Shqiptari e ka një të keqe, ka turp me pranu se e ka patur gabim për gjysëm shekulli
Për të gjithë ata që e tregojnë historinë sipas regjimit komunist, le ta lexojnë postimin e Agim Morinës mbi përkufizimin e thjeshtuar të kuislingut. E kuptoj se nuk do ta lexojnë. Lipset durim për të lexuar, edhe për të menduar, edhe për të vendosur mbi historinë e shqiptarëve. Më mirë lexon historinë e Paskal Milos dhe je rehat.
Por se ata që po ngrihen kaq fort kundër shtëpisë së Xhaferr Devës po ma çojnë mallin e atyre që kërkonin të shembnin piramidën në qendër të Tiranës, sepse kjo ishte e Enver Hoxhës. Ç’faj ka guri se ç’ ka ba burri?
Edhe një tjetër pyetje. Bisedoj me enveristë në Kosovë. E kanë kuptuar se Enver Hoxha ka qenë diktator gjaksor, kështuqë në fund drejtojnë pyetjen: “Enver Hoxha e ka ba një të mirë gjithsesi?” Për një të mirë që mund të ketë bërë, Enver Hoxha është për ta i pranueshëm për gjysëm shekulli vrasje. Ama, po për këta, Xhaferr Deva për dy vite qëndrim kuisling është kriminel. Sepse Xhaferr Deva bashkëpunoi me Hitlerin dhe nuk i dha hebrenjtë, ndërsa Enver Hoxha ishte stalinist dhe e importoi gulagun në Shqipëri.
Shqiptari ka një të keqe. Ai ka turp me pranu se e ka patur gabim për gjysëm shekulli. Ndaj dhe është i gatshëm me qëndru edhe pjesën tjetër të jetës n’gabim. E jo vetëm ai, por edhe fisi i tij.
Eh pra, kuislingu nuk mund të përcaktohet në një shoqëri ku ai që e kupton se është n’gabim, vijon me mbajt të njëjtin pozicion. Më shumë se kuislingu n’akt, ne kemi përtac n’mendim. Nuk asht Isa Mustafa që na prish punë, por ata që e bëjnë të mundur si shef. Dhe nuk do të ishte problem Hashim Thaçi po qe se nuk do të ishin ata që e votojnë deri në fund Hashim Thaçin, edhe kur ky është tandem me Isa Mustafën. Të dy u bënë kuislingë të pushtetit të njëri-tjetrit. Titisti u bë shok me enveristin. Kështu ndodhi. Të dy u bënë aleatë kundër historisë së shqiptarëve sepse masa që i votoi përton me mendu ose ka turp me kuptu se e ka patur gabim për shumë vite.
Rruga Press