Scholz: Qëllimi i Gjermanisë, Francës dhe Polonisë është parandalimi i luftës në Evropë
Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë i kanë bërë thirrje Rusisë që të tërheqë kërcënimet ushtarake dhe të kërkojë zgjidhje diplomatike për krizën ukrainase.
“Qëllimi ynë i përbashkët është të parandalojmë luftën në Evropë”, tha dje kancelari gjerman, Olaf Scholz, në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin polak, Andrzej Duda.
“Çdo shkelje e mëtejshme e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës është e papranueshme dhe do të kishte pasoja të mëdha politike, ekonomike dhe gjeostrategjike për Rusinë”, theksoi ai, duke shtuar se ky ishte qëndrimi i përbashkët i vendeve perëndimore.
Scholz theksoi angazhimin e tyre për dialog dhe dëshirën e tyre për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Bisedimet erdhën në një kohë kur Gjermania dhe Franca kanë rritur përpjekjet diplomatike ditët e fundit mes frikës në rritje për një sulm të afërt rus në Ukrainë.
Kancelari të hënën vizitoi SHBA-në dhe presidenti francez mori pjesë në një aktivitet diplomatik intensiv dyditor midis Moskës dhe Kievit.
Rruga Press