Zbulohet naftë dhe gaz natyor në veri të Detit Jon. A futet këtu territori detar prej 12 miljesh detare që Rama do t’i falte Greqisë?
Një studim gjeofizik i kryer në pjesët veriore të detit Jon për të vlerësuar rezervat e gazit natyror ka përfunduar me sukses, sipas një njoftimi të Menaxhimit të Burimeve Hidrokarbure Helenike (HHRM), të martën.
Ky ishte rilevimi i dytë i tillë i kryer nga kompania ndërkombëtare e blerjes dhe përpunimit sizmik gjeofizik detar Shearwater, në emër të Hellenic Petroleum (ELPE). Ai pasoi nga rilevimi i parë që u përfundua në jug të Detit Jon në fillim të shkurtit. Hapi tjetër në proces është analizimi dhe vlerësimi i të dhënave, tha HHRM.
“Studimet e mëparshme nga analizuesit grekë dhe ndërkombëtarë kanë treguar se rezervat e gazit natyror të Greqisë mund të kapin vlerën e më shumë se 250 miliardë euro, me potencial për të mbështetur kalimin nga qymyri në gaz në rajonin më gjerë dhe për të përshpejtuar financiarisht kalimin në një nivel të qëndrueshëm të sistemi energjetik me nivele të ulta karboni” tha ai.
Kujtojmë se qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri Rama kanë qenë të gatshëm për faljen e 12 miljeve detare Greqisë, që i përkasin zonës veriore të detit Jon. Edhe më parë ka pasur informacione të pakonfirmuara se ajo zonë është e pasur me naftë dhe gaz natyror.
Nuk dihet nëse pretendimi i palës greke për ta “grabitur” atë territor detar shqiptar, me miratimin e qeverisë Rama, ka përfunduar. Por qeveria Rama ka qenë shumë e gatshme për këtë marrëveshje. Nëse konfirmohet se ky studim vulos faktin e këtij territori detar si të pasur me këto burime natyrore, falja e këtij territori detar Greqisë nuk është vetëm falje territori, por edhe falje e milirada dollarëve që do të përfitonte Shqipëria me shfrytëzimin e këtyre burimeve.
Shumë gjëra ngelen për t’u konfirmuar, rreth të cilave do të ishte e udhës të hidhte dritë edhe qeveria shqiptare. Aq më shumë kur ka hapësira për të menduar se marrëveshja potenciale mbi territorin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke i falur kësaj të fundit 12 milje, mund të rezultojë në tradhëti kombëtare, që është shkelja më e rëndë e Kushtetuës dhe pasohet me dënimin më të rëndë të parashikuar nga rendi juridik.
© Rruga Press