TV 21: Regjistrimi nxjerr 24.7 % shqiptarë rezidentë në Maqedoninë e Veriut
Katër ditë deri në prezantimin e rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë. TV21 nga burime të tij në Entin e Statistikave ka mësuar një pjesë të rezultateve për numrin e banorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Jozyrtarisht sipas burimeve, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1.8 milionë qytetarë. Bashkë me diasporën jemi 2.1 milionë, që nënkupton se rreth 300 mijë jetojnë jashtë vendit. Numri total i qytetarëve që kanë numra amë është 2.5 milionë.
Në aspektin e bashkësive etnike që jetojnë në vend, sipas informacioneve, nga 1.8 milionë rezidentë, rreth 63 deri 65% janë maqedonas, rreth 24.7% shqiptarë dhe rreth 10 deri në 12% bashkësi të tjera që jetojnë në vend.
Përqindjet ndryshojnë nëse në numrin e përgjithshëm të popullsisë llogariten edhe ata që jetojnë në diasporë, siç parashihet në ligj.
Bashkë me diasporën, sipas burimeve jozyrtare, maqedonas do të rezultojnë 60 deri në 62%, shqiptarë 29.5%, ndërsa pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike 8 deri në 10%.
Nuk dihet nëse këto numra bënë që ditë më parë, drejtori i Entit të Statistikave Apostoll Simovski, si me shaka të thotë se do të shpallet “armik shtetëror”.
“Aspak nuk do t’ia vë veshin kritikave, jam i vetëdijshëm. E di se muajin e ardhshëm do të jem armiku numër një shtetëror”, deklaroi më 17.03.2022, Simovski.
Por këtë deklaratë të drejtorit, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, në ClickPlus e quajti për keqardhje, ndërsa siguroi se nuk do të ketë asnjë manipulim rreth numrave.
“Jam i bindur se të gjitha këto pretendime do të mohohen, do të demantohen në fund të marsit kur të shpalosen rezultatet dhe dua t’i rehatoj qytetarët, le të rrinë të qetë sepse numrat janë aq sa janë, jam i kënaqur nga procesi i zhvilluar”, tha Grubi më 21.03.2022.
TV21 mëson se ditë më parë, Enti i Statistikave ka marrë kërcënime nga grup qytetarësh se do të shkaktojnë incident në ditën e prezantimit të rezultateve të regjistrimit. Të pyetur për këtë, nga Ministria e Brendshme na thanë se nuk kanë marrë asnjë denoncim nga Enti.
Krahas kësaj, një çështje tjetër për të cilën mëson TV21, është edhe tërheqja e ftesës që Enti i ka dërguar ambasadorit rus, Sergei Bazdnikin, për pjesëmarrje në ditën e prezantimit të rezultateve. Krejt kjo ka ndodhur pasi ambasadori rus e ka konfirmuar pjesëmarrjen, por me të mësuar këtë, zëvendësdrejtori i statistikave Selami, e ka informuar zëvendëskryeministrin e parë Grubi, e ky kryeministrin Kovaçevski, i cili më pas i ka kërkuar drejtorit të Entit Simovski që të gjejë mënyrë se si ambasadori rus të mos marr pjesë në ngjarjen ku do të prezantohen rezultatet.
TV21 mëson se këto ditë deri tek Ambasada ruse është dërguar letër, e shkruar në Ministrinë e Jashtme, në të cilën në mënyrë diplomatike kërkohet që ambasadori Bazdnikin të mos marr pjesë në prezantimin e rezultateve. Për këto e pyetëm Drejtorin e Entit të Statistikave, Apostoll Simovski, i cili i konfirmoi se “të ftuara kanë qenë të gjitha ambasadat sipas protokolleve, para se shteti t’i ngrijë raportet me atë ruse”. “Kur kjo ndodhi, e tërhoqëm ftesën”, përfundoi Simovski.
Rruga Press