Lajme

Pentagoni: Nuk mund të krahasohet ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, me sulmin e Rusisë në Ukrainë

Zyrtarja e lartë e Pentagonit, Laura Cooper, ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 në Kosovë nuk mund të krahasohet me një sulm ndaj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, duke iu referuar luftës së Rusisë në Ukrainë.

Një krahasim të tillë e kishte përdorur presidenti rus Vladimir Putin, por edhe ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, në ditët e para të pushtimit të Ukrainës. 

“Ky krahasim absolutisht nuk mund të barazohet. Ajo që shihni tani është se një fuqi e madhe ka vendosur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë arsye dhe po përpiqet të pushtojë pjesë të rëndësishme të atij vendi duke bombarduar civilët dhe duke penguar ndihmën humanitare. Nuk ka absolutisht asnjë të përbashkët”, ka thënë Cooper për Zërin e Amerikës.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Cooper, e cila ushtron detyrën e zëvendës-ndihmëses sekretare amerikane të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euro-Azinë, u shpreh se nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë.

“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Dhe sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, tha ajo.

Zyrtarja e Uashingtonit ka thënë se Shtetet e Bashkuara gjithmonë i kanë kushtuar vëmendje Ballkanit Perëndimor, për ta ndaluar ndikimin rus.

“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, ka thënë Cooper.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë ndërhyrjet kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Ajo gjithashtu shton se Moska mund të përdorë si mjet, korrupsionin, që ka efekt veçanërisht në rajonin e Ballkanit, si edhe shitjet e armëve për këto vende. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *