzistonte shumë më tepër mundësi të gjesh njerëz që adoptojnë modelin e jetës sipas “rrotës së madhe”. Në një kohë që në klasat e ulëta mund të përfshihen normalisht individë me më pak cilësi. Sidoqoftë për të qenë rigoroz, duhet thënë se në të dyja klasat shoqërore, mund të takohen turma dhe minoritete të vërteta. Madje, siç do ta shohim më poshtë, një karakteristikë e kohëve tona është mbisundimi, qoftë edhe në grupe tradicionalisht të zgjedhura, i turmave dhe i vulgares. Kështu, në jetën intelektuale, që në thelb të vet kërkon dhe parasupozon kualifikim, çdokush mund të vëzhgojë triumfin përparues të pseudo – intelektualëve të pakualifikuar, të pakualifikueshëm, madje në sajë të vetë struktures së tyre mendore, të skualifikueshëm. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për grupet e mbijetuara të “fisnikëve”, qofshin femra apo meshkuj. Nga ana tjetër, sot nuk është e rrallë gjesh edhe midis punëtorëve, që më parë mund të merreshin si shembujt më të mirë të atyre qe ne i quajmë “turma”, mendje fisnikërisht të disiplinuara. Gjithashtu, edhe në shoqëri ekzistojnë operacione, aktivitete e funksione të llojeve nga më të ndryshmet, që janë falë vetë natyrës së tyre speciale e që, rrjedhimisht nuk mund të kryhen pa pasur në zotërim dhunti speciale. Psh. kënaqësitë e caktuara të një karakteri artistik dhe në shije të hollë apo funksionet qeverisëse dhe të gjykimit politik në çështjet publike. Më parë këto aktivitete speciale ushtroheshin nga minoritete të kualifikuara ose të paktën, nga ata që cilësoheshin si të pajisur me një kualifikim të tillë. Turma nuk kishte asnjë të drejtë të ndërhynte, pasi dhe ajo vetë e kuptonte se, nëse dëshironte të merrte pjesë në aktivitete të tilla, duhej domosdoshmërisht të fitonte ato cilësi të kërkuara speciale e të pushonte së qënuri thjesht turmë. Pra, e njihte mirë pozicionin e vet në një sistem të shëndetshëm e dinamik shoqëror. Ndaj, nëse në këtë pikë, do t’u ktheheshim fakteve të dëftuara që fillim, atëherë ato do të na shfaqeshin qartësisht si kasnecët e një qëndrimi të saj krejtësisht të ndryshuar. Ata dëftojnë se turma sot ka vendosur të përparojë drejt e në rradhën e parë të jetës shoqërore, të zërë vendet, të përdorë instrumentet e të shijojë kënaqësitë e rezervuara, gjer më sot vetëm për pak njerëz. Duket qartë, p.sh. se hapësirat brenda qyteteve s’qenë menduar kurrë për këtë shumësi, pasi dimensionet e tyre sot shfaqen janë shumë të kufizuara, në një kohë që turmat e njerëzve vazhdojnë të vërshojnë nga të gjitha anët. Kjo bën që para syve tanë, e në mënyrën më të kthjellët të manifestohet një fenomen i ri: turma, pa rreshtur së qëni turmë ka arritur të zëvëndësojë minoritetet. Askujt, besoj, si vjen keq se njerëzit e zbavisin sot veten, në një masë e në një numër më të madh se më parë, përderisa kanë arritur të kenë dëshirën dhe mjetet për ta kënaqur atë. E keqja qëndron në faktin se ky vendim i turmave për të marrë përsipër aktivitete që u shkojnë përshtat minoriteteve, nuk është e nuk mund të jetë i manifestuar vetëm në domein-in e kënaqësisë, i cili është bërë tashmë veçoria e përgjithshme e kohës sonë. Ndaj, për t’i paraprirë asaj që do të shpjegojmë më poshtë unë besoj se inovacionet politike të periudhave të fundit s’nënkuptojnë asgjë më shumë se sa sundimin politik të turmave. Demokracia vjetër u kalit falë