Zgjedhjet serbe nuk mbahen në Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka deklaruar për mediet në Prishtinë se zgjedhjet presidenciale të Serbisë në 3 prill nuk do të mbahen përmes qendrave të votimit në vend për serbët e Kosovës.
Kryediplomatja tha ndër të tjera se vendimin ia ka bërë të qartë edhe komunitetit ndërkombëtar.
Njësoj si në 16 janar, ditë kur u mbajt referendumi i Serbisë për ndryshimet kushtetuese, qeveria kosovare lejoi votimin për serbët e Kosovës vetëm përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse mes Prishtinës dhe Beogradit.
Disa serbë nga veriu i Kosovës udhëtuan drejt Serbisë.
Pas mos mbajtjes së referendumit në Kosovë, Serbia reagoi me paralajmërime të forta, pasi sipas tyre zgjedhjet e mëparshme ishin lejuar nga autoritetet në Prishtinë.
Sipas qeverisë Kurti, mbajtja e referendumeve apo edhe zgjedhjeve serbe në vend shkelin sovranitetin e Kosovës.
Ndërkohë presidenti Vuçiç, kryetari i Kuvendi Ivica Daçiç dhe ministri i Jashtëm serb kanë kërcënuar Kosovën se do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk hapen qendrat e votimit për zgjedhjet e 3 prillit.
Kërcënimet nga Serbia vinë në kohën kur Joe Biden, Emmanuele Macron, Boris Johnson e Olaf Scholz i bëjnë thirrje Serbisë që të arrijë sa më shpejt një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës.
Mbetet të shihet nëse paria serbe do ndjeki udhëzimet e BE dhe SHBA apo do ndjeki modelin e Putinit, ku si alternative të vetme për të ushtruar presion kur nuk i ecin planet ka rreshtimin e ushtrisë në kufi.
Rruga Press