një doze bujare të liberalizmit dhe të entuziazmit për ligjin. E, duke u shërbyer këtyre parimeve, individët e saj arritën ruajnë dhe cakëzojnë një disiplinë të rreptë ndaj vetvetes. Kështu, nënstrehën parimeve liberale dhe të rregullit të ligjit, minoritetet mundën të jetojnë dhe veprojnë me moton: demokracia dhe ligji – vetë jeta nën qeverisjen e ligjit – janë sinonime të njëra-tjetrës. Në një kohë që sot ne jemi dëshmitarë të triumfeve të hiperdemokracive, në të cilat – jashtë ligjit – turmat arrijnë të veprojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke diktuar dëshirat dhe aspiratat e tyre nëpërmjet trysnisë materiale. Është një interpretim i gënjeshtërt i kësaj situate të re ai që pohon se turmat janë lodhur nga politika e duan t’i japin fund ushtrimit të saj nga ana e personave të specializuar, pasi e vërteta është krejt ndryshe. E gjitha kjo ndodhte dhe më parë, e quhej demokraci. Turmat e konsideronin si diçka tashmë të paracaktuar faktin, se tekefundit, pavarësisht nga dobësitë dhe të metat, minoritetet kuptonin diçka më shumë për problemet politike se sa ato. Sot, përkundrazi, turmat besojnë se kanë të drejtë të diktojnë e t’u japin forcën e ligjit nocioneve të lindura nëpër kafene. Dyshoj të ketë pasur periudha të tjera të historisë në të cilat shumica të ketë arritur të qeverisë në mënyrë më të drejtpërdrejtë se sa në kohët tona. Ja, për se unë flas për hiperdemokraci. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shumë nivele të tjera, veçanërisht në atë intelektual. Mund të gabohem, por shkrimtari i sotëm kur merr në dorë penën për të trajtuar një subjekt që ai e ka analizuar thellësisht, duhet ta mbajë, patjetër të ngulitur në mendje faktin se lexuesi mesatar, i cili s’ka pasur të bëjë kurrë me këtë subjekt, nëse e lexon veprën, e bën një gjë të tillë thjesht jo me qellimin për të mësuar diçka nga ajo, por përkundrazi, për të shpallur një gjykim mbi të, në një kohë që vetë shkrimtari s’është aspak dakort me rëndomësinë që ky lexues ka të ngulitur në mendje të vet. E më tej, nëse individët që formojnë turmën e besojnë veten të kualifikuar në një mënyrë të veçantë, atëherë ky do të qe thjesht rasti i një gabimi të përveçëm, por jo rrëzimi i pohimit të mësipërm sociologjik. Karakteristika e momentit është se mendja e rëndomtë, duke e njohur veten si të rëndomtë, zotëron njëkohësisht dhe sigurinë të shpallë të drejtat e së rëndomtës, për ta diktuar atë kudo që të dojë. Madje në Shtetet e Bashkuara thonë se “të jesh i ndryshëm, është diçka e turpshme”. Turmat, kësisoj, arrijnë të shtypin nën vete çdo gjë që është e ndryshme, çdo gjë që është e mrekullueshme, e përveçme, e kualifikuar dhe e zgjedhur. Cilido që nuk është si çdokush, që nuk mendon si çdokush, ndjen mbi vete rrezikun e të qënit i eliminuar, edhe pse është sigurisht e qartë që ky “çdokush” nuk është “çdokushi” “Çdokushi”, më parë ishte normalisht uniteti kompleks i turmës me minoritetet e specializuara, të kundërta me të. Ndërkohë që në kohën e sotme, “çdokushi” është vetë turma Ja, ky është fakti i jashtëzakonshëm i kohëve tona, i përshkruar pa fshehjen më të vogël të brutalitetit të karakteristikave të tij.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Shqipëroi: Dritan Thomollari

Shtëpia botuese: PLEJAD, 2003


© RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *